Forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me leverdi të ndërsjellë Kinë – Europë dhe Kinë – Europë Qendrore e Lindore

Presidenti kinez Xi Jinping viziton vendet e Bashkimit Europian, për herë të parë në pesë vjet, me një mesazh të qartë Pekini ofron shumë mundësi ekonomike për vendet e Bashkimit Europian.


Nga Prof. Dr. Petraq Milo

Presidenti kinez Xi Jinping viziton vendet e Bashkimit Europian, për herë të parë në pesë vjet, me një mesazh të qartë Pekini ofron shumë mundësi ekonomike për vendet e Bashkimit Europian. Udhëheqësi kinez ka vizituar Francën, Serbinë dhe Hungarinë. Këto vende po kërkojnë investime nga Kina, pavarësisht zhvillimit të një sërë hetimesh të BE-së për politikën industriale të Pekinit. Kina dhe Bashkimi Europian janë partnerët e rëndësishëm tregtarë të njëra-tjetrës. Nën drejtimin strategjik të liderëve nga të dyja palët Kina dhe Bashkimi Europian mbetën partnerët e dytë më të mëdhenj tregtarë të njëra-tjetrës në shkëmbimin e mallrave. Bashkëpunimi tregtar midis Kinës dhe BE-së është zgjeruar gjatë dekadës së fundit. Nga viti 2013 deri në vitin 2022, importet e BE-së janë rritur nga 239.9 miliardë Euro në 627.3 miliardë Euro. Viti 2023 shënoi në fakt një ulje të importeve duke arritur në 514.4 miliard Euro. Megjithatë në periudhën 2013-2023 importet e Bashkimit Europian nga Kina janë rritur në rreth 2.2 herë. Eksportet e Bashkimit Europian janë rritur nga 134.7 miliard Euro në vitin 2013 në 223.5 miliard Euro në vitin 2023, ose një rritje në 1.7 herë.


Vizitorë në pavijonin e BYD-së, prodhues kinez i makinave me energji të re në Ekspozitën e Motorit të Gjenevës, 28 shkurt 2024, Zvicër(Foto:VCG)


Burimi : Eurostat

Në vitin 2023, Kina ishte partneri i tretë më i madh për eksportet e mallrave të Bashkimit Europian në 8,8 % të totalit. Eksportet e Bashkimit Europina paraprihen nga Shtetet e Bashkuara në 19,7 %, Mbretëria e Bashkuar në 13,1 %, e pasuar nga Zvicra në 7,4 % dhe Turqia në 4,4 %. Në vitin 2023, Kina ishte partneri më i madh për importet e mallrave të Bashkimit Europian në 20,5 %, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara në 13,7 %, Mbretëria e Bashkuar në 7,2 %, Zvicra në 5,5 % dhe Norvegjia në 4,7 %. Struktura e importeve të Bashkimit Europian tregon se 20 mallrat më të importuara mbulojnë 61% të importeve totale në vitin 2023. Dymbëdhjetë nga këto i përkisnin makinerive dhe automjeteve, shtatë mallrave të tjera të prodhuara dhe një kimikateve. Grupi më i tregtuar i mallrave në këtë nivel ishin pajisjet e telekomunikacionit. Ndërsa 20 mallrat më të eksportuara mbuluan 58% të totalit të eksporteve në Kinë. Makinat dhe mjetet motorike mbetën produkti më i lartë, ndjekur nga barnat. Tre nga importuesit më të mëdhenj nga Kina në Bashkimin Europian ishin Holanda në 117 miliardë Euro, Gjermania në 95 miliardë Euro dhe Italia në 48 miliardë Euro. Tre eksportuesit më të mëdhenj në Kinë ishin Gjermania në 97 miliardë Euro, Franca në 25 miliardë Euro dhe Holanda në 22 miliardë Euro.


Burimi: Eurostat

Ndërsa trendi i investimeve të Kinës jashtë vendit në vitin 2022 ishte në përputhje me rënien globale të investimeve. Në vitin 2022 investimet e huaja direkte kineze arritën në 117 miliardë USD ose një rënie me 23 për qind krahasuar me vitin 2021. Një sërë faktorësh të jashtëm dhe të brendshëm ndikuan në rënien e investimeve nga politikat e Kinës për zero Covid deri te rreziqet globale në rritje pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. 88 përqind e investimeve përqendrohen në katër vende europiane, si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Hungaria. Të katër vendet morën investime të mëdha nga prodhuesit kinezë të baterive. Europa është bërë një pjesë kyçe e zgjerimit global të automjeteve elektrike të Kinës. Investimet e baterive tani janë shtylla kryesore e investimeve kineze në Europë.

Ndërsa vlera vjetore e investimeve të huaja direkte nga vendet europiane në Kinë arriti në afërsisht 12 miliardë USD. Pavarësisht rënies së investimeve të BE-së në Kinë gjatë viteve të fundit, viti 2022 tregoi një përmbysje të papritur të këtij trendi. Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Tregtisë, investimet e BE-së në Kinë u rritën me mbi 92 përqind nga viti në vit në 2022. Investimet nga Gjermania u rritën me 52.9 për qind nga viti në vit. Kjo rritje ka të ngjarë të jetë pjesërisht për shkak të ndikimit të disa marrëveshjeve të mëdha investimesh të bëra nga kompanitë europiane në vitin 2022. Në shkurt 2022, prodhuesi gjerman i makinave BMË arriti të ketë aksionet kontrolluese në ndërmarrjen e saj të përbashkët, duke e rritur atë nga 50 përqind në 75 për qind në një marrëveshje me vlerë 3.7 miliardë Euro. Ky është rezultati i drejtpërdrejtë i një politike për të lehtësuar gradualisht kufizimet mbi aksionet e pronësisë së huaj në industrinë e automobilave, duke u mundësuar prodhuesve të huaj të makinave të mbajnë shumicën e aksioneve në sipërmarrjet e tyre në Kinë.


