
Rama: Konsultime me fermerë e sipërmarrës bujqësorë për të ndërtuar modelet e duhura në fshat
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me fermerë e sipërmarrës në fushën e bujqësisë në një takim në Cërrik, për të dëgjuar problemet dhe idetë e tyre si dhe për të ngritur një urë të re bashkëpunimi në funksion të rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë 2030 në BE.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me fermerë e sipërmarrës në fushën e bujqësisë në një takim në Cërrik, për të dëgjuar problemet dhe idetë e tyre si dhe për të ngritur një urë të re bashkëpunimi në funksion të rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë 2030 në BE.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se arsyeja e takimit ka të bëjë me nevojën për të dëgjuar nga më afër dhe në një mënyrë më të strukturuar këndvështrimet sipas fushave të ndryshme të aktivitetit në këtë territor.
“Gjatë gjithë periudhës së fundit të kontakteve intensive me njerëzit në fshat, për shkak të procesit elektoral kemi krijuar ndjesinë që jemi në nevojën për t’u afruar më shumë dhe për të dëgjuar më shumë nga jeta e përditshme reale e njerëzve që jetojnë dhe punojnë dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre të sipërmarrjes në fshat”, u shpreh Rama.
“Në mënyrë sporadike kemi mundur të informohemi për gjëra që në pamjen e parë janë shumë të thjeshta, por fatkeqësisht janë jashtë rrezes së vëmendjes dhe të leximit nga ana e qeverisë dhe nga ana e strukturave tona vendimmarrëse dhe shkaktojnë konsum të madh energjie dhe patjetër edhe konsum të pafrytshëm të kohës suaj që është njëkohësisht edhe koha e vendit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë, theksoi se, “arsyeja pse e kemi ndërtuar këtë diskutim, këtë tryezë të përbashkët diskutimi në një formë tjetër nga ato të zakonshmet është pikërisht sepse duam që diskutimi të shtrihet në çdo detaj edhe që opinioni juaj të mund të shtjellohet plotësisht në një hapësirë informale, pasi kjo mesa kuptoj unë ka munguar edhe na mungon”.
Patjetër, shtoi Rama, “që pas këtij diskutimi do të mundohemi të gjejmë rrugët sesi ky kontakt i vazhdueshëm të jetë më i frytshëm, më garantues për dëgjimin e zërit tuaj edhe patjetër edhe më i dobishëm në funksion të politikave dhe vendimmarrjeve tona”.
“Ne kemi bërë një përzgjedhje të bazuar tek profilet e ndryshme të sipërmarrjes në fshat edhe natyrisht bazuar në një gjeografi të bazuar ku kemi marrë opinionet e drejtuesve tanë të qarqeve, por nga ana tjetër kemi ftuar këtu edhe disa drejtues të pushtetit vendor, duke pasur parasysh që edhe kjo është një hallkë e dobët e jona në qeverisjen e fshatit, pasi qysh se është bërë reforma administrative-territoriale dhe bashkitë janë zgjeruar me përmasën e hapësirës rurale, në vend që kjo të sillte një rritje të vëmendjes dhe një rritje të mundësive për fermerët dhe për sipërmarrjen në fshat ka sjellë një shkëputje”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se, “në një masë të madhe kryetarët e bashkive e shikojnë fshatin si çështje të urbanizimit, si çështje të infrastrukturës rrugore, të pastrimit, të ndriçimit, por nuk e shikojnë si pjesë të punës së tyre të përditshme, në funksion të zhvillimit dhe jemi në një pikë ku duhet patjetër të garantojmë një kthesë në këtë drejtim sepse ende sot nuk kemi asnjë ndërmarrje të vetme bujqësore të krijuar me kontributin dhe me bashkëpunimin e fermerëve, të sipërmarrësve dhe të strukturave të pushtetit vendor. Janë bërë disa tentativa por faktikisht nuk mund të themi se kemi krijuar një model”, tha Rama.
Ndërkohë, shtoi kreu i qeverisë, “kemi vendosur në dispozicion të fermerëve dhe të fshatit edhe një linjë të re kredie nga Banka e Shqipërisë, 250 milionë euro, që është një shumë kolosale për t’iu përgjigjur ambicieve dhe për t’i dhënë mbështetje projekteve në fshat, por që kjo e kombinuar bashkë me garancinë sovrane që është prej kohësh në dispozicion të fshatit, nuk kanë sjellë dhe gjasat janë që të mos sjellin asnjë rezultat domethënës në rast se ne nuk ndryshojmë qasjen. Dhe kur them ne nuk kam parasysh juve që jeni në sallë, por kam parasysh ne që jemi në politikëbërje dhe në vendimmarrje”.
Për të ndryshuar këtë qasje, shtoi Rama, “na duhet një bashkëpunim më i afërt me protagonistët që janë në fushën e përpjekjes së përditshme në fshat dhe na duhet një plan për të ndërtuar modelet e duhura”.
“Këtu janë edhe disa drejtuesve vendor dhe shpresoj shumë që nga kjo bisedë e sotme të çelim një kapitull të ri bashkëpunimi dhe ndërveprimi me territoret në të cilat zhvillohet jeta e përditshme e fshatit”, tha Rama.
Burimi ATSH