Paraqitje panoramike dhe kronologjike të ndihmesave të Jakov Xoxës për çështje të teorisë së letërsisë

Në veprimtarinë krijuese-mendore të Jakov Xoxës pjesa studimore e saj është më pak e njohura


Nga Akad. Shaban Sinani

Në veprimtarinë krijuese-mendore të Jakov Xoxës pjesa studimore e saj është më pak e njohura. E shkruar ndër vite në formën e teksteve shkollore, të leksioneve dhe botimeve universitare, përgjatë një dekade e gjysmë, ajo nuk u përfshi as në botimin e veprës së plotë të tij në Prishtinë (në tetë vëllime, 1971-1984), as në botimin e plotë të Tiranës (në gjashtë vëllime, 1983).

Arsye për t’u përfshirë në këtë vepër, siç qenë përfshirë esetë dhe publicistika në veprën e plotë letrare të I. Kadaresë e D. Agollit, kishte. Së paku dy prej titujve me karakter studimor të veprës së tij: Hyrje në shkencën e letërsisë dhe Bazat e teorisë së letërsisë, ishin botuar e ribotuar nga universitete dhe ente të tjera botuese me emër, veç qarkullimit në gjithë hapësirën historike shqiptare, në Kosovë e Maqedoni.

Një shkak joletrar për të mbetur jashtë botimeve të veprës së plotë mund të ketë lidhje me faktin që Jakov Xoxa, në ndonjë rast, në tekstet shkollore e universitare me modesti nuk e shenjonte emrin e tij në ballinën e librit si autor. Sa i takon vlerës shkencore dhe dobisë në përdorim, këto janë vënë në dukje me kohë si të padyshimta. Në vitin 1979, në shkrimet in honorem kushtuar atij, cilësohej si profesor i përgatitur, që linte gjurmë me mënyrën sesi i konceptonte letërsinë e traditën dhe me përgatitjen teorike të jashtëzakonshme (Rexhep Ismajli, Takime me Jakovin, në Fjala, Prishtinë 15 mars 1979, f. 3).

Edhe në ato të rralla raste që vepra studimore e Jakov Xoxës është këshilluar në studime të vonshme është vlerësuar si një nga veprat e para dhe më serioze të kohës në këtë fushë, ndërsa autorit i është njohur merita që ofronte dije dhe përvojë teorike letrare të gjerë, të cilat dilnin edhe jashtë kornizave të teorive zyrtare të kohës; që qe intelektuali i parë që propozoi ndarjen më vete të kritikës letrare dhe organizoi diskutime për çështje të stilistikës dhe metrikës (Griselda Doko, “Lumi i vdekur” di Jakov Xoxa: romanzo di un’identità ritrovata, Università della Calabria, p. 59).
Pikërisht dy prej veprave më të rëndësishme studimore të tij, Hyrje në shkencën e letërsisë dhe Bazat e teorisë së letërsisë, botime universitare në Tiranë e në Prishtinë, që u shërbyen disa brezave për formim shkencor përgjatë më shumë se dy dekadave, janë kthyer në rrallësi librore dhe tani është shansi i fundmë për t’i shpëtuar përmes botimesh fototipike dhe për t’i rishtënë në qarkullim shkencor.
Me këtë mund të shpjegohet pse në ndonjë rast, këshilluar në studime siç ka qenë e mundur të gjenden, në formën e leksioneve të shaptilografuara apo të dispensave, është supozuar se kjo vepër e rëndësishme për shkencën letrare shqiptare, që dilte jashtë kornizave të teorive zyrtare të kohës – Bazat e teorisë së letërsisë – nuk u botua kurrë, për shkak se kritika zyrtare nuk ishte e kënaqur me bindjet e tij, me vizionin përmes të cilit Jakov Xoxa e shihte dhe e projektonte artin në përgjithësi (Flori Bruqi, Diademë letrare – kritikë, gjuhësi, pikëpamje, poezi, II, Tiranë 2014, f. 217); për të shkuar më tej, me pohime të tilla si: veprat e tij nuk i lejoi shteti shqiptar të botohen, kështu që i botoi “Rilindja” më 1971 (“Gjuhë dhe letërsi shqipe”, tekst mësimor për klasën XII të shkollës së mesme, Prishtinë).