Foto:VCG

Ndërmarrjet kineze ashtu edhe ato europiane vazhdojnë të jenë optimiste për tregjet e njëra-tjetrës. Që nga viti 2022, BMË, Volkswagen, Stellantis, BASF dhe shumë shumëkombëshe të tjera të mëdha europiane kanë rritur investimet e tyre në tregun kinez dhe kompania digjitale Dassault Systèmes si dhe kompania e pajisjeve shtëpiake Group SEB kanë hyrë në një sërë projektesh bashkëpunimi me. kompanitë kineze. Sipas Anketës së Besimit të Biznesit 2023 të lëshuar nga Dhoma e Tregtisë e Bashkimit Europian në Kinë (EUCCC), më shumë se 90% e kompanive europiane të anketuara planifikojnë ta bëjnë Kinën destinacionin e tyre të investimeve dhe 59% e tyre e konsiderojnë Kinën si një nga tre destinacionet kryesore të investimeve. Një studim i 288 kompanive gjermane në Kinë, i kryer nga Dhoma Gjermane e Tregtisë në Kinë, tregon se 55% e këtyre kompanive gjermane planifikojnë të rrisin investimet e tyre në Kinë në dy vitet e ardhshme. Raporti Vjetor 2023 i Dhomës së Tregtisë së Kinës në BE (CCCEU) tregon se më shumë se 80% e kompanive kineze të anketuara planifikojnë të rrisin biznesin e tyre në Europë.

Nje partner tjeter po aq i rëndësishëm i Kinës mbeten vendet e Europes Qendrore dhe Lindore (EQL). Viti 2022 shënoi fillimin e dekadës së dytë të bashkëpunimit Kinë-EQL dhe të dyja palët shpresojnë për lidhje më të ngushta ekonomike dhe tregtare. Marrëdhëniet tregtare tregojnë një rritje të konsiderueshme të tregtisë ndërmjet Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. Sipas të dhënave nga Administrata e Përgjithshme e Doganave të Kinës, vëllimi i përgjithshëm tregtar midis Kinës dhe vendeve të EQL-së arriti në 921.1 miliardë Juanë në vitin 2022 ose në 127.5 miliardë USD. Tregtia dypalëshe është rritur me një normë mesatare vjetore prej 8.1 përqind që nga viti 2012. Polonia, Republika Çeke dhe Hungari janë tre partnerët kryesorë tregtarë. Vëllimi tregtar me Poloninë ishte 287.9 miliardë Juan, pasuar nga Republika Çeke në 158.0 miliardë Juan, dhe Hungaria në 103.5 miliardë Juan. Në fund të vitit 2022, trenat e mallrave Kinë-Europë kanë përfunduar mbi 65,000 udhëtime që nga debutimi i tyre në 2011. Bazuar në analizën e strukturës së mallrave, produktet mekanike dhe elektrike kanë zënë rreth 70 për qind të mallrave të importit dhe eksportit midis Kinës dhe vendeve të EQL.


Burimi : Ministria e Tregtisë dhe analiza e autorit


Vizitorë kinezë në Panairin e Produkteve të Vendeve të Europës Qendrore e Lindore, 2019, Ningbo, provincë Zhejiang, Kinë Lindore(Foto:VCG)

Stoku i investimeve të Kinës në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kanë treguar një rritje të shpejtë. Stoku i investimeve të huaja nga 12.6 miliardë USD në vitin 2012 është rritur në 53.4 miliardë USD në vitin 2023, ose një rritje mbi 4.2 herë.


Burimi : China Global Investment Tracker, 2022 dhe analiza e autorit

Investimet e Kinës në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore lidhen kryesisht me projekte infrastrukturore në fushën e transportit, energjisë, metaleve, teknologjisë, turizmit, ekonomisë digjitale, pasuri të paluajtshme. mallrave të konsumit, të prodhimit inteligjent, etj. Transporti dhe energjia zënë peshën kryesore të investimeve në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, Stoku i investimeve në transport dhe energji në vitin 2023 arrijnë në rreth 51%, në energji në 20%, në metale në rreth 5.0% dhe në teknologji në mbi 4%. Përfituesit më të mëdhenj të investimeve dhe ndërtimeve janë Serbia, Greqia, dhe Hungaria. Investimet në Serbi arrijnë në mbi 17 miliardë USD, në Greqi mbi 10 miliardë USD, dhe në Hungari në rreth 10 miliardë USD.


Burimi : China Global Investment Tracker, 2022 dhe analiza e autorit

Presidenti kinez Xi Jinping ka theksuar në Samitin e 24-të të liderëve Kinë-BE, se të dy partnerët duhet të promovojnë mirëkuptimin dhe besimin reciprok. Kina ndjek zhvillimin me cilësi të lartë, promovon hapjen e vendit dhe e shikon Bashkimin Europian si një partner kyç për bashkëpunimin ekonomik, tregtar, shkencor dhe teknologjik.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Rama në 30-vjetorin e Coca Cola në Shqipëri: Të lidhur më shumë se kurrë me Italinë

ryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e mbajtur në kuadër të 30-vjetorit të.

Global 360

Përqafimi i paqes i Papa Franceskut me një palestinez dhe një izraelit

Duartrokitje të mëdha nga e gjithë Arena e Veronas, në këmbë të gjithë pas përqafimit të Papa Françeskut me dy…

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Rama në 30-vjetorin e Coca Cola në Shqipëri: Të lidhur më shumë se kurrë me Italinë

ryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e mbajtur në kuadër të 30-vjetorit të.