
Rama: T’i japim bujqësisë profilin e sipërmarrjes, jo histori subvencionesh për të mbajtur frymën
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me fermerë e sipërmarrës në fushën e bujqësisë për të dëgjuar problemet dhe idetë e tyre si dhe për të ngritur një urë të re bashkëpunimi në funksion të rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë 2030 në BE.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me fermerë e sipërmarrës në fushën e bujqësisë për të dëgjuar problemet dhe idetë e tyre si dhe për të ngritur një urë të re bashkëpunimi në funksion të rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë 2030 në BE.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, “nuk është vetëm linja e re e kredisë që ka nevojë të shfrytëzohet maksimalisht dhe që rrezikon të mbetet e pashfrytëzuar, por është edhe ‘Paketa e Maleve’, e cila është një tjetër instrument i ri i vënë në dispozicion të zhvillimit rural që përsëri rrezikon të mbetet e pashfrytëzuar në rast se ne nuk arrijmë të ndërtojmë mekanizmat e duhur të ndërmjetëm deri kur këto gjëra të kthehen në pjesë të të menduarit të përditshëm të komuniteteve”.
Rama u shpreh se, “thjesht ky është një hap i parë për të ndërtuar pastaj një proces edhe për të pasur tryezat e përbashkëta të diskutimit për fshatin edhe në nivel qarku, ku mund të ftohen edhe të tjerë, por duke u nisur nga edhe ato q ëme gjasë do të jenë konkluzionet e para të këtij diskutimi”.
“Kemi nevojë të madhe që të rrisim impaktin e institucioneve që në letër dhe në misionin e tyre kanë mbështetjen e bujqësisë, të zhvillimit rural, por që në realitet kanë dobësi të mëdha”, tha Rama.
“Nëse ne arrijmë të bëjmë më shumë dhe më mirë që juve të bëni më shumë dhe më mirë, bashkimi i të gjithë kontributeve e bën Shqipërinë që të ketë më shumë dhe të jetë më mirë”, theksoi Rama.
Për këtë arsye, iu drejtua Rama fermerëve, “baza e këtij takimi duhet të jetë të qenit krejt të hapur në raport me arsyen pse jemi mbledhur, pa asnjë rezervë, pa asnjë dorashkë, çfarë ju shikoni në jetën e përditshme dhe konstatoni dhe çfarë mendoni që duhet të bëjmë ne”.
“Ndjesia ime është që në suksesin tuaj roli ynë është shumë më i vogël sesa ç’duhet të jetë në fakt. Kjo është ndjesia që kam unë. Unë besoj që juve harxhoni më shumë energji sesa duhet për aspekte të caktuara të punës për shkakun tonë dhe mund t’ju kursehen një pjesë e këtyre energjive që t’i përdorini për të bërë si duhet të tjera gjëra”, tha Rama.
“Nëse nuk arrijmë dot t’i japim bujqësisë profilin e sipërmarrjes dhe nëse nuk arrijmë dot t’i japim të gjithë atyre që duan një shans duke jetuar në fshat mundësinë që të ngrenë sipërmarrje dhe të dalin me një fitim që ia u bën kuptimplotë jetën e tyre në fshat ne nuk e kemi kryer detyrën. Dhe kjo nuk mund të jetë një histori subvencionesh për të mbajtur frymën, por duhet të jetë një histori bashkëpunimi për të transformuar frymën e punës dhe frymën e gjithë jetës së një sipërmarrjeje rurale”.
“Ky vend duhet të ketë një sipërmarrje rurale të fuqishme. Ne kemi ambicien që tani t’i kushtojmë shumë më tepër rëndësi agro-përpunimit, t’i kushtojmë shumë më tepër rëndësi rritjes së eksporteve të produkteve të përpunuara, por kjo kërkon sipërmarrje. Dhe kjo sipërmarrje nuk mund të jetë çështje fati, ose çështje thjesht dhe vetëm e dëshirës dhe e ambicies së ca individëve, por duhet të jetë një strukturë e tërë punë të përbashkët”, u shpreh Rama.
“Kjo kërkon sipërmarrje dhe pushteti vendor duhet të bëhet pararojë në këtë sipërmarrje. Duhet të jetë pika e parë mbështetëse për ata që duan të zgjerojnë sipërmarrjen e tyre ose që duan të bëjnë sipërmarrje të reja në të gjitha aspektet. Jo pushteti vendor të jetë siç ndodh shpeshherë problemi kryesor për të marrë një vërtetim, për të marrë një certifikatë, për të marrë një leje, për të zhvilluar një projekt”, tha Rama.
Burimi ATSH