Ishte e nevojshme të rindërtohej një histori gjenetike e tekstit universitar :Hyrje në shkencën e letërsisë” prej fillimeve, në formën e leksioneve dhe dispensave të shaptilografuara, deri tek miratimi në mënyrë të pavarur nga këshillat shkencorë të dy universiteteve, në Tiranë e në Prishtinë (përveç një botimi në Tetovë nga shtëpia botuese maqedonase Napredak), sepse në kohën e ndërmjetme, përgjatë një dekade e ca, rezultojnë disa botime të tjera, në të cilat shprehet evolucioni i mendimit teorik-letrar të Jakov Xoxës për ligjësitë e brendshme të zhvillimit të letërsisë; për metodat dhe drejtimet kryesore të saj; për rendin e shfaqjes në historinë e letërsisë botërore dhe në atë kombëtare; për parimet krijuese (duke përfshirë ato të realizmit socialist); për prozodinë dhe metrikën; për stilistikën dhe pragmatikën, për gjinitë dhe llojet letrare; për figurën dhe figuracionin.

Një histori gjenetike e rrugës së realizimit të dy veprave më të rëndësishme të Jakov Xoxës për teorinë dhe shkencën e letërsisë do të kërkonte edhe këshillimin e krahasimin e teksteve shkollore për gjimnazet dhe shkollat profesionale, që ai i përgatiti vetë dhe me bashkautorë, por kjo detyrë mbetet për t’u zgjidhur në një të ardhme, kur të jetë e mundur të gjenden këto tekste, gjithnjë e më e vështirë për t’u besuar e realizuar.

Jakov Xoxa u zgjodh të mbante lëndën e teorisë së letërsisë në vitin 1957 qysh në ditën e themelimit të Universitetit të Tiranës. Deri para se të fillonte këtë detyrë ai kishte shkruar e botuar mbi 20 shkrime për letërsinë dhe po aq e më shumë është numri i artikujve kritikë e studimorë të shkruar e botuar prej tij ndërmjet viteve 1957-1972.

Kursin e lëndës së teorisë së letërsisë e hartoi dhe e vuri në dispozicion të studentëve brenda pesë vjetëve. Në vitin 1962 botoi për herë të parë tekstin “Hyrje në shkencën e letërsisë”, që mban si ent botues Universitetin Shtetëror të Tiranës. Për nevoja të mësimdhënies ky tekst u ribotua edhe dy herë radhazi, me plotësime, po nga USHT, në vitin 1967 e më 1969 (ky i fundmi me 259 faqe). Ndërkohë qenë botuar më vete, në formën e një triptiku, tri dispensa të kësaj lënde: Hyrje në letërsi, Teoria e letërsisë dhe Metrika (260 f.), në përputhje me strukturën programore të specialitetit gjuhë dhe letërsi shqipe. Më 1965 botoi tekstin Teoria e letërsisë dhe stilistika (kurs teorik dhe praktik), i cilësuar tekst akademik.

Nga kërkimet tona ky botim a parte nuk rezultoi i ruajtur në asnjë nga bibliotekat universitare ku pritej të gjendej, por është e mundur të jetë ruajtur prej studentëve të atyre viteve në bibliotekat e tyre vetjake. Edhe dy titujt që janë ruajtur teknikisht janë kopje për arkiv, nuk dalin nga fondi ku ruhen dhe mund të rihyjnë në qarkullim vetëm përmes botimeve fototipike. I njëjti problem del edhe për tekstin universitar të stabilizuar në vitet 1960 me titullin Teoria e letërsisë e nëntitull Stilistika (kurs teorik e praktik).

