
50 vjet diplomaci Kinë-BE: një gur themeli në marrëdhëniet ndërkombëtare
Viti 2025 shënon një përvjetor me rëndësi të veçantë në skenën ndërkombëtare: gjysmë shekulli ka kaluar nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës Popullore të Kinës dhe Bashkimit Evropian

Nga Dr. Marsela Musabelliu
Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit (AIGS)
Viti 2025 shënon një përvjetor me rëndësi të veçantë në skenën ndërkombëtare: gjysmë shekulli ka kaluar nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës Popullore të Kinës dhe Bashkimit Evropian. Më 6 maj 1975, në një botë të ndarë nga Lufta e Ftohtë, Kina dhe atëherë Komuniteti Ekonomik Evropian (KEE) hodhën një hap historik drejt krijimit të një marrëdhënieje që më pas do të evoluonte në një nga më të rëndësishmet në arenën globale. Gjatë këtij gjysmë shekulli bashkëpunimi, kjo lidhje është transformuar nga kontakte të kufizuara në një partneritet të gjithanshëm strategjik, duke reflektuar zhvillimin e thellë ekonomik, diplomatik dhe institucional të të dyja palëve. Kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike midis KEE-së dhe Kinës, bota ishte në një periudhë të ndryshimeve të mëdha ideologjike dhe gjeopolitike. Kina ishte në fillimet e reformës së saj të brendshme dhe hapjes ndaj botës, ndërsa Evropa kërkonte një qasje të re të marrëdhënieve globale.
Xi Jinping takohet me kryeministrin spanjoll në Pekin Sanchez, 11 prill 2025/Foto nga Xinhua
Presidenti kinez Xi Jinping u takua me kryeministrin hungarez Viktor Orban, më 9 maj të vitit 2024, në Hungari/Xinhua
Ndërsa bota përjeton një tranzicion të thellë, marrëdhëniet Kinë-BE sot marrin një domethënie të re. Përballë sfidave të përbashkëta globale si ndryshimet klimatike, fragmentimi ekonomik dhe konfliktet gjeopolitike, bashkëpunimi Kinë-BE përfaqëson një model të partneritetit pragmatik, ku konkurrenca nuk përjashton dialogun dhe respektin reciprok.
Nga fillimet historike te një partneritet i gjithanshëm
Viti 1975 shënoi fillimin e një marrëdhënieje shumëplanëshe dhe pas një dekade bisedimesh, në vitin 1985, të dyja palët nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar Kinë-BE, e cila vendosi bazën ligjore për marrëdhëniet dypalëshe në tregti, investime, shkencë, teknologji dhe kulturë. Në të njëjtin vit u hapën godinat diplomatike në Bruksel dhe Pekin, duke forcuar institucionet e bashkëpunimit.
Në vitin 1994, BE-ja publikoi dokumentin e saj të parë zyrtar për Kinën, ku e përcaktoi atë si partner kyç për dialogun politik dhe bashkëpunimin ekonomik.
Më 1996, u krijua mekanizmi i Samitit Vjetor Kinë-BE, i cili më vonë u kthye në forumin qendror për koordinimin strategjik.
Një pikë kulmore në marrëdhënie ndodhi në vitin 2003, kur gjatë Samitit të 6-të Kinë-BE, u shpall Partneriteti Strategjik Gjithëpërfshirës. Ky partneritet u nënshkrua nga kryeministri kinez Wen Jiabao, presidenti i Komisionit Evropian Romano Prodi dhe presidenti i radhës i Këshillit të BE-së Costas Simitis, duke e zgjeruar bashkëpunimin në fusha si mjedisi, zhvillimi global, siguria ndërkombëtare dhe ndryshimet klimatike.
Gjatë Samitit të 14-të Kinë-BE në shkurt 2012, u nisën zyrtarisht negociatat për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse mbi Investimet (CAI). Kjo marrëveshje synonte të siguronte qasje më të barabartë për investitorët evropianë në tregun kinez.
Në dhjetor 2020, pas një sërë negociatash intensive, BE-ja dhe Kina njoftuan arritjen e një marrëveshjeje në parim për CAI. Marrëveshja u arrit gjatë një takimi të nivelit të lartë virtual mes presidentit kinez Xi Jinping, kancelares gjermane Angela Merkel, presidentit francez Emmanuel Macron, presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel. Ajo përfshinte sektorë si makinat elektrike, shërbimet financiare etj. Megjithatë, marrëveshja u pezullua nga pala evropiane.
