Sejko me misionin e FMN-së: Ekonomia shqiptare, qëndrueshmëri të lartë përballë sfidave globale

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Anke Weber, shefe e misionit për Shqipërinë.


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Anke Weber, shefe e misionit për Shqipërinë. Qëllimi i vizitës së misionit në Shqipëri ishte zhvillimi i dialogut periodik me autoritetet shqiptare mbi zhvillimet ekonomike, monetare e financiare, si dhe politikat e duhura për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar të vendit.

Sipas njoftimit të BSH-së, diskutimet u fokusuan mbi zhvillimet më të fundit ekonomike e financiare në vend, dhe perspektivën e tyre për të ardhmen; politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë; si dhe masat e marra për ruajtjen dhe forcimin e shëndetit të sektorit bankar dhe stabilitetit financiar të vendit.

Fillimisht, Guvernatori Sejko i njohu bashkëbiseduesit me zhvillimet më të fundit në ekonominë vendase. Ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri të lartë përballë sfidave globale, duke ruajtur ritme të qëndrueshme rritjeje dhe stabilitet makroekonomik. Vendi ka shënuar rritje ekonomike, inflacion të ulët e të qëndrueshëm, si dhe një sistem financiar të shëndoshë. Këto arritje janë reflektuar edhe në përmirësimin e vlerësimeve nga agjencitë ndërkombëtare Moody’s dhe S&P.

“Në gjysmën e parë të vitit 2025, ekonomia u rrit me 3,6%, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe turizmi. Papunësia ra në nivelin historik prej 8,5%, ndërsa pagat reale u rritën me ritme të larta. Inflacioni po afrohet gradualisht drejt objektivit 3%, ndërkohë që politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka mbetur akomoduese në mbështetje të këtij procesi, duke krijuar kushte të përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve”, tha Sejko.

Duke u ndalur në ecurinë e sektorit bankar, Guvernatori u shpreh se ai mbetet i qëndrueshëm, likuid dhe i mirëkapitalizuar, ndërsa kreditimi ndaj sektorit privat ka vazhduar të rritet me ritme të forta. Në planin fiskal, politika konsoliduese ka vendosur borxhin publik në trajektore zbritëse, duke forcuar qëndrueshmërinë fiskale.

Në horizontin afatmesëm, pritshmëritë mbeten pozitive. Rritja ekonomike parashikohet të jetë e qëndrueshme, ndërsa inflacioni pritet të stabilizohet pranë objektivit në 6MI të vitit 2026. Banka e Shqipërisë do të vijojë të ndjekë një politikë monetare të kujdesshme dhe të bazuar në të dhëna, me fokus kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar shprehën mbështetjen e tyre për politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe kontributin e rëndësishëm të saj në stabilitetin monetar e financiar. Politika akomoduese ka mbështetur kreditimin dhe aktivitetin ekonomik, pa gjeneruar presione inflacioniste.

Ata vlerësuan pozitivisht nismat e mara nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik, kontrollin e inflacionit dhe reagimin e kujdesshëm monetar ndaj forcimit të kursit të këmbimit. Për përfaqësuesit e FMN-së, flukset e larta valutore, të ndikuara prej rritjes së të ardhurave nga turizmi dhe investimet e huaja direkte, janë dhe shkaqet kryesore që ndikuan në forcimin e Lekut dhe dobësimin e valutave. Ata gjithashtu theksuan rolin e rëndësishëm që kursi i lirë i këmbimit ka në ruajtjen e stabilitetit ekonomik, monetar dhe financiar të vendit, duke u shprehur se regjimi i lirë i kursit është zgjidhja e duhur për Shqipërinë.

Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar u shprehën se anëtarësimi i vendit në sistemin SEPA, në funksion prej tetorit 2025, pritet të forcojë më tej integrimin financiar me Bashkimin Europian dhe të nxisë e formalizojë transaksionet ndërkufitare.

Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, në kuadër të misioneve të FMN-së, asistencës teknike dhe më gjerë. Gjithashtu, ata vlerësuan rëndësinë që do të ketë për vendin zbatimi i një programi të vlerësimit të sektorit financiar (FSAP), puna për të cilin do të fillojë gjatë vitit të ardhshëm.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Pirdeni: Direktiva e BE-së kundër korrupsionit, udhërrëfyes për forcimin e reformave

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, vlerësoi sot rëndësinë e Direktivës së Bashkimit Evropian kundër korrupsionit…

Global 360

Macron pas takimit me Ramën: Franca riafirmon mbështetjen për integrimin evropian të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama u prit sot në takim në Pallatin “Elysée” nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Diplovista

Rama në FII Europe 2026: Shqipëria po merr rol strategjik në sigurinë energjetike të Evropës

Shqipëria po merr rol strategjik në sigurinë energjetike të Evropës, deklaroi kryeministri Edi Rama në samitin ”Future Investment Initiative Europe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Dita Botërore e Refugjatëve dhe 75-vjetori i Konventës së Gjenevës: Premtimi i njerëzimit që nuk duhet harruar

20 Qershor 2026 - Dita Botërore e Refugjatëve. 28 Korrik 2026 - 75-vjetori i Konventës së vitit 1951 mbi Statusin…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Pirdeni: Direktiva e BE-së kundër korrupsionit, udhërrëfyes për forcimin e reformave

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, vlerësoi sot rëndësinë e Direktivës së Bashkimit Evropian kundër korrupsionit…