“Në do që të hash dhe të pish si një mbret, shko te Cullufet në Përmet”

Shënime udhëtimi: Me shkollën “Mihal Ekonomi”, udhëtimi në Përmet, Leskovik, Ersekë nga më tërheqësit


Nga Bujar Qesja, “Mjeshtër i Madh”

Temat e lehta si kjo e tanishmja, kanë atë bukurinë e tyre sepse janë të momentit, të paplanifikuara dhe vijnë sade, në natyrshmërinë e përditshmërisë sonë.

Kam ditë që jam pacient i dyshes së stomatologjisë, nënë e bir Elsa dhe Enio Tati. Elsa me mbiemrin e vajzërisë Mima, është shpirt njeriu, e huazuar kjo nga një formulim i urtësisë së popullit.

Elsa Mima u kujdes shumë, që udhëtimi që më priste të shkonte sa më mirë për nga ana shëndetësore. Dhe me humor i them, stomatologes nga më të mirat në Durrës:

-Sa interesant më del titulli i shkrimit, që kam ndërmënd të realizoj. Tek Elsa Mima po ndreq dhëmbët, ndërsa tek një Elsa Ekonomi, do të jem i ftuar në rrugëtimin për në Përmet. Nga Elsa Mima, tek Elsa Ekonomi.

Vendosa të ndalem pak këtu. Elsa Mima dhe Elsa Ekonomi, janë dy shtylla të qytetarisë durrsake. Që të dyja kanë 50-të vite në profesionet e tyre. Puna, por edhe si trashigimtare të fiseve të njohura dhe me peshë në Durrës Mima dhe Ekonomi, i ka bërë kryezonja të nderuara dhe shumë të respektuara. Mimat janë fis intelektualesh dhe artistësh. Ekonomi gjithashtu. Mihal Ekonomin do të guxoj ta quaj, babain e modelit të mësuesisë durrsake. Erudit klasi. Figurë qendrore e arsimit. Mimat dhe Ekonomi të kërcënuar seriozisht në regjimin e djeshëm, por mbetën të palëkundur në traditën qyetare dhe reflektues të të mirës, të bukurës, të madhërishmes në Durrësin e civilizimit mbi 3000 vjeçar.

Është në dorë të njeriut ta ndërtoj jetën, brenda të thjeshtës dhe komoditetit, sa më mirë, sa më aktivë, sa më në dobi të amortizimit të streseve dhe ngarkesave fizike dhe shpirtërore. Këtë ndjeva dhe preka në ditët që isha i ftuar, nga drejtuesit e shkollës së njohur jo publike “Mihal Ekonomi” në Durrës.

 

Miqtë tanë Elsa dhe Vasil Hila, Dalina dhe Julian Beshiri, na çuan lajm për t’u bërë pjesë e një lëvizje turistike në zonën jugëlindore të Shqipërisë. Udhëtimi do të prekte Përmetin, qendrimin në bujtinën 120 vjeçare të Kristaq Cullufes në fshatin Buhal dhe kalimin në Leskovik, Ersekë dhe në qarkun e Kolonjës.

Besniku shoferi i mjetit, një djalë i urtë dhe profesionist i zoti, na i plotësoi dëshirat. Nga rrugëtimet më të bukura që kemi bërë. Shkolla “Mihal Ekonomi”, nga më të mirat në Durrës, sekretin e ka tek puna drejtuese e administratorëve çiftit Hila dhe Beshiri, por edhe të trupës pedagogjike. Mësueset Yllka Rustemi gjeografi dhe histori, Ilda Kazazi, Romina Kasëmbi, Enkelejda Trebicka, të ciklit të ulët, Zamira Koçi, Gentjan Prela edukimi fizik, Flavia Shqepani gjuhë letërsi, Melina Hysko, matematikë, Grisilda Çorja fizikë, Edmonda Çeçi Rotani arte treguan kompaktësi, respeckt dhe miqësi të çmuar me njëri tjetrin.

