Nisma e Qytetërimit Global dhe larmia që bashkon

Kjo nismë u prezantua për herë të parë nga Presidenti kinez Xi Jinping në mars të vitit 2023.

Takimi Ministror i Dialogut të Qytetërimeve Globale, 11 korrik 2025, Pekin/Foto nga VCG

Nga Dr. Marsela Musabelliu
Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit (AIGS)

Qytetërimet ndërtohen mbi aspirata të mëdha dhe pasqyrohen në arritjet e tyre materiale dhe shpirtërore. Ato kanë luajtur gjithnjë një rol të rëndësishëm në formësimin e jetës shoqërore, duke ndërthurur trashëgiminë kulturore me zhvillimin dhe përparimin. Përmes simboleve të dukshme dhe të padukshme, qytetërimet kanë transmetuar ndër shekuj vlera, histori dhe identitet kolektiv. Megjithatë, në një botë gjithnjë e më të përçarë nga konfliktet, polarizimi dhe fragmentimi kulturor, ruajtja e kësaj trashëgimie dhe promovimi i dialogut është bërë një sfidë reale. Pikërisht në këtë kontekst, Kina ka propozuar Nismën e Qytetërimit Global, si një përpjekje për të forcuar mirëkuptimin, respektin e ndërsjellë dhe bashkëjetesën paqësore ndërmjet kombeve.

Kjo nismë u prezantua për herë të parë nga Presidenti kinez Xi Jinping në mars të vitit 2023. Ajo paraqet një vizion sesi qytetërimet mund të jetojnë dhe të zhvillohen së bashku, dhe është ndërtuar mbi katër parime kryesore: respekt për diversitetin e qytetërimeve; vlera të përbashkëta si paqja, zhvillimi, drejtësia, demokracia dhe inovacioni pa humbur traditën; si dhe shkëmbim ndërnjerëzor. Në thelb, nuk bëhet fjalë për uniformitet, por për bashkëjetesë përmes respektit të ndërsjellë.

Jetojmë në një botë ku përplasjet midis kulturave, ideologjive dhe gjeopolitikës po shtohen. Disa vende, veçanërisht ato në Jugun Global, janë lodhur duke dëgjuar se cilin sistem duhet të ndjekin, cilat vlera duhet të përvetësojnë dhe cilën rrugë zhvillimi duhet të zgjedhin. Nisma thekson se diversiteti nuk do të thotë ndarje, dhe ndryshimi nuk do të thotë inferioritet. Është e zakonshme që njerëzit të besojnë se sistemet e tyre janë më të mirët, por kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë. Dallimet e larmishme që kemi në të vërtetë mund të jenë pika mësimi për të gjithë. Dhe pastaj ngjashmëritë do të na ndihmojnë të kuptojmë se ku mund të përmirësohemi si një komunitet global që nuk lë askënd pas.


Takimi Ministror i Dialogut të Qytetërimeve Globale, 11 korrik 2025, Pekin/Foto nga VCG

Kina dhe dialogu ndërkulturor

Ndërsa bota shënoi Ditën e parë Ndërkombëtare për Dialogun midis Qytetërimeve më 10 qershor, thirrjet për respekt të ndërsjellë, zhvillim gjithëpërfshirës dhe shkëmbim kulturor patën jehonë në të gjithë botën – nga selia e OKB-së deri te ceremonitë e çajit në Mauritius, nga vitrinat e porcelanit në Itali deri te forumet akademike në Athinë. Dita, e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2024 pas një rezolute të propozuar nga Kina dhe e bashkësponsorizuar nga mbi 80 vende, vjen mes tensioneve globale në rritje dhe sfidave urgjente – duke e bërë dialogun edhe më të domosdoshëm.

Në një letër urimi drejtuar Takimit Ministror të Dialogut Global të Qytetërimeve, të mbajtur në Pekin nga 10 deri më 11 korrik, Presidenti kinez Xi Jinping tha se në një botë ku transformimi dhe turbulencat janë të ndërthurura dhe njerëzimi ndodhet në një udhëkryq të ri, ekziston një nevojë gjithnjë e më urgjente që qytetërimet të tejkalojnë ndarjen përmes shkëmbimeve dhe të evitojnë përplasjet përmes të mësuarit të ndërsjellë. Ky aktivitet mblodhi së bashku më shumë se 600 përfaqësues nga rreth 140 vende dhe rajone.

Presidenti kinez Xi Jinping tha se Kina është e gatshme të punojë me vendet e tjera në ndërtimin e një rrjeti global për dialog dhe bashkëpunim midis qytetërimeve. “Historia na ka treguar se shkëmbimet dhe mësimi i ndërsjellë midis qytetërimeve janë thelbësore që qytetërimet të lulëzojnë dhe të arrihet përparimi njerëzor” – tha Xi. Ai gjithashtu paraqiti shpresën e tij se përfaqësuesit pjesëmarrës do të angazhohen në shkëmbime të thella për të ndërtuar konsensus dhe për të kontribuar me mençurinë dhe forcën e tyre në funksion të promovimit, të mirëkuptimit dhe miqësisë midis popujve dhe arritjes së bashkëjetesës harmonike midis qytetërimeve.


