Spiropali: SPAK dhe GJKKO i kanë dhënë më shumë legjimitet procesit të anëtarësimit në BE

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mbajti sot fjalën në tryezën e diskutimit “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësi dhe Mekanizmat e Llogaridhënies Organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes”.


Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mbajti sot fjalën në tryezën e diskutimit “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësi dhe Mekanizmat e Llogaridhënies Organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes”.

Gjatë fjalës së saj, kryeparlamentarja theksoi se Kuvendi do të mbetet një nga mbështetësit më të fortë të pushtetit gjyqësor. Spiropali nënvizoi më tej se institucionet e reja të drejtësisë në më pak se një dekadë nga funksionimi i tyre kanë dëshmuar një histori suksesi.

“Në një botë gjithmonë e më të ndërvarur, në një hapësirë ku edhe problemet lokale nuk kufizohen nga kufijtë kombëtarë, korrupsioni apo krimi i organizuar, si dy anë të së njëjtës medalje, nuk janë vetëm fenomene lokale. Ku nuk ka rëndësi se cili është pacienti zero, sa kohë që kontaminimi prej tij, mund të prekë këdo. Ndërveprimi, bashkëpunimi për zgjidhje dhe përgjigjet ndaj tyre, nuk mund të kufizohen me kufij shtetërorë. Në këtë prizëm e shoh mbështetjen, shpesh në dukje joproporcionale të Holandës dhe partnerëve tanë evropianë dhe amerikanë, ndaj shëndetit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

“Si e tillë, mirënjohja ime, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, shkon në të gjitha këto adresa. Në gjuhën e përditshme, qoftë në zhargonin popullor, qoftë dhe në gjuhën e përditshme politike, kur flitet për sistemin e drejtësisë, nënkuptohen më së pari dhe më së shumti, dy institucione specifike, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Por kjo nuk është e vërteta, por vetëm një pjesë e saj. Ky keqkuptim vjen për shumë arsye, por dy më kryesoret kanë të bëjnë me objektin e ndjeshëm të fushëveprimit të tyre, me faktin se në më pak se një dekadë nga funksionimi i tyre, në përgjithësi, ato kanë dëshmuar një histori suksesi.

“Ka dhe shumë arsye të tjera, deri dhe psikologjike, sociale dhe kulturore, por kjo është një temë tjetër. Kuvendi i Shqipërisë, një nga pushtetet kyçe në Shqipëri, si miratuesi i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 që jetësuan reformën në drejtësi ka qenë, është dhe do të mbetet një nga mbështetësit dhe përkrahësit më të fortë të pushtetit gjyqësor, në bazë të parimit të ndarjes, kontrollit dhe ekuilibrit të pushteteve, rrjedhojë e një akti me frymëzim politik të rëndësisë së jashtëzakonshme: ndryshimit të arkitekturës së sistemit gjyqësor”, tha Spiropali.

Sipas Spiropalit, ndryshimet që ndodhen me Reformën në Drejtësi i kanë ofruar sistemi pavarësi nga politika.

“Ndryshimi në filozofinë e ndërtimit të arkitekturës së re të drejtësisë shqiptare i ka garantuar atij diçka të paimagjinushme më parë. I ka afruar pavarësi nga politika, dhe duke shkallmuar, në të njëjtën kohë, bunkerin e pandëshkueshmërisë që politika i kishte krijuar vetes me pushtetin e traditës. Më pak se një dekadë nga funksionimi i këtyre dy institucioneve është një kohë e mjaftueshme, qoftë për të bërë një arsyetim të motiveve që ideuan dhe udhëhoqën këtë reformë krejt sui generis në sistemin e drejtësisë, qoftë dhe për të parë rezultatin e deri tanishëm e për të projektuar vizionin e parashikueshëm për të nesërmen. Është bërë shumë në krahasim me të shkuarën, nevojitet të bëhet shumë më shumë në të ardhmen për t’i dhënë qytetarit shqiptar të njëjtën cilësi drejtësie si gjetkë në Evropë dhe duke e bërë vetë drejtësinë si garante të raportit mes individit dhe shtetit, me detyrat dhe detyrimet reciproke në respekt të ligjit.

“Karriera në sistem që diktohej nga politika, ishte një mjet alkimist që krijonte mundësinë e shndërrimit të sistemit në klient të politikës së ditës. E bënte të varur prej saj dhe i jepte politikës një vaksinë imuniteti nga ndjekja penale për vepra në fushën e korrupsionit”, tha Spiropali.

Spiropali shtoi se “thyerja e kësaj varësie pushtet-drejtësi, ka sjellë një përmbysje të vërtetë në realitet, e ka çuar në stenda muzeumesh kulturën e pandëshkueshmërisë. Ajo ka krijuar bindjen se askush më nuk ka garanci që në mos sot, nesër, nuk do të përgjigjet për çfarë ka bërë keq e në dëm të shoqërisë, pavarësisht ngjyrës së pasaportës politike”.

