Risitë për një zhvillim të qëndrueshëm të bujqësisë në Lituani dhe Shqipëri

ASHL dhe ASHSH e kanë prioritet zhvillimin bujqësor, duke përfshirë ndikimin teknologjik-shkencor


Një delegacion i Akademisë së Shkencave të Lituanisë ka vizituar sot, më 8 maj 2023, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

I kryesuar nga zv. Kryetari i ASH të Lituanisë, akad. Zenonas Dabkevičius, delegacioni u prit në Kryesinë e Akademisë së Shkencave nga Kryetari akad. Skënder Gjinushi, akad. Neki Frashëri, akad. Nazim Gruda, akad. Anila Hoda.

Akad. Skënder Gjinushi iu uroi mirëseardhjen duke shpresuar që në vijim takimet të jenë akoma më të frytshme për bashkëpunimin e Akademisë së Shkencave të Lituanisë me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe sidomos të bashkëpunohet për përvojat pozitive në zhvillimin e shkencave.

Akad. Skënder Gjinushi prezantoi historikun e e Akademisë së Shkencave dhe përmendi disa veçori të përbashkëta të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që lidhen me historinë e zhvillimit të Akademisë së Shkencave të Lituanisë.

Ngjashmëri midis dy akademive ka si në pikëpamje të rregullimit ligjor, ashtu edhe në strukturë. Të dyja janë akademi të shkencave kombëtare (albanistikë dhe lituanistikë), plus shkencat e sakta. Të dyja janë ideuar herët dhe themeluar relativisht vonë. Të dyja u takojnë popujve relativisht të vegjël.
Akad. Skënder Gjinushi përmendi disa nga përvojat më të mira të punës që po bëhet në Akademinë e Shkencave, ku theksoi ngritjen e qendrave kërkimore, që do të vijojë me synimin dhe ambicien për të krijuar institute kërkimore.

ASHL dhe ASHSH e kanë prioritet zhvillimin bujqësor, duke përfshirë ndikimin teknologjik-shkencor në dy drejtime: rritjen e rendimenteve dhe ruajtjen e informacionit gjenetik për bimësinë vendëse. Jemi të interesuar të njohim përvojën tuaj për mbështetjen e këtij prioriteti me investime shtetërore, nga Banka Kombëtare dhe fondacione të ndryshme për shkencat bujqësore, duke përfshirë studimet në serra, sensorë e bioteknologji. Shkencëtarët tuaj pjesëmarrës në simpoziume dhe kongrese gëzojnë një reputacion të shkëlqyer.

Sot do të organizojmë një simpozium të përbashkët në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm në bujqësi në dy vendet tona. Por, ne jemi të interesuar për shkëmbim njohurish në funksion të ngritjes së kapaciteteve dhe të cilësisë së kërkimit, që do të jetë me përfitim të ndërsjellët për dy akademitë tona. Forumi shkencor i sotëm është një provë gjenerale për bashkëpunim të mëtejshëm jo vetëm në fushën e bujqësisë. Dhe jo vetëm për dy akademitë, por edhe për sistemet e kërkimit në të dy vendet, prandaj kemi parashikuar takime dhe vizita edhe në institucione universitare dhe laboratorë, në Universitetin Bujqësor dhe në Universitetin e Tiranës.

Një fushë specifike bashkëpunimi në vijim, brenda bujqësisë, biologjisë, është ajo e përdorimit të sistemeve remote sensing (me satelitë dhe dronë) për vlerësimin e situatave të bimësisë (natyrore e të zhvilluar, bimësia, pyjet, bregdeti, të mbjellat).

Përmirësimi gjenetik i bimësisë mjekësore dhe aromatike, serrat, shartimet e perimeve, ndikimet e teknologjisë në rritjen e rendimenteve dhe njëherësh edhe për ruajtjen e kodit gjenetik siç është trashëguar në ekosistemet paraindustriale, janë mundësi ndërveprimi midis ekspertëve tanë.
Edhe shkencat shoqërore e humanitare kanë mundësi për nisma të përbashkëta.

Lituania dhe Shqipëria kanë një korpus trashëgimie të mitologjisë që prej shtresave para-indoeuropiane deri në Mesjetë. Eposi heroik lituanez është shumështresor si ai shqiptar. Studiuesit tanë kanë shfaqur interes për mitologjitë e popujve të Balltikut. Kalevala finlandeze është përkthyer shqip. Kalevelis e të popullit lituanez, mite qendrore lituaneze, janë bërë të njohura në Ballkan qysh në shekullin XIII. Studimet antropologjike për këtë fushë janë të mirëpritura dhe kemi të dy palët specialistë.

Gjuha shqipe, në lidhjet e saj të afërsisë, degën e gjuhëve balltike e ka shumë të afërt, thuajse me të njëjtën afërsi si gjuhët kelte. Madje shumë shpesh thuhet se shqipja dhe gjuhët balto-kelte janë shumë më të afërta se gjuhë të tjera me largësi gjeografike më të vogël. Edhe albanologët e huaj shumë herë u janë drejtuar ngjashmërive midis eposit lituanez e gjuhës lituane me mitet shqiptare dhe gjuhën shqipe. Një ndër ta është albanologu i mirënjohur italian Carlo Tagliavini.

Kemi edhe një pjesë të përbashkët në historinë bashkëkohore, historinë e qëndrimeve kritike ndaj kampit të ish-komunizmit. Ne u ndamë më shpejt, sepse ishim më larg tentakulave të BS, por edhe ju u ndatë sapo ndryshuan rrethanat dhe u ndatë me qytetari. Na intereson të bashkëpunojmë për ta ndriçuar këtë pjesë të raporteve tona thuajse të njëllojta ndaj diktateve të të mëdhenjve.