Takimi Ministror i Dialogut të Qytetërimeve Globale, 11 korrik 2025, Pekin/Foto nga VCG

Me temën “Mbrojtja e Diversitetit të Qytetërimeve Njerëzore për Paqen dhe Zhvillimin Botëror”, takimi ishte bashkë-organizuar nga Departamenti i Publicitetit i Komitetit Qendror të PKK-së dhe Departamenti Ndërkombëtar i Komitetit Qendror të PKK-së. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dërgoi mesazhin e tij të urimit për ngjarjen. Ish-krerë shtetesh dhe qeverish nga Indonezia, Namibia, Japonia dhe Belgjika mbajtën gjithashtu fjalime në ceremoninë e hapjes.

Kina, si një forcë aktive në shkëmbimet mes qytetërimeve, ka kaluar nga një pjesëmarrëse në “dialogun me botën” në një mbështetëse e fuqishme “dialogut global,” duke zgjeruar në mënyrë të qëllimshme mundësitë për bashkëpunim ndërmjet qytetërimeve. Falë përpjekjeve të përbashkëta të Kinës dhe vendeve të tjera, shkëmbimet ndërkombëtare të pasura dhe të shumëllojshme midis njerëzve dhe kulturave janë bërë një fenomen i njohur dhe i vlerësuar, duke nxitur mirëkuptimin reciprok dhe lidhje më të forta midis popujve në mbarë globin.

Kina promovon respektin për diversitetin e qytetërimeve. Ajo thekson se vendet duhet të mbështesin parimet e barazisë, të njohjes së ndërsjellë, dialogut dhe përfshirjes midis qytetërimeve. Sipas qasjes së Kinës, shkëmbimet kulturore duhet të tejkalojnë ndarjet, të kapërcejnë përplasjet dhe bashkëjetesa duhet të tejkalojë ndjenjat e superioritetit. Të gjitha vendet duhet të ruajnë një mendje të hapur në vlerësimin e perceptimeve të ndryshme të vlerave nga qytetërime të ndryshme dhe të përmbahen nga imponimi i modeleve apo vlerave të tyre ndaj të tjerëve, si dhe nga nxitja e konfrontimeve ideologjike.


Foto nga VCG

Nisma bën thirrje për respektimin e diversitetit të qytetërimeve, për vlerat e përbashkëta të njerëzimit, për vazhdimësinë dhe evolucionin e qytetërimeve, si dhe për thellimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet njerëzve

Kur Presidenti Xi Jinping propozoi Nismën e Qytetërimit Global në 2023, ai theksoi se Kina nuk do të ndjekë rrugën e shteteve që, pasi bëhen të fuqishme, kërkojnë hegjemoninë. Përkundrazi, ajo do të kërkojë zgjidhjen e dallimeve përmes dialogut dhe bashkëpunimit. Ai shtoi se, ndonëse nuk mund të pretendojë që të gjitha vendet janë tërësisht të qeta, Kina angazhohet të mos ndjekë rrugën e konfrontimit.

Një numër i madh vendesh i kanë përshëndetur tri nismat e saj globale: Nismën për Zhvillim Global, Nismën për Siguri Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global. Suksesi i nismave globale të Kinës nuk do të vendoset në retorikën mediatike apo në debatet akademike, por në tregun global të rezultateve të dukshme. Vendet në zhvillim do të jenë prova më e qartë për këtë, dhe gjithçka do të jetë e hapur për t’u parë.

Nisma e Qytetërimit Global, kontributi në veprim dhe fjalë

Historia tregon se shkëmbimet dhe të nxënit e ndërsjellë janë përbërës thelbësorë të një qytetërimi të gjallë dhe një forcë nxitëse e rëndësishme për qytetërimin njerëzor dhe zhvillimin paqësor të botës. Gjatë më shumë se 5,000 viteve, populli kinez ka krijuar një qytetërim të shkëlqyer dhe ka dhënë kontribute të rëndësishme në përparimin e qytetërimit njerëzor. Kina vazhdon të ecë përpara me qëllim që të avancojë modernizimin e njerëzimit dhe të ndihmojë në lulëzimin e “kopshtit të qytetërimeve botërore”.


Foto nga VCG

Kjo nismë synon të sjellë energji të re dhe të fuqishme për zhvillimin dhe përparimin e përbashkët të shoqërisë njerëzore. Edhe pse ekzistojnë dallime në histori, kultura, sisteme politike dhe faza të zhvillimit, qytetërimet ndajnë aspirata të përbashkëta: paqen, zhvillimin, barazinë, drejtësinë, demokracinë dhe lirinë.