Në prill 2022, u zhvillua Samiti i 23-të Kinë-BE, në mënyrë virtuale, në kontekstin e luftës në Ukrainë. Palët diskutuan rreth sigurisë globale, tregtisë, etj. BE-ja dhe Kina mbajtën qëndrime të ndryshme në lidhje me konfliktin e Ukrainës, dhe si rrjedhojë disa kanale të diskutimeve të mëtejshme u mbyllën.
Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi një takim jozyrtar me Presidentin Francez Macron, më 7 prill të vitit 2023, në qytetin Guangzhou/Xinhua
Në prill 2023, presidentja von der Leyen dhe presidenti francez Macron vizituan Kinën për të takuar presidentin Xi Jinping. Qëllimi i vizitës ishte rivendosja e dialogut politik dhe ekonomik e balancimi i marrëdhënieve në një epokë të konkurrencës globale. U firmosën disa marrëveshje ekonomike dhe kulturore, megjithëse mbetën mosmarrëveshjet ekonomike.
Në tetor 2024, BE-ja vendosi tarifa deri në 35.3% për makinat elektrike kineze. Kjo shkaktoi një valë të re negociatash tregtare, ku ministri kinez i tregtisë Wang Wentao dhe komisioneri evropian për tregti Valdis Dombrovskis ranë dakord për të eksploruar mundësi alternative si vendosja e një çmimi minimal, bazuar në precedentët e vitit 2013 për panelet diellore.
Në prill 2025, përballë përshkallëzimit të tensioneve tregtare me SHBA-në, BE-ja dhe Kina rifilluan bisedimet zyrtare tregtare. Nënkryetari i Komisionit Evropian Maroš Šefčovič priti në Bruksel ministrin Wang Wentao, duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe përkushtimin ndaj reformës në kuadër të OBT-së.
Rëndësia e kësaj marrëdhënieje për botën në një epokë tranzicioni
Në marrëdhënien gjysmë shekullore Kinë-BE, pasuria më e vlefshme është respekti i ndërsjellë, shtysa më e fuqishme është përfitimi reciprok, konsensusi më i madh unifikues është multilateralizmi dhe karakterizimi më i saktë është partneriteti, tha ministri i jashtëm kinez Wang Yi në një konferencë për shtyp, në mars 2025. “Një marrëdhënie e shëndetshme dhe e qëndrueshme Kinë-BE do t’i ngrejë të dyja palët dhe do të kontribuojë në një botë më të ndritshme. Kina dhe BE kanë kapacitetin dhe mençurinë për të sjellë së bashku 50 vjet të tjerë premtues,” shtoi Wang.
Treni i mallrave Kinë-Evropë/VCG
E ardhmja e marrëdhënieve Kinë-BE kërkon një balancë të re: midis konkurrencës ekonomike dhe nevojës për bashkëpunim. Samiti i ardhshëm Kinë-BE, i cili po përgatitet në sfondin e tensioneve tregtare me ShBA-në, ofron një mundësi të çmuar për të rivendosur dialogun strategjik dhe për të krijuar mekanizma të reja bashkëpunimi në teknologji të gjelbër, inteligjencë artificiale, energji të pastër, stabilitet global dhe rregullat e tregtisë ndërkombëtare.
Gjatë pesë dekadave të fundit, bashkëpunimi Kinë-BE ka përshkuar një rrugë të gjatë. Tregtia dypalëshe është zgjeruar nga 2.4 miliardë dollarë në 780 miliardë dollarë. Investimet janë rritur nga pothuajse zero në afër 260 miliardë dollarë. Ekspresi hekurudhor Kinë-Evropë ka kryer më shumë se 100,000 udhëtime ngarkesash dhe është bërë një kalim i artë që lidh Azinë dhe Evropën. Kina është partneri i parë tregtar i BE-së. Pesëdhjetë vjet më vonë, Kina dhe BE së bashku përbëjnë mbi një të tretën e ekonomisë botërore dhe bashkëpunimi mes të dyjave ka një vlerë më të madhe strategjike dhe ndikim global. Një marrëdhënie e shëndetshme dhe e qëndrueshme do t’u shërbejë të dyja palëve dhe do të krijojë një botë më të sigurt.