Në Prishtinë teksti Hyrje në shkencën e letërsisë njohu disa botime të njëpasnjëshme, me të njëjtin titull, prej vitit 1970 deri më 1976, që shenjon botimin e fundmë. Botimi i parë doli paralelisht nga Universiteti i Prishtinës dhe nga Enti i teksteve dhe mjeteve mësimore të Krahinës.

Me shumë gjasë edhe dy dorëshkrime me titullin Hyrje në teorinë e letërsisë (leksione), që ruhen në arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë (i pari 115 fletë të daktilografuara dhe i dyti 147 fletë të daktilografuara), i takojnë trashëgimit historiko-letrar të Jakov Xoxës.

Në botimin e fundmë, Hyrja në shkencën e letërsisë (në Tiranë më 1969, në Prishtinë më 1970 dhe në Tetovë po atë vit), ngjalli polemika e mospajtime. Autori i saj u qortua nga sistemi i kohës, dhe ai, pa bujë dhe zhurmë, ashtu siç ishte gjatë tërë jetës, i qetë dhe i mbyllur në vete, u tërhoq në vetmi të plotë (Griselda Doko, po aty). Kishte rënë në sy që shumica e ilustrimeve për figuracionin në letërsi Jakov Xoxa i zgjidhte nga letërsia e traditës. Ndërkohë, në vështrimin e studiuesve shqiptarë në Kosovë rregullisht cilësohej shkrimtar realist dhe realist i kulluar, pa cilësime ideologjike (I. Rugova, Realist i kulluar i realizmit të madh, në Fjala, Prishtinë, nr. 6, 15 mars 1979, f. 7). Nuk është e rastit që ftohja zyrtare me Jakov Xoxën ndodhi menjëherë pas shpalljes së reformës së vitit 1968 për arsimin, që theksoi ideologjizimin e programeve dhe teksteve shkollore dhe universitare dhe përshkimin e tyre nga filli i kuq marksist-leninist. Mendimi teorik-letrar i Jakov Xoxës, ashtu si vepra e tij realiste, dilte jashtë formulimeve teorike, jashtë kanonizmave, jashtë kufizimeve të tepruara, duke mbetur dëshmi se vepra të mëdha mund të krijohen edhe pa u mbytur në ujërat e novatorizmit me çdo kusht (Mehmet Kraja, Jakov Xoxa – in memoriam, në Rilindja, Prishtinë, 3 mars 1979, f. 14).

Për problemin e raporteve tejet të ndërlikuara të veprës së Jakov Xoxës në lidhje me tipiken dhe atipiken, sidomos për sa i takon romanit Lumi i vdekur, kemi pasur rast të shprehim disa mendime modeste në artikullin Mendime mbi tipiken në romanet e J. Xoxës, botuar më 1981 në gazetën Studenti (22 maj, f. 5-7), duke përfshirë edhe pyetjen nëse përkufizimi marksist për kushtëzimin midis karaktereve dhe rrethanave, sipas formulimit në letrën e njohur të Friedrich Englesit drejtuar shkrimtares Margaret Harkness: realism, to my mind, implies, besides truth of detail, the truthful reproduction of typical characters under typical circumstances, kishte në thelb kuptimin e vendosjes së karaktereve në rrethana tipike apo nën rrethana tipike, duke supozuar determinimin objektiv në personalitetin njerëzor.
Me këtë mosbesim zyrtar në pikëpamjen ideologjike ndaj autorit mund të shpjegohet pse botimi trevëllimësh i vitit 1972 Bazat e teorisë së letërsisë, i mbështetur në këto tekste paraprirëse të tij, doli si vepër me tre autorë: Jakov Xoxën, Neki Lezhën dhe Palokë Krajën. Neki Lezha ishte në atë kohë një pedagog i ri në Institutin Pedagogjik të Shkodrës. Kurse Palokë Kraja, i formuar në Bashkimin Sovjetik për letërsi, i njohur si një njeri i heshtur dhe shumë punëtor, në atë kohë sapo ishte qarkulluar nga Tirana dhe ishte emëruar mësues letërsie në Shkodër, duket u ftua të bashkëpunonte për këtë tekst për shkak të gjuhës ruse. Palokë Kraja edhe sot mbetet një figurë gati e panjohur. Sa kemi mundur të verifikojmë, vëllimi më i cituar i triptikut është i dyti, që mban emrin e Jakov Xoxës dhe që ka për objekt pjesën më teknike të shkencës së letërsisë: figuracionin dhe metrikën.