Kina beson në fuqinë e dialogut ndërmjet qytetërimeve. Shkëmbimi kulturor duhet të tejkalojë barrierat dhe toleranca duhet të kapërcejë ndjenjat e epërsisë kulturore. Me anë të kësaj nisme, vlerësohet fuqia e trashëgimisë kulturore dhe inovacionit. Vetëm përmes transformimit krijues dhe zhvillimit inovativ të kulturave tradicionale, mund të çohen përpara qytetërimet moderne. Gjithashtu theksohet rëndësia e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, si mënyrë për të ndërtuar një botë më të mirë. Përmes këtyre lidhjeve, mund të promovohet mirëkuptimi dhe miqësia midis kombeve dhe të përparojë qytetërimi njerëzor.

Një arritje e rëndësishme ndodhi në prill të vitit të kaluar, kur u themelua Aleanca për Trashëgiminë Kulturore të Azisë (AA), në Asamblenë e Përgjithshme të saj në Kinë. Aleanca synon të mbrojë trashëgiminë kulturore aziatike dhe të thellojë shkëmbimet midis qytetërimeve aziatike. Po në këtë asamble u lançua edhe Forumi Aziatik për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, i cili deri më tani ka mbledhur rreth 88 milionë juanë (afro 12 milionë dollarë amerikanë), për të mbështetur projekte të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të nisura nga Kina dhe vendet anëtare.

Në vitet e fundit, Kina ka bashkëpunuar në 11 projekte për mbrojtjen dhe restaurimin e vendeve historike me gjashtë vende aziatike dhe ka zhvilluar mbi 20 projekte arkeologjike të përbashkëta me 14 vende të Azisë, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistanin dhe Arabinë Saudite. Për shembull, në vitin 2022, përfundoi restaurimi i kompleksit të tempullit të Basserit në Nepal me ndihmën e Kinës – ky ishte projekti i parë i madh i ndihmës kineze për trashëgiminë kulturore jashtë vendit.


Një ekspozitë e qytetërimit romak/Foto nga VCG

Qëllimi përfundimtar është që çdo qytetërim të ndriçojë me dritën e vet dhe të kontribuojë në ndërtimin e një bashkësie njerëzore me një të ardhme të përbashkët.

Së fundmi, me vizionin dhe qëllimin për të ndërtuar një botë ku qytetërimet nuk përplasen, por bashkëveprojnë, Nisma e Qytetërimit Global i përgjigjet thirrjes së bashkësisë ndërkombëtare për të nxitur dialogun midis qytetërimeve dhe mbledh forca për të eliminuar keqkuptimet dhe barrierat, duke përcjellë energji pozitive solidaritetit njerëzor në përgjigje të sfidave të përbashkëta. Për mijëra vjet, qytetërimi njerëzor ka rrjedhur dhe është përhapur, duke mbledhur me vete një mori shkëndijash të ndritshme, secila me shkëlqimin e saj unik, dhe të gjitha, janë historia njerëzore e përbashkët.

Mes valës së modernizimit global, është thelbësore të nxjerrim forcë nga dallimet, të njohim bukurinë e qytetërimeve të ndryshme dhe të inkurajojmë mirëkuptimin e ndërsjellë midis kulturave.

Nuk mjafton më vetëm ndërtimi i urave midis kombeve, por nevojitet ndërtimi i një vetëdijeje të re globale, ku çdo qytetërim të njihet, të vlerësohet dhe të kontribuojë me dinjitet në arkitekturën e përbashkët të paqes dhe zhvillimit.

Burimi CGTN

Qendër Ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara në Vlorë, Koçiu: Po e aplikojmë në të gjitha bashkitë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga kryetari i bashkisë Vlorë, Ermal Dredha dhe përfaqësuesi i…

Global 360

Ibrahimaj: Mbështetje ekosistemeve të startup-eve me mbi 10 milionë euro vetëm në 3 vitet e fundit

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në edicionin e 7-të të “Startup City…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Arbërit, princa të Lilit apo të Zambakut?

‘Princa të Lilit- Bij të Arbërit- Familjarë të Sulltanit’ është një studim që kap në vështrim disa çështje të rëndësishme…

Profil

Koçi Tahiri, veprimtar i respektuar i elitës intelektuale dhe i politikës shqiptare

"Pishtari i Demokracisë" dhe ish-deputet (2017-2021) ka veprimtari të gjerë aktive 35-vjeçare, me karakter krahinor dhe kombëtar.

Masmedia

Qendër Ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara në Vlorë, Koçiu: Po e aplikojmë në të gjitha bashkitë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga kryetari i bashkisë Vlorë, Ermal Dredha dhe përfaqësuesi i…