Nga kjo pikëpamje, nëpërmjet bashkëpunimit me akademinë tuaj, ne besojmë se mund të krijojmë lidhje me të gjitha akademitë e Balltikut: të Letonisë dhe Estonisë më së pari (me studiuesit finlandezë diçka kemi trashëguar: vjet i kishim në Kongresin e Baladave, vitin e ardhshëm do të kemi përfaqësuesit tanë atje), për të cilat besojmë se ju mund të na lehtësoni lidhjet edhe si një qendër rajonale bashkëpunimi.

Ne jemi të gatshëm të propozojmë një marrëveshje bashkëpunimi, që rregullon kuadrin e përgjithshëm, pastaj mund ta konkretizojmë me projekte dhe me protokolle, duke specifikuar detyrimet e ndërsjellta.
Për ne do të ishte e dëshiruar që një takim i dytë të zhvillohej në vendin tuaj këtë vjeshtë, duke shkëmbyer më parë mendimet tona për një marrëveshje bashkëpunimi, nëse edhe për ju është me interes. Shpresojmë që vizita juaj në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë të jetë e frytshme dhe të kontribuojë ndjeshëm në forcimin e bashkëpunimit shkencor midis dy akademive tona.
Edhe një herë ju mirëpresim në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe ju dëshirojmë qëndrim të këndshëm.

Akad. Zenonas Dabkevičius prezantoi historikun e Akademisë së Shkencave të Lituanisë,
Akademia e Shkencave e Lituanisë (ASHL) është ideuar për herë të parë në fund të shekullit XVIII dhe është themeluar në vitin 1941.

ASHL Funksionon mbi bazën e ligjit për kërkimin shkencor dhe arsimin e lartë (1991). Statuti i saj (Charter) është miratuar nga Parlamenti. Mund të ketë jo më shumë se 100 anëtarë nën 75 vjeç dhe nuk ka kufij për akademikët emeritus mbi 75 vjeç. Është anëtare e ALLEA-s, e IPA-s IAP.

Akad. Zenonas Dabkevičius përmendi përvojat më të mira, në fushën e bujqërisë dhe mjekësisë dhe përvojën e nxitjes dhe motivimit të ë rinjve në rrogën drejt kërkimit shkencor.

Akademia e Shkencave të Lituanisë jep 15 çmime dhe çmime përkujtimore, inkurajon shkencëtarët e rinj dhe studentët të angazhohen në kërkime duke dhënë çdo vit 10 çmime për shkencëtarët e rinj dhe 15 çmime për studentët.

Kontakti i parë i ASHSH me ASHL u vendos më 6 tetor 2022, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Akademive Europiane të Shkencave Bujqësore në Sllovaki, ku ishte përfaqësues akad. Nazim Gruda, në takimin me zv kryetari e ASHL akad. Zenonas Dabkevičius.

U mbajt sot më 8 maj 2023 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës forumi shkencor “Risitë për një zhvillim të qëndrueshëm të bujqësisë në Lituani dhe Shqipëri”.

Forumi u moderua nga akad.Nazim Gruda, Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Prof. asoc. Erinda Lika, Universiteti Bujqësor i Tiranës, mbajti kumtesën për rolin e Universitetit Bujqësor të Tiranës (AUT) në zbatimin e politikave bujqësore nëpërmjet inovacionit dhe transferimit të njohurive.

Akad. Zenonas Dabkevičius, nënkryetar i Akademisë së Shkencave të Lituanisë (LAS) mbajti kumtesën për sistemin e shkencës dhe arsimit bujqësor – tendencat e reja në transferimin e njohurive shkencore te fermerët.

Akad. Vidmantas Stanys, LAS, mbajti kumtesën për rëndësinë e mbarështimit të bimëve dhe zhvillimi e hortikulturës në Lituani.

Akad. Anila Hoda mbajti kumtesën për mbarështimin dhe ruajtjen e burimeve gjenetike të kafshëve.

Dr. Najada Kadiasi, AUT, mbajti kumtesën për vlerësimin e ndryshueshmërisë së vajrave esencialë të disa pjesëve të Origanum vulgare dhe potencialin e tyre në programet e mbarështimit të bimëve.

Akad. Giedrė Samuolienė, LAS, mbajti kumtesën për perimet dhe tendencat e reja në teknologjitë e serrave.

Prof. dr. Astrit Balliu, AUT, foli për shartimin si mjet për të lehtësuar streset mjedisore në prodhimin e perimeve.

Në fund, akad.Neki Frasheri, Kryetar i Seksionit të Shkencave të Natyrës dhe Teknike nxori përfundimet e prezantimeve për zgjerimin e njohurive dhe tendencave të transferimit të tyre në praktikë.

Pas përfundimit të forumit, prof. Andrea Shundit iu dha medalja “Nderi i Akademisë” nga Kryetari i ASH, akad. Skënder Gjinushi.

Bashkëpunimi në nivel vendor me Kosovën, Mazniku pret ambasadorin Durmishi

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbian Maznku, pret ambasadorin e Kosovës, Skënder Durmishi.

Global 360

Qeveria Mitsotakis i mbijeton mocionit të mosbesimit

Nga 300 të pranishmit në sallë votuan pro vetëm 141 ligjvënës, numër i pamjaftueshëm për të rrëzuar qeverinë.

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

NATO shpëtoi Kosovën nga spastrimi etnik i forcave serbe!

Ish-Ministri i Jashtëm: 24 Marsi i vitit 1999 mbetet i pashlyer në memorien e kombit tonë!

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Bashkëpunimi në nivel vendor me Kosovën, Mazniku pret ambasadorin Durmishi

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbian Maznku, pret ambasadorin e Kosovës, Skënder Durmishi.