Trajneri Silvinjo & Keidi Bare: Ëndërr e bërë realitet, tani duam vendin e parë


Shqipëria do të luajë nesër ndeshjen e fundit në këtë edicion kualifikues ndaj Ishujve Faroe. Trajneri Silvinjo dhe Keidi Bare dolën ditën e sotme përpara mediave në konferencën zyrtare. Tekniku Brazilian dhe mesfushori falenderuar shqiptarët për mbështetjen e madhe dhe thanë se është një ëndërr e bërë realitet kualifikimi në finalet e Europianit “Gjermani 2024”.

Trajneri Silvinjo u shpreh se ka mbetur edhe një objektiv tjetër për t’u arritur, vendi i parë në Grupin E. Tekniku i Kombëtares shqiptare deklaroi se ditën e nesërme do të ketë disa ndryshime në formacion, por synimi mbetet vetëm fitorja.

Pse kaq i përqëndruar edhe tani që jemi kualifikuar? – Vijmë në këtë sfidë në kushte shumë të mira. Dua të falënderoj të gjithë shqiptarët dhe tifozët që na kanë mbështetur dhe kemi arritur këtu. Është një ëndërr shumë e bukur. Arritëm kualifikimin në Moldavi, festuam atje me tifozët. Tani që jemi kthyer këtu mendojmë vetëm për ndeshjen me Ishujt Faroe sepse është një ndeshje e vështirë, me lojtarë të gjatë, që janë të aftë në luftën në ajër dhe mbrohen shumë mirë. Objektivi ynë i dytë është të arrijmë vendin e parë në grup pasi do të ishte bukur që ne në short të kishim një pozicion tjetër në shortin që do të hidhet në dhjetor. Duhet të bëjmë një paraqitje sa më të mirë dhe ta mbyllim sa më mirë këtë edicion.

Moldavia? – Në aspektin psikologjik ishte një ndeshje shumë e vështirë për t’u menaxhuar për lojtarët, duke parë rëndësinë e ndeshjes me Moldavinë. Ka qenë pak e vështirë të flinim të qetë përpara asaj sfide, por lojtarët e menaxhuan shumë mirë anën psikologjike dhe pjesën e ankthit. E morën lojën shumë mirë. 10 minutat e fundit ishin shumë të vështira. Unë në fjalorin tim nuk e njoh fare fjalën ‘relaks’. Nesër është një ndeshje e vështirë, kemi afërsisht 22 mijë tifozë të cilët do të vijnë të shohin këtë skuadër. Duan të shohin spektakël. I kemi fituar të treja ndeshjet në shtëpi falë mbështetjes së tifozëve. Ndërsa sa i përket Moldavisë, jemi të vetmit që i kemi mundur. Duam të shohim edhe gjendjen e skuadrës sonte dhe më pas te krijojmë një ide më të qartë për nesër.

Formacioni i skuadrës nesër– Patjetër që do të ketë ndonjë ndryshim, siç ka ndodhur në ndeshjet e fundit. Tifozët janë përgatitur për festë, por ne kemi një ndeshje për të luajtur dhe jemi të fokusuar. Është e vështirë të menaxhosh lojtarët në kaq pak ditë, të fusësh të njëjtën skuadër në fushë, të përdorësh të njëjtët lojtarë. Kemi vetëm një përgatitje të lehtë sot, për të përgatitur ndeshjen nesër dhe lojtarët nuk kanë shumë kohë për t’u rikuperuar. Është e vështirë të zhvillosh dy ndeshje në tre ditë dhe patjetër që do të ketë ndryshime.

Lojtarët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në finalet e Europianit – Duket sikur ka shumë kohë, por nuk ka. Vetëm sot e nesër do të jemi me lojtarët dhe pastaj ‘ndahemi’ për t’u ribashkuar në muajin mars dhe sigurisht që gjatë kësaj periudhe do t’i vizitojmë lojtarët në klubet e tyre në muajt e ardhshëm. Do të takohemi sepse kjo është pjesë e punës tonë. Por jo vetëm këta lojtarë, por edhe futbollistë të tjerë, pasi kemi rreth 50 të tillë që po i monitorojmë. Por, përpara kësaj, nesër kemi një finale për t’u luajtur, që mund të na çojë në vendin e parë në grup dhe që do të ishte një arritje shumë e madhe. Më pas do të mendojmë për këtë. Ka shumë lojtarë, jo vetëm Broja e Kumbulla, por edhe shumë lojtarë të tjerë që mund të jenë të vlefshëm që ne i kemi monitoruar vazhdimisht. Është gjë e mirë për trajnerin kur ka shumë zgjedhje dhe lojtarë të mirë, ashtu sikurse është e vështirë sepse duhen bërë zgjedhje. Por kjo është pjesë e punës tonë.