Pas 90-tës kam lëvizuar shumë, brenda dhe jashtë kufijve të tokës tonë. Kam udhëtuar i vetëm dhe në kolektiv. Por në këtë 48 orësh, si mik i njerëzve të mirë të shkollës “Mihal Ekonomi”, kam përjetuar ndjesi të veçanta. Ku ishin zgjedhur ato njerëz si me dorë, duke krijuar grupin tërheqës jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në organizime të tilla, për t’i shtuar jetës tënde kënaqësi e larmi të munguar.
Jeta e jonë në përditshmërinë e saj është në fakt monotone, me një rutinë që na pëlqen se s’kemi çbëjmë tjetër. Dikush e planifikon kohën, e dikush tjetër e merr si ti vijë. Dikush ka mundësi të zgjedhë, e dikush jo. Dikush është aktiv dhe kërkon të çfrytëzojë të gjallët në lëvizje, të kapë natyrën në bukurinë e saj. Po dikush tjetër është i tërhequr, duke interpretuar refrenin e halleve që i janë taksur.

Ndërsa këto të shkollës “Mihal Ekonomi”, punojnë, lodhen, por tentojnë të çlirohen sadopak nga streset dhe ngarkesat, duke ndërtuar e çfrytëzuar këto aksione turistike. Jeta në kolektiv është e bukur, tërheqëse dhe romantike edhe kur je kështu brenda një mikrobuzi, që më dukej se një odë e madhe lëvizëse.
Aty flitnim, bënim humor, dëgjonim muzikë, këndonim, hidhnim romuze miqësore dhe e qeshura përplasej me tavanin e mjetit udhëtues dhe na mbulonte të tërëve me kënaqësi. Së bashku me Kostandinën dhe mikun e hershëm, të mirënjohurin e muzikës Ylli Ramzoti, si të ftuar të “Mihal Ekonomit”, na dukej se ishim prej kohësh pjesë e këtij kolektivi të ndërtuar saktë.

Vasil Hila, babaxhani 75 vjeçar, më i moshuari në atë kolektiv simpatik, drejtues dhe intelektual i mënçur, mori përsipër të bëjë moderatorin e këtij vërshimi turistik. Kur po i ofroheshim Përmetit, njohuritë e tij po shkëlqenin. Shpjegonte për lumin e Vjosës, burimin e tij nga malet Pindi të Greqisë. Kalonte më pas në dy vargmalet e thinjura për nga historia, që vinin paralel dhe që dukeshin se i jepnin dorën njëri tjetrit, nën shikimin e qetë dhe të ëmbël të Vjosës.

Dhe këto vargmale janë Trebeshinë-Dhëmbel-Nëmërçkë, me majën më të larë Papingun 2485 metra dhe Shëndelli-Lunxheri-Bureto.

Një grup nga Durrësi ishin të ftuar nga këto male, nga kjo natyrë dehëse që Zoti ia ka dhënë dhuratë shqiptarëve. Në mos gaboj, me nxitjen e fantazisë hulumtuese të gruas së fortë dhe profesionistes nga më të mirat e arsimit në Durrës Elsa Ekonomit, ishte zgjedhur që nata të kalohej në fshatin Buhal.

Kur u ndamë nga xhadeja dhe rrotat e mjetit tonë fillian të “hajnë” gurë dhe të tatëpjeta të theksuara disi, e kuptuam që e veçanta dhe surprizat do të vendoseshin mbi kryet tanë. Mendova se do të akomodoheshin si zakonisht në hotelin në qendër të Përmetit.

Por jo. Mrekullia dhe magjia, nuk ishin zbuluar ende. E fshehta po na torturonte, por mezi e pritnim. Paksa të lodhur, por optimistë.

Mikrobuzi ynë u trëmb, sepse e panjohur rruga, por edhe vështirësia e kalimit ekzistonte. Dhe këto u çfaqën për herë të parë. 5 kilometra ngjitje.

Bukuritë dhe befasitë shtoheshin paralel me vështirësitë e ecjes. Papritur na çfaqet mjeti foristradë i Mandit, të birit të Kristaqit.

Djali i shkathët, që e ka lidhur jetën me këtë biznes të prindërve të tij Kristaq Cullufe dhe Florinda Nika, punon në urbanistikën e Përmeti, por ndihmon ja kështuj edhe turizmin familjar.