Në këtë botim titulli i plotë i veprës u plotësua me përcaktimin për shkollat e larta, duke i dhënë statusin e një botimi të gjithëpranuar në Universitetin e Tiranës dhe në gjithë institutet pedagogjike të vendit ku studiohej letërsia.

Hyrje në shkencën e letërsisë, në botimin e Universitetit të Prishtinës, nuk përmban asnjë dallim me atë të Tiranës, përveç shmangies së kujdesshme të përmendjes së emrit të E. Hoxhës, me sa duket për korrektësi ideologjike.

Pas këtij mënjanimi të dyfishtë: duke e fortifikuar veprën e tij me dy autorë mbështetës dhe duke i paracaktuar si fushë pune të mëtejshme shpjegimet terminologjike, Jakov Xoxa nuk u mor më me studime letrare. Madje, nuk rezulton as të ketë vijuar me botimin e shkrimeve kritike në shtyp.

Ribotimi i menjëhershëm në Prishtinë i këtij libri sikur paralajmëroi rrezikun e shmangies si tekst mësimdhënieje universitare në Tiranë, kurse në Prishtinë vazhdoi të vlerësohej si tekst zyrtar deri në vitet 1980. Citohen tre botime të tekstit Baza të teorisë së letërsisë: një botim njëvëllimësh me rreth 190 faqe, me sa duket pjesa e Jakov Xoxës ndarë prej së tërës, një botim trevëllimësh në Tiranë me rreth 500 faqe dhe një botim i vitit 1972 në Prishtinë në katër vëllime, të cilin nuk kemi pasur mundësi ta njohim.

E vetmja vepër pa autorë të tjerë e viteve 1970 nga Jakov Xoxa është Fjalor i termave të letërsisë (titulli në origjinal: Terminologjia e letërsisë), me 119 faqe, pjesë e një nisme paradigmatike që e drejtonte Androkli Kostallari (deri atëherë në 15 vëllime) dhe botohej nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë. Siç është vënë në pah edhe prej studiuesve të sotëm (prej atyre të rrallëve që janë marrë me veprën e tij), në mënyrë të veçantë përkufizimet e figurave bazë gjuhësore e letrare, prej metaforës, metonimisë e sinekdokës deri tek figurat e shprehimësisë emocionale (ironia, sarkazma, përqeshja), siç gjenden në veprën e Jakov Xoxës, janë me vlerë të qartë shpjeguese dhe me funksione didaktike të nevojshme (Niazi Xhaferaj, Vështrim i figurave stilistike në traditën shqiptare dhe në trajtimet bashkëkohore, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës).

Tiranë, 29 prill 2023
www.akad.gov.al

Shkodra shpallet Qyteti Evropian i Sportit 2025

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci dha lajmin nga Parlamenti Evropian në Bruksel se Shkodra është shpallur Qyteti Evropian…

Global 360

”Politico”: Meloni personi më i fuqishëm në Evropë në 2025

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka fituar titullin e personit më të fuqishëm në Evropë të dhënë nga gazeta ”Politico” në…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Shkodra shpallet Qyteti Evropian i Sportit 2025

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci dha lajmin nga Parlamenti Evropian në Bruksel se Shkodra është shpallur Qyteti Evropian…