316 vjet më parë, Kisha “Burimi Jetëdhënës” në Korçë

U ndërtua në 1707, në kohën kur ishte peshkop i gjithëhirshmi mitropolit i Korçës dhe i Selasforit, Joasafi


Nga Andrea Llukani

KISHA “BURIMI JETËDHËNËS”
KORÇË, VITI 1707

Kisha e vjetër “Burimi Jetëdhënës” është ndërtuar në vitin 1707.

Në pjesën veriore të murit perëndimor të kishës gjendet mbishkrimi: Ο ναος ουτος τής Ζωοδόχου πηγής ιδρύθη εν ετει σωτηρίω 1707, αρχιε / ρατεύοντος μέν τού Πανιερωτάτου Μητροπολίτου Κορυτσάς καί Σελαδφό / πρου Ιωάσαφ, επιτροπευόντων δε τών κτιτόρων αυτης Μακου, Χατζή Κώστη / καί Σιάμου. Κωνσταντίνος δέ καί Αθανάσιος Ζωγράφος ιστορησαν / αυτόν τώ 1720.

“Ky tempull i Burimit Jetëdhënës u ndërtua në vitin shpëtimtar 1707, në kohën kur ishte peshkop i gjithëhirshmi mitropolit i Korçës dhe i Selasforit Joasafi, në kohën e kujdestarisë së ktitorëve të saj Markut, Haxhi Kostës dhe Siamit. Piktorët Kostandini dhe Athanasi e kanë pikturuar atë në vitin 1720”.

Nga mbishkrimi mësojmë se për të ngritur këtë tempull ka punuar i gjithë populli i Varoshit.

Ktitorët e saj ishin Marko Vasili, Haxhi Koçi dhe Shamo, të cilët, përveç ndihmave financiare dhe materiale, janë përpjekur për të nxjerrë fermanin nga Stambolli.

KISHA “BURIMI JETËDHËNËS” & MITROPOLIA E KORÇËS

Mitropoliti Neofit pasi u mor vesh me tregtarët korçarë themeloi Arkën për arsimin, e cila quhej Llaso. Kryetar i Llasos ishte vetë Mitropoliti Neofit Gjirokastriti, i cili çdo vit në të kremten e Tre Hierarkëve lexonte emrat e dhuruesve. Më 12 nëntor 1876 u hartua rregullorja e Llasos, që përbëhej nga 12 nene dhe 5 kapituj. Sipas rregullores përmendeshin të gjithë dhuruesit, pavarësisht nga shuma që patën ofruar. Nga dhuruesit mund të kujtojmë Dhimitër Çikën, i cili ka ofruar 8.000 lira angleze, Vangjel Kriston me 3.000 lira, Kostandin Filipin me 1.600 lira, Jorgo Noskun me 5.000 lira franceze etj. Dhuruesi kryesor ka qenë Jovan Banga, i cili ka lindur në Korçë në vitin 1814.
Pranë kishës u ndërtua mitropolia në ditët e kryepriftit Neofit nga Gjirokastra më 15 korrik të vitit 1857. Sipas studiuesit Arben Gjata më 20 gusht të vitit 1894 Mitropolia e Korçës u dogj. Më pas ajo u rindërtua prej Thoma Adhamit në vitin 1896. Ky i fundit ishte tregtar me origjinë nga Vithkuqi. Ndërtesa e Mitropolisë vazhdoi të funksionojë deri në vitin 1967 kur u sekuestrua. Në vitet 1988-1989 ndërtesës iu bë një rikonstruksion, sepse përdorej si shkollë ku përgatiteshin kuadrot e Partisë së Punës. Ndërsa në vitet 1995-1996 Mitropolisë së Korçës iu bë rikonstruksion tërësor.

