Miratohet në parim me 75 vota pro pr/buxheti i vitit 2025

Buxheti i vitit 2025, është 2 herë më i lartë se ai i vitit 2013, me një total prej rreth 8.2 miliardë euro.


Projektbuxheti i vitit 2025, i diskutuar përgjatë 48 orëve në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, u miratua në parim me 75 vota pro, 40 vota kundër, ndërsa 22 deputetë të pranishëm në sallë nuk morën pjesë në votim.

Buxheti i vitit 2025, është 2 herë më i lartë se ai i vitit 2013, me një total prej rreth 8.2 miliardë euro. Sipas parashikimeve, rritja ekonomike pritet të jetë 3.9%. Kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Turizmi po ashtu do ketë një rol të rëndësishëm.

Borxhi Publik pritet të reduktohet në 55.8% të Produktit të Brendshëm Bruto nga 56.3% dhe një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore, duke realizuar një balancë korente pozitive prej 3.6% të PBB-së.

Sipas parashikimeve në buxhet, në fund të vitit 2024 pritet që papunësia të shkojë në nivelin 10.2%, dhe për vitin 2025 parashikimet janë që norma e papunësisë të zbresë në 9.8% të forcës aktive për punë.

Të ardhurat buxhetore për vitin 2025, parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB-së). Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40.6 miliardë lekë më shumë.

Parashikimet e shpenzimeve për vitin 2025 janë parashikuar në masën 822.7 miliardë lekë ose 31.4% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje prej 51.4 miliardë lekë, krahasuar me planin e vitit 2024. Investimet publike përgjatë 2025-2027 do të jenë rreth 6.2%, me një përqendrim te ato me rëndësi strategjike, të lidhura me Planin e Rritjes së BE.

Po ashtu, shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.85 miliardë lekë, të fokusuara tek nxitja e punësimit, ujësjellës-kanalizimet, shpenzime për veprimtarinë hekurudhore, etj.

Skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025, parashikohet në masën 192.3 miliardë lekë ose 7.3% e PBB. Investimet publike pritet të jenë në masën 6.2% e PBB ose 161.8 miliardë lekë, duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit, si dhe 4.5 miliardë lekë financime të pritshme mbi bazë projektesh nga Plani i Rritjes me BE. ë raport me buxhetin e rishikuar të vitit 2024, vëllimi i investimeve publike në vitin 2025, parashikohet me rreth 11 miliardë lekë më shumë.

Ndër projektet më të rëndësishme për infrastrukturën rrugore dhe zhvillimin urban janë korridori i 8 nga Elbasan në Lekaj; bajpasi i Elbasanit; zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës arteria me e rëndësishme industriale e vendit; rehabilitimi i rrugës dytësore Tiranë-Ndroq-Plepa; Berat–Ballaban; korridori i 8 nga Elbasan në Qafë Thanë; projektet e nisura në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve që kapin vlerën totale prej 11.3 miliardë lekë; projektet e zhvillimit urban të implementuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të financuara me 17.6 miliardë lekë.

(ATSH)

Lexo më shumë nga

Arti në luftë!

Mbi 300 vizatime e fotografi të ekspozuara në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Kurator studiuesi Mehmet Gëzhilli.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Arti në luftë!

Mbi 300 vizatime e fotografi të ekspozuara në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Kurator studiuesi Mehmet Gëzhilli.