Globalizimi i dialogut
Në një botë të përçarë nga konflikti, proteksionizmi dhe ndarjet ideologjike, marrëdhënia Kinë-BE mbetet një nga pikat kyçe të stabilitetit global. Një partneritet i shëndetshëm mes Kinës dhe BE-së është gjithashtu thelbësor për ruajtjen e multilateralizmit, qëndresës ekonomike dhe forcimit të sistemit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. “Në një epokë konfliktesh dhe konkurrence intensive, nevojiten miq të besuar”, deklaron Komisioni Evropian. Dhe është pikërisht kjo besueshmëri që po kërkohet të ringrihet në këtë përvjetor të rëndësishëm.
“Zhvillimi i shëndetshëm i marrëdhënieve midis Kinës dhe Bashkimit Evropian kërkon që BE-ja t’i përmbahet pavarësisë strategjike”, tha Xi Jinping në takim me Kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, gjatë vizitës së tij në Pekin në fillim të prillit. Ai u shpreh se Kina dhe BE-ja kanë shumë gjëra të përbashkëta. Xi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të dobishëm reciprokisht, duke thënë se duhet të planifikojnë marrëdhëniet nga një perspektivë strategjike dhe afatgjatë, dhe të mbështesin njëra-tjetrën në çështje kritike që kanë të bëjnë me interesat e tyre thelbësore.
Pak ditë më pas kryeministri kinez Li Qiang zhvilloi një bisedë telefonike me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke i nxitur të dyja palët të ruajnë tregtinë e lirë dhe të hapur. Duke vënë në dukje se si Kina ashtu edhe BE-ja janë avokatë të globalizimit ekonomik dhe liberalizimit të tregtisë, si dhe mbrojtës dhe mbështetës të vendosur të OBT-së, Kryeministri Li tha se të dyja palët duhet të forcojnë komunikimin dhe koordinimin, të zgjerojnë hapjen e ndërsjellë, të mbrojnë tregtinë dhe investimet e lira dhe të hapura, të ruajnë stabilitetin dhe rrjedhën e qetë të zinxhirëve globalë industrialë dhe të furnizimit, duke injektuar më shumë stabilitet dhe siguri në ekonominë e të dyja palëve dhe në atë botërore.
Në mes të prillit 2025, në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me dialogun Kinë-BE mbi çështjet e tarifave të ShBA-së, zëdhënësi i Ministrit të Jashtëm kinez Lin Jian tha se Kina dhe BE-ja janë ekonomitë e dyta dhe të treta më të mëdha në botë, prodhimi i tyre i kombinuar ekonomik tejkalon një të tretën e ekonomisë globale, vëllimi i tyre tregtar përbën një të katërtën e tregtisë globale.
Wang Yi zhvillon Dialog Strategjik Ministror të Jashtëm Kinë-Portugali me Ministrin e Jashtëm portugez Paulo Rangel/Ministria e Jashtem e Kinës
Nga pala kineze vijnë mesazhe të qarta: në këtë horizont të ri, bashkëpunimi midis fuqive të mëdha ekonomike si Kina dhe BE-ja duhet të udhëhiqet jo nga frika apo konkurrenca e verbër, por nga parimi i zhvillimit të përbashkët, ku diversiteti nuk shihet si pengesë, por si burim fuqie. Ruajtja e një sistemi të hapur, të drejtë dhe shumëpalësh është themeli mbi të cilin mund të ndërtohet paqja afatgjatë dhe përparimi universal. Është koha për të hapur një kapitull të ri në globalizim – jo vetëm ekonomik, por edhe etik – ku bashkëpunimi triumfon mbi përçarjen dhe ku vizioni për një të ardhme të përbashkët tejkalon kufijtë e ngushtë të interesave afatshkurtra.