Kryetarja e Kuvendit nënvizoi me tej se sistemi i drejtësisë është ende larg të qenit i përkryer, por është në rrugën e duhur të funksionimit.

“Kush e njeh Shqipërinë në veçanti dhe Ballkanin në përgjithësi, e kupton forcën e pushtetit të traditës. Dhe beteja me traditën e pushtetit të përqendruar dhe mendësinë që një gjë të tillë e konsideron të paprekshme ka qenë e vijon të jetë një nga sfidat më të vështira për t’u fituar. Sot, mund të thuhet pa dilemë se sistemi i drejtësisë është ende larg të qenit i përkryer, por është në rrugën e duhur të funksionimit, kryesisht për shkak të garantimit të pavarësisë së plotë nga humori i politikës së ditës.

Unë besoj se këto dy institucione, SPAK e GJKKO, aty ku publiku ka investuar më së shumti besim e shpresë, janë shndërruar do të vijojnë të shndërrohen në një model krahasimor për gjithë arkitekturën tjetër të sistemit, duke nisur me procese të rregullta e njehsuara, respektimin e të drejtave të individit dhe garantimit e dhënies së drejtësisë në mënyrë të shpejtë, të drejtë e të paanshme, me garanci kushtetuese”, tha Spiropali.

Kryeparlamentarja tha se në sistemin e drejtësisë ka individë që me guximin, përkushtimin, integritetin e profesionalizmin e tyre, kanë fituar besimin e publikut.

“Në një vend të vogël si Shqipëria, shpesh ndodh që edhe një invid i vetëm apo ca pak të tillë, të bëjnë diferencën dhe të afrojnë një udhëheqësi e sinergji më të madhe në procese. Jam e lumtur të vërej se në këto institucione, pa përmendur emra të përveçëm, fatmirësisht ka individë të tillë që me guximin, përkushtimin, integritetin e profesionalizmin e tyre, kanë fituar besimin e publikut. Progresi në këtë pikë nuk është i lehtë. Ai është një luftë e paprerë, ku duhen fituar betejat e çdo dite. Sepse përgjegjësia përpara shoqërisë në përgjithësi dhe qytetarit të ballafaquar me të në veçanti, është maksimale. Mbas çdo shifre dhe statistike është një jetë njerëzore, një dramë familjare e sociale, koston e të cilës, për të mirë apo për të keq, e paguan gjithë shoqëria.

“E duke pasur parasysh një gjë të tillë, nuk mund të le pa përmendur se ndëshkimi është diçka tjetër nga dhënia e drejtësisë, se perceptimi nuk është e njëjta gjë me vërtetimin përtej dyshimit të arsyeshëm të fajësisë së çdokujt, se shpesh procedura është po aq e rëndësishme sa dhe vetë thelbi i çështjes, se edhe kush është nën dyshim, prezumohet si i pafajshëm deri sa gjykata të vendosë ndryshe. Këto janë disa të vërteta elementare që me raste kundërshtohet nga praktika, shpesh e ardhur si frymëzim i pushtetit të traditës së vjetër të sistemit tonë të drejtësisë”, tha Spiropali.

Spiropali tha se “Kuvendi i Shqipërisë ndan të njëjtin vlerësim e mbështetje me Raportin e Komisionit Europian për nevojën e progresit thelbësor në luftën kundër korrupsionit dhe sigurimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë; Për arritjet e deritanishme dhe vijimin e hetimeve në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta, si një prioritet i rëndësishëm; Për pavarësinë e plotë të institucioneve të përfshira në luftën kundër korrusionit dhe inkurajimin e forcimin e kapaciteteve të tyre operacionale dhe investiguese; Për thirrjen për ndalimin e avazit të etiketimeve e sulmeve gati të përditshme, që synojnë të intimidojnë, ndikojnë dhe minojnë punën e SPAK-ut”.

“Për rritjen e mbështetjes dhe të besimit publik për gjyqtarët e prokurorët, si premisa për forcimin e shtetit ligjor dhe avancimin e integrimit evropian të Shqipërisë. Duke pasur parasysh lidershipin e Kuvendit në procesin e integrimit europian, dëshiroj të nënvizoj se përshpejtimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është edhe rezultat e meritë e prokurorëve dhe gjyqtarëve të Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme, e integritetit dhe vendosmërisë së tyre për t’i dhënë fund njëherë e mirë kulturës së pandëshkueshmërisë”, tha Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “SPAK, GJKKO dhe organet e reja të drejtësisë i kanë dhënë më shumë legjimitet procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në familjen europiane”.

