
Rama: Operator kombëtar për furnizimin me ujë dhe menaxhimin e mbetjeve
Kryeministri Edi Rama në takimin me deputetët e qarkut të Tiranës u ndal edhe tek disa problematika në bashkinë e Tiranës, ku theksoi domosdoshmërinë e krijimit të operatorit të shpërndarjes së ujit.

Kryeministri Edi Rama në takimin me deputetët e qarkut të Tiranës u ndal edhe tek disa problematika në bashkinë e Tiranës, ku theksoi domosdoshmërinë e krijimit të operatorit të shpërndarjes së ujit.
“Këto problematika lidhen me administrimin e një qyteti që rritet përditë ku ka një ngarkesë shumë të madhe të nevojave që shtohen përditë si pastrimi, hapësirat publike , furnizimi me ujë dhe shërbimet e tjera”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama bëri të ditur se “kemi ngritur grupet e punës për të ndihmuar bashkinë me një formë të brendshëm organizative dhe me një reformë tërësore të shërbimeve”.
“Këto do të diskutohen më tutje nga pjesëtarët e grupeve të punës në vijim me strukturat e bashkisë, por dua të vë theksin tek çështjet e shërbimit me ujë ku përfundimisht jemi të sigurt që duhet të kalojmë në një fazë tjetër dhe duhet të krijojmë Operatorin e Shpërndarjes së Ujit njësoj si Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se “na duhet një ndërmarrje kombëtare e ujit dhe një korporatë e re, e cila të adresojë problemin e investimeve, të adresojë problemin e të gjitha marrëdhënieve me donatorë dhe me institucionet financiare në të gjithë Shqipërinë dhe të adresojë problemin e fragmentarizimit të burimeve dhe menaxhimit që pas 30 e kusur vitesh është e kotë që të presim të sjellë rezultate të dëshiruar edhe pse ka përmirësime nga bashkimi i operatorëve në territore të ndryshme që janë të dukshme, por janë të pamjaftueshme dhe nuk mund të rrimë të presim”.
“Qoftë për ujin edhe për trajtimin e e mbetjeve do të duhet të kalojmë në nivel kombëtar dhe do të duhet të krijojmë sinergji me ndërmarrje, në korporata ndërkombëtare të nivelit më të lartë në një fazë të caktuar. Kjo do të na ndihmojë për një mijë e një arsye të çojmë në një nivel tjetër qoftë shërbimin me furnizimin me ujë qoftë investimet dhe patjetër edhe transparencën në të gjitha këto procese ku ka shumë aktorë, fragmentarizim dhe shumë humbje të të gjitha natyrave”, tha Rama.
Më tej Rama tha se “kemi në sistemin e trajtimit të mbetjeve një hartë që sot është shumë më ndryshe nga ajo që ishte, kur s’kishte fare trajtim mbetjesh, por që duhet të konsolidohet dhe të bëhet një sistem i trajtimit të mbetjeve në nivel kombëtar”.
“Po ashtu jemi duke punuar intensivisht me Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës për një sistem të ri të furnizimit të naftës është një domosdoshmëri dhe një mundësi për të kaluar edhe tek furnizimi i naftës me një komponent të ri të shtetit si protagonist në realizmin e kontratave dhe furnizimin me naftë gjë që kemi shumë besim që do të sjellë një kontroll shumë efikas qoftë mbi çmimin dhe mbi gjithë sistemin e qarkullimit të naftës”, tha Rama.
Burimi ATSH