Nata që do të kalonim, do të kthehej më shumë se një ëndërr. Shtëpia 120 vjeçare e Cullufeve në fshatin Buhal të Përmetit, ishte zemra e zonës. Vendosur mbi lartësinë e duhur, të dukej si kullë vrojtimi për të pesë fshatrat të ngulura në gjoks të maleve si Kutal, Zilehush, Hotovë, Kosina dhe Mokrricë, duke qendruar ngjitur si gishtat e një dore. Në mes tyre kalon edhe lumi i Vjosës, krenaria e së cilës tashmë dihet, duke përqafuar gjëlbërimin e pazakontë në këtë fillim pranvere.

Natyra e bukur na priste edhe mëngjesin e ditës pasuese, për t’u prekur dhe shijuar. Deri atëhere na mbetej për të shijuar, mrekullinë shpirtërore të të zotërve të shtëpisë. Ngrohtësi në mjediset e 120 –të vjeçares, zjarr edhe në oxhaqe.

Por ngrohtësia më e madhe ishte, mikpritja e këtij Kristaq Cullufes, burrë i zgjuar, por edhe punëtor i palodhur. Koleksionet e tij me relike të çfarëdo lloji, përpjekjet e fremëzuese për të ruajtur traditat dhe kulturën shqiptare të zonës, e bëjnë këtë Kristaq një kryezotni të turizmit, por edhe patriot të madh. Ruajtja e traditave familjare, zakonet e herëshme, shoqëruar me përpjekjet më të pazakonta për t’i evidentuar edhe para të huajave të shumtë, është mrekulli mbi mrekulli.

 

Burrë i thjeshtë, ku kombinohej kultura e bindja për të ruajtur dhe transmetuar vlera, por edhe puna e mekanikut, hidraulikut, ndërtuesit, marangozit, bujkut, blektorit, ciceronit, e ku ta dimë tjetër se çfar mund të shtojmë, e kthejnë këtë Kristaq të Buhal-it në të jashtëzakonshëm. Aty u pagua gjithçka, por nuk mund të paguanim atë që pamë, atë që prekem të servirur me aq bujari, nga çifti Kristaq dhe Florinda Cullufe.

 

Të 18-tët e “Mihal Ekonomit”, u vendosën në një tryezë familjare. Ishim bujtës në derën e Cullufëve të Buhal-it. Na u bë pritje mbretërish, nga më të paharruarat. Mishi i qëngjit, byrekët me mish dhe perime, djathi i baxhos, patatet e Dibrës, turshit, gjizë dhe salcë kosi, fasule pllaqi dhe mëlçitë në tava balte, sallatë e freskët nga bahçja, rakia dhe vera të “dashurat” e hershme të përmetarëve, krijuan tavolinën më të pasur në botë. Dhe pas kësaj, plasi alegria. Kështu nata zbardhi shpejt, e dita e sapoçelur mbeti si zgjatim i së djeshmes.

Edmonda Rotani, fantastike në imitim. Arritëm deri në atë pikë sa nuk mund të konsumonim më ushqim, e të qeshnim. Ishim të “mbaruar”. Edhe çifti Cullufe, e trondiste alegrinë së bashku me ne. Buhal atë mbrëmje, ishte marrë “peng” nga durrsakët e “Mihal Ekonomit”. Dhomat e fjetjes si fshati i traditës. Dyert me shul të hershëm, e përbërja prej dërrase, e kalonte ku e ku shekullin. Kristaqi gjente kohë për të treguar frekuentimin e pabesueshëm, që i bënin të huajt kësaj bujtine. Kanë ardhur aty me biçikleta, motorë, foristrada të larta, makina të përshtatura me relievin malor.

-Nuk e duam të na shtrohet rruga, shprehet Kristaq Cullufe. Të huajt e duan këtë rrugë kështu, pasi ruan kolorin e zonës dhe janë të përshtatëshme për alpinizëm. Qendrojnë disa netë tek ne dhe lëvizin tërë ditën nëpër male. Duan gjithçka që u ofrohet ta shijojnë. Vështro librin e përshtypje se çfarë shkruhet. Ku janë fjalët më të zgjedhura. Më bëhet zemra mal kur të huajt vlerësojnë natyrën, shërbimin dhe vlerat tona kulturore historike.