Shqipëria, BE-ja dhe Kina
Si vend aspirant për anëtarësim në union, Shqipëria ka mundësinë të luajë një rol kyç në marrëdhëniet Kinë-BE. Shqipëria mund të kontribuojë me një diplomaci konstruktive që promovon dialogun, ndërveprimin kulturor dhe bashkëpunimin teknologjik. Shqipëria, si pjesë e rajonit të Ballkanit Perëndimor, ndodhet në një pozitë strategjike ku mund të shërbejë si urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit, duke përfituar nga investimet kineze dhe njëkohësisht duke ndihmuar në kanalizimin e tyre drejt standardeve evropiane të transparencës dhe qëndrueshmërisë.
Foto nga VCG
Për shkak të marrëdhënieve të ngushta historike midis Kinës dhe Shqipërisë gjatë viteve 1960-1970 autoritetet kineze kanë qenë përherë të gatshme të zgjasin dorën e bashkëpunimit me Shqipërinë. Ky është një aset që jo shumë vende të rajonit e kanë, dhe ky aset i madh duhet përdorur në mënyrë konstruktive.
Mbi të gjitha Shqipëria është pjesë e dy nismave kineze, njëra globale “Një brez, një rrugë” dhe tjetra rajonale Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore (Kinë-EQL). Këto platforma tejet aktive të multilateralizmit kanë hapur terrene të reja bashkëpunimi midis vendeve anëtare. Kina ka suportuar gjerësisht efektin shtytës të këtyre nismave në mënyrë që të shërbejnë për të ndihmuar vendet e rajonit tonë të arrijnë në përfitime të shumta. Nga pala kineze këto dy nisma janë quajtur “Motor i dyfishtë” dhe rruga më efikase për të arritur rezultatet e dëshiruara dhe për të përkthyer potencialin e bashkëpunimit në rezultate të prekshme.
Platforma Kinë-EQL, që prej vitit 2012 ka qenë një mekanizëm rajonal tejet aktiv në komunikimin politik. Samitet e nivelit të lartë Kinë-EQL kanë dëshmuar një ndërveprim të intensifikuar nga të dyja palët me zhvillime premtuese vit pas viti për marrëdhëniet Kinë-Shqipëri.
Nga ana tjetër, Kina do të vazhdojë të mbështesë integrimin evropian dhe të mbështesë një BE të bashkuar dhe të fortë duke luajtur një rol më të madh në çështjet ndërkombëtare – këto fjalë të thëna nga Ministri i Jashtëm i Kinës në Tiranë, shprehin në mënyrë eksplicite se ku qëndron Kina në raport me Shqipërinë dhe kontinentin. Integrimi i mëtejshëm i tregjeve të BE dhe Kinës, plus thellimi i marrëveshjeve nën nismën “Një brez, një rrugë” janë padyshim çështje që prekin tërthor edhe Shqipërinë. Ndërkohë që vendet që kanë lidhje të ngushta me Kinën po avancojnë me projekte të gjithanshme nga infrastruktura në energji, nga shëndetësia në digjitalizim, çdo fushë që mund të sjelli përfitime të ndërsjella duhet të jetë në tavolinën e bisedimeve nga pala shqiptare. Duke qenë se vetë Brukseli po afrohet përherë e më shumë me Pekinin, Tirana duhet të ecë me të njëjtat ritme.
Së fundmi, marrëdhëniet Kinë-BE kanë ushtruar një ndikim të thellë mbi politikën botërore, sigurinë, tregtinë, investimet, inovacionin teknologjik dhe mjedisin. Përballë një bote gjithnjë e më të fragmentuar të karakterizuar nga konflikti gjeopolitik, izolimi ekonomik dhe shkëputja e thyerja e zinxhirëve të tregtisë, një marrëdhënie konstruktive dhe efektive midis Kinës dhe BE-së është më i nevojshëm se kurrë.
A mund të përdorin dy fuqitë interesat dhe përgjegjësitë e tyre të përbashkëta për të adresuar sfidat globale, duke promovuar paqen dhe prosperitetin? Historia 50-vjeçare tregon se kjo është e mundur. E ardhmja varet nga vullneti politik, shkathtësia diplomatike dhe aftësia për të parë përtej ndasive të momentit për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme dhe paqësore. Në këtë 50-vjetor, palët kanë një mundësi historike për të rikonfiguruar marrëdhëniet e tyre mbi bazat e mirëkuptimit, interesit të përbashkët dhe përgjegjësisë globale.
Burimi CGTN