Nuk shqetësohem për të evituar ndonjë kundërshtar, nuk mendoj që duhet të arrijmë vendin e parë në grup për të qenë në vazon e parë të shortit. Ne arritëm kualifikimin kur na mbetet edhe një ndeshje për t’u luajtur dhe kjo është diçka fantastike. Kemi 7 ndeshje që nuk jemi mundur, jemi mbrojtja e katërt më e mirë në këtë edicion, kemi pësuar më pak gola. Të gjitha këto janë të rëndësishme dhe nuk mendoj shumë për rivalët që mund të kemi në short.

A do të jetë ky grupi i Europianit?– Nuk dihet se ç’mund të ndodhë në 6 muaj. Kemi shumë gjëra për të vlerësuar. Ne kemi bërë një rrugëtim shumë të rëndësishëm me këtë grup lojtarësh deri tani. Kemi bërë një punë fantastike. Puna e trajnerit është e vështirë sepse duhet të zgjedhë dhe mund të ketë edhe dëmtime e mungesa vazhdimisht dhe është i detyruar që të ndryshojë. Këta lojtarë e meritojnë dhe mund të themi se 70% janë këta pjesë e grupit që e meritojnë të jenë me ne në Europian.

Ku duhet të përmirësohet më shumë kjo Kombëtare?– Ka shumë për të përmirësuar dhe do të punojmë shumë në këtë drejtim. Por, ne gjithmonë kërkojmë të përmirësohemi. Është një punë e vazhdueshme. Në Kombëtare, një trajner nuk ka shumë kohë të rrijë me lojtarët siç është në një klub. Nesër kemi një ndeshje të rëndësishme për të luajtur dhe ne do të punojmë vazhdimisht që të përmirësohemi në çdo drejtim. Urimi më i veçantë që kam marrë është nga populli dhe shqiptarët që kam takuar, janë shumë të lumtur. Jam i kënaqur për këtë fakt sepse ne luajmë për tifozët.

‘Çështja’ Broja – E kam parë postimin që ka bërë futbollisti dhe u ndjeva shumë mirë. Kam dëgjuar që flitet herë pas here për Brojën, sikur ai nuk ka pasur dëshirë. Ju siguroj që janë gjëra që nuk ekzistojnë dhe nuk ka pasur asgjë të vërtetë në këto që shkruhen. E respektoj shumë si lojtar, por ne duhet të respektojmë edhe shëndetin e tij që vjen i pari. Herën e fundit kur ai erdhi me Kombëtaren, Broja u stërvit shumë pak dhe u detyrova që në konferencën për media para Çekisë të deklaroja që ai nuk ishte në gjendje të mirë fizike. Broja ka luajtur shumë pak dhe ka nevojë të rikuperohet dhe të kthehet në formë sa më shpejt. Është një lojtar shumë i mirë, por duhet të jemi të kujdesshëm sepse kthehet nga një dëmtim shumë i rëndë dhe duhet që të luajë me Chelsea-n dhe të rikuperohet. E mirëpresim kur të jetë në formë.

Nënshtetësi shqiptare? – Me zemër jam një shqiptar. Rrugëtimi i Kombëtares shqiptare ka qenë fantastik dhe tani ia dolëm që të jemi sërish në finalet e Europianit. Është një ëndërr e madhe që realizohet dhe një nder për mua dhe ndihem mirë që punoj këtu.

Keidi Bare deklaroi se është një ëndërr e bërë realitet kualifikimi në finalet e Europianit “Gjermani 2024”. Përsa i përket sfidës me Ishujt Faroe, ai tha se synimi është vetëm fitorja për ta mbyllur të parët në Grupin E.