Më parashikuesi nuk mund ta mendonte këtë surprizë, që na la gojë hapur, pa frymë. Art, histori, ushqim, natyrë, eksplorim. Të gjitha në Buhal. Një garazh në Përmet Kiçoja e ka kthyer në muzeum etnografik. Ruhen relike të rralla, qilima, fotografi, tepsije, gjyma, enë prej bakri, kusi, tenxhere, çekiçë, sharra, baule, korniza, punime me grep, sofra, ndejtëse, lugë, thika, pirunj, kova, vegla pune, orë, punime në qelq, e gjithçka, gjithçka.

Mëngjesi edhe më i bukur. Kafeja, shoqëruar me raki rrushi, nën shoqërinë e virgjërisë së natyrës, ishte mbretërim shpirtëror më vete. Natyra na vendosi në gjirin e saj dhe pas kësaj vetëm ëndërronim. Lamë Kristaqin me të shoqen, teksa bëheshin gati të pritnin grupin e rradhës të turistëve të huaj dhe mihalekonomasit morën drejtimin për në Leskovik.

Djathi i dhisë, vera e kuqe e Leskovikut, u bënë pre e psonisjes tonë. Rrapi 300 vjeçar në qendër të qytetit, na përcolli me “dëshirën” për t’u rikthyer.

Kalojmë Ersekën dhe ndalemi në lokalin “Sofra Kolonjare”. Edhe këtu pritje në përmasat e bujarisë, meny e pasur dhe tradicionale, ku provuam edhe kukurecin e veçantë të zonës. Vonë në mbrëmje pas disa ndalesave në Korçë dhe Pogradec, iu drejtuam Durrësit tonë të përmallshëm.

Një shi i lehtë, shoqëruar me erën e stinës, përplaseshin në fytyrat tona. Fytyra të gëzuara, pas një turneu shoqëruar me befasi dhe surpriza. Kolektivi i “Mihal Ekonomit”, një shans më shumë për të qenë bashkë, si në mësim, në argëtim dhe turizëm. Tjetër mundësi, për të shprehur më të mirën, më të bukurën.

Me “Mihal Ekonomin” në Përmet, Buhal, Leskovik, Ersekë, Korçë, Pogradec dhe përfundimisht në Durrës. Nuk ka më mirë!

Bujar Qesja
Durrës: 5 prill 2023

Nga Elsa Mima tek Elsa Ekonomi
Shënime udhëtimi, nga një angazhim me shkollën “Mihal Ekonomi”
-Udhëtimi në Përmet, Leskovik, Ersekë nga më tërheqëset
– Natyrë, relaks, ushqim i zgjedhur, alegri e pazakontë
-Së bashku në mësim, të pandarë edhe në lëvizje turistike
-Nata në fshatin Buhal, arkivë në memorien e gjithsecilit
-“Mihal Ekonomi” shembull i organizimit dhe moderimit
-Muzeu etnokulturor i Kristaq Cullufes
…Kolektivi i “Mihal Ekonomit”, një shans më shumë për të qenë bashkë, si në mësim, argëtim dhe turizëm. Tjetër mundësi, për të shprehur më të mirën, më të bukurën…

“Daily Express”: Shqipëria – zbuloni disa nga brigjet më të bukura të vendit ballkanik

Aurora Bosotti shkruan në të përditshmen britanike “Daily Express”.

Global 360

NATO me udhëheqje të re: Lidhjet e Mark Rutte-s me Kosovën ndër vite

Sekretarët e përgjithshëm të NATO-s zgjidhen me konsensus nga të 32 vendet anëtare.

Diplovista

Bregu: Zero roaming me BE-në deri më 2027

Perspektiva e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor nuk është më një proces datash, BE-ja po ndryshon, ndoshta duhet të ndryshohet…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria, emigrantët dhe BE

Ndërsa procesi i votimit në vendet e BE edhe pak i afrohet fundit, pak ditë më parë kryeministrja e Italisë,…

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

“Daily Express”: Shqipëria – zbuloni disa nga brigjet më të bukura të vendit ballkanik

Aurora Bosotti shkruan në të përditshmen britanike “Daily Express”.