ju

IKONOSTASI DHE IKONAT
E KISHËS “BURIMI JETËDHËNËS

Gdhendës Dhimitër Koleci
Kisha “Burimi Jetëdhënës”, Korçë
Viti 1756

Në Kodikun e Mitropolisë së Korçës dhe Selasforit gjejmë emrin e Dhimitër Kolecit, i cili në vitin 1756 ka gdhendur me mjeshtëri ikonostasin e kishës “Burimi Jetëdhënës” në qytetin e Korçës. Dhimitër Koleci është nga fshati Mariani i Oparit. Ai ka guxuar të gdhendë ikonostasin e parë tip “rrokoko” në Shqipëri. Në gdhendjet e tij tregon forcën e daltës në lëvizjet helikoidale të gjetheve të lisit si dhe realizimin e përkryer të figurave njerëzore të shenjtorëve. Brezi i parë (poshtë) i ikonostasit përbëhet nga dhjetë pllaka druri të gdhendura me përmasa të barabarta. Dekoracioni i pllakave është pothuajse i njëllojtë dhe përbëhet nga ato floreale. Në realizimin e brezit të parë të ikonostasit mjeshër Dhimitër Koleci me shumë kujdes ka realizuar volume pothuajse simetrike brenda pllakave, duke krijuar kështu një plastikë delikate dhe elegante në qendrën e secilës pllakë, dekoracion i cili kontraston me fuqinë ekspresive me hije dritë të fuqishme grafike të ornamenteve dekoruese floreale që e rrethojnë secilën pllakë.
Ikonat Despotike (e mëdha) ndodhen në brendësi të kolonave vertikale që i rrethojnë ato nga të dy anët, ndërsa poshtë dhe lart ato rrethohen nga dy breza dekorativë të gdhendur me dekoracione kryesisht floreale. Ikonat (hapësirat e tyre në ikonostas) ndahen nga njëra tjetra nga kolona vertikale gjysmërrethore të gdhendura me reliev jo shumë të thellë me elementë florealë të stilizuar. Baza e çdo kolone fillon poshtë me një vazo (në formë shtambe), e cila shoqërohet anash me gjethe të stilizuara, prej grykës të së cilës dalin në pjesën e sipërme lule të çelura dhe degë akanthi, që janë të gdhendura me mjaft mjeshtëri dhe fantazi, duke krijuar volume me dritëhije të fuqishme. Dhjetë ikonat e mëdha të ikonostasit të kishës, por edhe ikonat e festave janë realizuar nga ikonografët Kostandin dhe Athanas Zografi. Nga ikonat e mëdha mund të përmendim: Krishti Pandokrator, Shën Mëria me Krishtin, Joan Pagëzori, Mbledhja e Kryeengjëjve etj. Në ikonën e madhe të Krishtit Pandokrator është shkruar: + Δέησις Αθανασίου ζωγράφου / καί ηπό χειρός αυτου ηστορίθει / είς 1752. “Lutje e Athanas Zografit. U pikturua prej dorës së tij më 1752”.
Dera e Bukur e ikonostasit përbëhet prej dy kanatesh dhe mbyllet në pjesën e sipërme të saj në formë të lehtë gjysmërrethore dhe konike. Ajo përbëhen nga dy pjesë: a. – Pjesa e sipërme e dekoruar me gdhendje mjeshtërore në formë tantelle të gjetheve të hardhisë dhe vilave të rrushit, figurave njerzore të ndërthurura me njera tjetrën dhe b. – Pjesa poshtme që përveç gdhëndjeve me motivet e pjesës së sipërme, ka të kompozuara dhe tetë skena të pikturura dhe të praruara. Në pjesën fundore të dy kanateve të dyerve janë gdhendur gjashtë skena vertikale simetrike të ndara me katër kolona me motive floreale, me kapitele dhe hark sipër. Në kanatën e majtë janë pikturuar tre Jerarkët e kishës: Grigor Teologu, Vasili i Madh dhe Joan Gojarti, ndërsa në kanatën e djathtë janë pikturuar Shën Jakovi, Shën Grigori dhe Shën Nikolla. Në qendër Derës së Bukur (në dy kanatet) janë gdhendur dy rozeta ovale, brenda së cilave është pikturuar skena e Ungjillëzimit. Të dyja këto skena ovale janë të shoqëruara lart dhe poshtë me nga katër figura njerzore të gdhendura në dru që paraqiten në lëvizje ekspresive anash rozetës.
Mbi Derën e Bukur të ikonostasit vërejmë të gdhendur një hark dekorativ me motive të dendura floreale (i gdhendur në reliev), që fillon nga të dy anët e kolonave shumë poshtë, pak më lart se brezi i dekoruar poshtë ikonave Despotike. Sipër harkut të gdhendur kalon një brez horizontal i gdhendur që kalon mbi të gjitha ikonat despotike. Brenda hapësirës së secilës prej këtyre skenave që kufizohen nga kolona vertikale, vërejmë se ai është dekoruar përveç motiveve floreale me lule të shumta të harlisura me njëra tjetrën, edhe me figura kafshësh ne profil, por edhe zogj krahë hapur të gdhendura lirshëm dhe dendur.
Brezi i tretë i ikonostasit përbëhet nga ikonat e festave të Krishtit, të cilat janë në madhësi të barabartë me përmasat 55 x 43 cm. Ato kornizohen anash me kolona gjysmërrethore me gdhendje të lehta floreale të stilizuara që përsëriten në mënyrë simetrike. Ikonat sipër kornizohen nga një hark të dekoruar thjeshtë, ndërsa anash ato ndahen nga njera tjetra nga kolonat që vazhdojnë deri lart, duke ndarë harqet nga njeri-tjetri. Mbi këto kolona janë vendosur imazhet e gdhendrura të pëllumbave me krahë hapur, trupi i të cilëve del mbi kornizën horizontale të brezit të dekoruar me lule të shumta. Në pjesën qëndrore të hapësirës së harkut, e cila paraqitet në një plan në poshtë se korniza gjysmëharku është gdhendur imazhi i një serafimi. Në ciklin e dymbëdhjetë festave të mëdha Kostandin Zografi ka pikturuar ikonat: Lindja e Krishtit, Darka mistike, Pendikostia, E diela e paralitikut, Kryqëzimi, Ngjallja e Llazarit, Hyrja në Jeruzalem, Analipsi, Fjetja e Hyjlindëses, Zbritja në ferr, Mesipendikostia, E diela e Thomait, Lindja e Shën Mërisë, E diela e gjithë shenjtorëve, Shën Mëria me skena etj.

Tirana, kryeqyteti mesdhetar i kulturës e dialogut, MEKI mbështetje për skenën e pavarur artistike

Viti 2025 premton plot aktivitete që do të nxisin krijimtarinë, promovimin e dialogut, ndërgjegjes qytetare e përqafimit të fuqisë transformuese…

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Një libër për poetin e pakohë…

“Mes jush Jetoj” është një libër jo i zakonshëm, në përmbajtje dhe në kohë.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Tirana, kryeqyteti mesdhetar i kulturës e dialogut, MEKI mbështetje për skenën e pavarur artistike

Viti 2025 premton plot aktivitete që do të nxisin krijimtarinë, promovimin e dialogut, ndërgjegjes qytetare e përqafimit të fuqisë transformuese…