Kujt ia dedikoni këtë sukses dhe sa kanë ndikuar dëmtimet në formën tuaj? – Është një arritje shumë e madhe, për ne është një ëndërr e bërë realitet, por mbi të gjitha nuk duhet të ndalemi vetëm këtu, pasi kemi edhe gjëra të tjera. Që në fillim kur kemi folur me trajnerin në Barcelonë më ka motivuar shumë dhe na ka dhënë shumë besim si ekip dhe si grup. Çdo gjë ka ndryshuar dhe ka ndryshuar për mirë, duke nisur nga Federata ka bërë një punë shumë të mirë. Ne tani kemi një fushë ku të stërvitemi, kemi palestrën tonë, ndihemi dhe jemi shumë komod dhe kjo është falë tyre dhe duhet t’i falenderojmë pasi këto kushte për ne janë diçka shumë e mirë. Dëmtimet i kam kaluar dhe me thënë të drejtën më kanë lënë pak mbrapa, por do të vazhdoj të punoj fort për të arritur atje ku isha dhe mbi të gjtha për të ndihmuar ekipin.

A po e besoni vërtetë atë që keni bërë? – “Unë e kam ëndërruar shumë këtë arritje që kur isha i vogël, por jo vetëm unë i gjithë ekipi Kombëtar, pasi është diçka unike për ne, për popullin tonë. Ia kemi dalë me sukses, me besim dhe me punë, por mbi të gjtha me mbështetjen e tifozëve. Edhe kur kemi luajtur jashtë vendit, ata kanë qenë prezent dhe për ne janë si një lojtar i 12-të.

Sa mundësi ka që Shqipëria të bëjë diçka më shumë në Europian dhe jo të kënaqet vetëm me pjesëmarrjen? – Nuk ka mbaruar asgjë, ky është vetëm fillimi për ne dhe nuk duhet të ndalojmë këtu ku jemi, pasi e kemi kaluar fazën e kualifikimit dhe duhet të mendojmë për më lartë. Na pret një ndeshje të hënën, që është e rëndësishme, pasi duam të qëndrojmë në krye të grupit. Shpresojë që edhe në të ardhmen ti bëjmë gjërat kaq mirë sa tani.

Ndryshimi me trajnerin Silvinjo ? – Tani kemi një grup shumë të mirë, trajneri dhe stafi teknik na kanë ndihmuar jashtëzakonisht për të bërë një grup shumë të fortë dhe solid si jashtë dhe brenda fushe, që të jemi një. Futbolli është sport kolektiv dhe trajneri ka futur frymën e grupit dhe ne ia kemi dalë pasi rezultatet janë në favorin tonë.

Dikush duhet të mbesë jashtë grupit dhe kjo është pjesa më e vështirë? – Kjo është diçka e vështirë, sepse të gjithë lojtarët që trajneri ka grumbulluar janë shumë të mirë dhe e meritojnë të jenë, por kjo pjesë i takon trajnerit dhe jo mua.

A keni pasur kohë për festë apo keni menduar për ndeshjen e radhës? – Festë ishte ajo që bëmë me tifozët tanë në Moldavi dhe tani jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e radhës. Nuk është e thjeshtë, pasi ata dinë të mbrohen shumë mirë dhe janë shtatlartë. Synimi jonë është vetëm të fitojmë ndeshjen dhe ta mbyllim sa më mirë këtë edicion kualifikues.

Cili është kundërshtari i preferuar në Europianin e Gjermanisë? – Nuk kam asnjë kundërshtar të preferuar. Duhet të mendojmë dhe të shikojmë vetëm veten tonë, pastaj nuk ka rëndësi kë do të kemi kundërshtarë.

Lexo më shumë nga

“Daily Mail”: Mirë se vini në Rivierën Shqiptare – destinacioni i ri i pushimeve me plazhe të pacënuara

Joe Kessel shkruan në të përditshmen britanike “Daily Mail”.

Global 360

CNN zbulon prapaskenën e tërheqjes së Biden

Vendimi përfundimtar i Presidentit Joe Biden për t’u larguar nga gara u mor në 48 orët e fundit

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Lamtumirë mjeshtër!

Tani më shumë se kurrë ka zënë vendin e tij në panteonin e letrave botërore.

Profil

Një emër i njohur i elitës intelektuale dhe politike të çerekshekullit të fundit

75-vjetori I lindjes -- Rrugëtimi i Z. Koçi Tahiri nga galeritë e Bulqizës në sallën e legjislativit shqiptar (2017-2021)

Masmedia

“Daily Mail”: Mirë se vini në Rivierën Shqiptare – destinacioni i ri i pushimeve me plazhe të pacënuara

Joe Kessel shkruan në të përditshmen britanike “Daily Mail”.