Gonxhja: Shqipëria, progres në CEFTA dhe tregun e përbashkët rajonal
Ministri i MEKI mori pjesë në konferencën e ministrave te ekonomisë të WB6, të ftuar nga Ministria Federale Gjermane për Ekonominë, Tregtinë dhe Klimën.
“Ballkani Perëndimor, si një rajon ekonomik në rrugën drejt Bashkimit Evropian” ishte tema e konferencës së sotme ku morën pjesë ministrat e ekonomisë të vendeve të WB6, të ftuar nga Ministria Federale Gjermane për Ekonominë, Tregtinë dhe Klimën.
Ndër të pranishmit ishin gjithashtu ministra të ekonomisë të disa vendeve të BE-së, përfaqësues të Komisionit Evropian (DG NEAR), OECD, Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë, Dhoma e Investimeve të WB6 (CIF), Dhomës Shqiptare e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe përfaqësues të shumtë të sektorit privat.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja nënvizoi arritjet e Shqipërisë në kuadër të Marrëveshjes CEFTA dhe Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal. Sipas tij, vendi ka bërë përparime të rëndësishme në lehtësimin e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, si dhe në lëvizjen e lirë të punonjësve, çka ka sjellë një rritje të dukshme të volumit tregtar dhe ka forcuar bashkëpunimin institucional rajonal.
Gonxhja evidentoi ecurinë e mirë të Shqipërisë në këtë rrugëtim, duke identifikuar gjithashtu tri sfida kryesore të përbashkëta për vendet e Ballkanit Perëndimor, që kërkojnë mbështetjen e vazhdueshme të BE-së: zhvillimi i infrastrukturës moderne; harmonizimi i legjislacionit me standardet e BE-së; integrimi ekonomik dhe tregtar për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese.
Seanca Plenare: Plani i veprimit dhe investimet
Pas konferencës u mbajt një seancë plenare me ministrat përgjegjës për ekonominë e vendeve të WB6, nën drejtimin e Ministrisë Federale Gjermane për Ekonominë, Tregtinë dhe Klimën. Kjo seancë u përqendrua në Planin e Veprimit të Përbashkët dhe tërheqjen e investimeve, si një motor kyç për zhvillimin rajonal.
Gonxhja vuri në dukje sfida të rëndësishme, si heqja e barrierave teknike, fiskale dhe fizike, optimizimi i sistemit doganor dhe harmonizimi legjislativ, që janë prioritet për të përmirësuar tregtinë në rajon dhe me BE-në. Përmirësimi i infrastrukturës dhe dixhitalizimit janë gjithashtu thelbësore për ndërtimin e një ekonomie konkurruese.
Lidhur me investimet, momenti aktual shihet si një mundësi unike për vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke përafruar politikat dhe standardet me ato të BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, vendet e rajonit mund të hapin dyert për investime kapitale dhe të krijojnë një treg më të madh e më të favorshëm për investitorët, si vendas ashtu edhe të huaj.
Në përfundim të takimeve, u theksua se udhëtimi drejt integrimit evropian është një sfidë komplekse që kërkon mbështetje politike, përkushtim të vazhdueshëm dhe angazhim të të gjithë aktorëve — nga qeveritë, te bizneset dhe shoqëria civile. Suksesi i këtij udhëtimi varet nga bashkëpunimi rajonal dhe vizioni i përbashkët për një prosperitet të përbashkët.
Procesi i Berlinit, pavarësisht vështirësive, synon të sjellë përfitime të qëndrueshme për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i afruar gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian.
(ATSH)