Spiropali nënvvizoi më tej se “ecuria e procesit të anëtarësimit gjatë vitit 2025 po dëshmon se ky është viti i grup-kapitullit “Themeloret”, ecuria e të cilit do të përcaktojë edhe zhvillimet edhe në grup-kapitujt e tjerë negociues. Në këtë kontekst, kuptohet sa e rëndësishme është mbështetja e funksionimit të SPAK dhe organeve të tjera të sistemit të drejtësisë”.

Kryeparlamentarja tha se Kuvendi ka qëndruar dhe do të jetë në mbështetje të SPAK, jo mbi të, jo përpara tij, por përkrah tij.

“Kuvendi ka miratuar pa asnjë hezitim kërkesat për mbështetje me burime financiare, materiale e njerëzore për SPAK-un dhe organet e tjera të sistemit, duke i vlerësuar ato si nevoja prioritare. Kuvendi do të vijojë të garantojë që mbrojtja shumëdimensionale që i jep SPAK-ut kuadri ligjor i miratuar, të jetësohet në praktikë në lirinë e plotë për të vepruar pa asnjë ndikim nga jashtë institucionit. Kjo garanci nuk është deklarative, por konkrete, e mishëruar në mbështetjen pa ekuivoke gjatë raportimit dhe miratimit të rezolutave vjetore të Kuvendit, por edhe gjatë bashkëpunimit tonë me institucionet e pavarura dhe agjencitë e tjera të shtetit”, tha Spiropali.

Spiropali u shpreh se “në rezoltutat e vitit 2023 dhe 2024 Kuvendi ka shprehur vlerësimin e tij për veprimtarinë e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për përmbushjen e rekomandimeve në Kuvendit, ruajtjen e pavarësisë së tij institucionale, duke shënuar një rritje të dukshme dhe domethënëse në rritjen e besimit të publikut dhe të institucioneve ndërkombëtare ndaj Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit”.

Sipas Spiropalit “Kuvendi, si garant i ruajtjes së ekulibrave institucionalë në shoqërinë dhe në sistemin demokratik, është njëkohësisht garanti dhe mbrojtësi i SPAK, GJKKO, BKH dhe organeve të sistemit të drejtësisë. Kuvendi mbetet i hapur dhe mirëpret nisma ligjore dhe masa institucionale për të forcuar më tej kapacitetet e SPAK dhe strukturave përkatëse që bashkëpunojnë me këtë institucion”.

“Në vlerësimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe timin si Kryetare, pavarësia dhe llogaridhënia janë njësoj jetike e të rëndësishme për veprimtarinë e organeve të drejtësisë së re. Sinergjia midis pavarësisë dhe llogaridhënies është një kusht themelor për të ndërtuar një sistem që jep drejtësi, sipas parimit askush mbi ligjin, por edhe askush nën ligjin”, tha Spiropali.

Qëllimi i Reformës në drejtësi, nënvizoi Kryetarja e Kuvendit, “është ndërtimi i një sistemi drejtësie me standarde evropiane dhe krahas tyre edhe respektimi i standardeve e garancive kushtetuese dhe të drejtave themelore të njeriut”.

“Pavarësia është reale dhe efektive kur realizohet e lidhur ngushtë me përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien para Kushtetutës, Republikës dhe qytetarëve. Nga ana tjetër, kjo e fundit nuk e kufizon, por i jep pavarësisë më shumë legjitimitet. Në rolin tim si Kryetar Kuvendi, e konsideroj mision ruajtjen e ekuilibrit institucional, një ekuilibër që nuk ka të bëjë me heshtje përballë gabimeve, por me ndërtimin e një raporti të shëndetshëm midis pavarësisë dhe kontrollit demokratik. Ky është thelbi i parlamentarizmit: të mbështesësh institucionet pa u ushtruar presion, të kërkosh llogari pa penguar veprimin e tyre. Për të kërkuar llogari, pa cenuar pavarësinë aq të kërkuar dhe me tor të fituar Dhe për ta udhëhequr vendin në një rrugëtim që nuk ka kthim: drejt demokracisë funksionale dhe integrimit europian”, tha Spiropali.

Burimi ATSH

Gonxhja takon Kryepeshkopin Joan, bashkëpunim për trashëgiminë kulturore

Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin takim me Kryepeshkopin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij, Joanin.

Global 360

Ibrahimaj: Mbështetje ekosistemeve të startup-eve me mbi 10 milionë euro vetëm në 3 vitet e fundit

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në edicionin e 7-të të “Startup City…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

Koçi Tahiri, veprimtar i respektuar i elitës intelektuale dhe i politikës shqiptare

"Pishtari i Demokracisë" dhe ish-deputet (2017-2021) ka veprimtari të gjerë aktive 35-vjeçare, me karakter krahinor dhe kombëtar.

Masmedia

Gonxhja takon Kryepeshkopin Joan, bashkëpunim për trashëgiminë kulturore

Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin takim me Kryepeshkopin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij, Joanin.