
Zaçaj: Kushtetutshmëria, pasaporta e vetme në rrugën e integrimit drejt Evropës së bashkuar
Gjykata Kushtetuese organizoi sot aktivitin për prezantimin e Udhërrëfyesit (Guidës) së Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – Vëllimi II”.

Gjykata Kushtetuese organizoi sot aktivitin për prezantimin e Udhërrëfyesit (Guidës) së Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – Vëllimi II”.
Kryetarja e Gjykata Kushtetuese, Holta Zaçaj në fjalën e saj u shpreh se, “udhërrëfyesi është shumë më tepër se një botim: është i pari i këtij lloji që organizon në mënyrë sistematike vendimet e Gjykatës, duke përfshirë gjithçka: nga parimet themelore kushtetuese, liritë dhe të drejtat e njeriut, organizmin, funksionimin dhe parimet mbi të cilat ushtrojnë veprimtarinë institucionet shtetërore, në këndvështrim të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke siguruar transparencë e akses në drejtësinë kushtetuese, si dhe duke ofruar një mjet të nevojshëm për të kuptuar evolucionin e saj në Shqipëri”.
“Ky udhërrëfyes është një dëshmi e gjallë e trashëgimisë së drejtësisë kushtetuese të Shqipërisë, e pasqyruar në vendimet kyçe të Gjykatës Kushtetuese. Shumë nga këto vendime janë shtyllat themelore të drejtësisë shqiptare, duke shënuar momente vendimtare në zhvillimin demokratik të vendit çka u jep atyre edhe një rëndësi historike. Ato pasqyrojnë sfidat e vazhdueshme të shoqërisë sonë dhe të reformave të ndërmarra, duke vënë në pah rolin e pazëvendësueshëm të Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe vlerave njerëzore që janë sanksionuar në tekstin e Kushtetutës tonë”, theksoi ajo.
Për herë të parë, shtoi Zaçaj “jurisprudenca e plotë e Gjykatës Kushtetuese bëhet e aksesueshme në një format të strukturuar dhe gjithëpërfshirës, duke mundësuar një kuptim më të mirë dhe një përdorim praktik të parimeve e standardeve kushtetuese”.
Ajo theksoi se, ky dokument shërben si një burim i rëndësishëm reference për disa arsye.
“Për vetë Gjykatën Kushtetuese pasi udhërrëfyesi është konceptuar si një dokument pune, i cili ndihmon dhe lehtëson analizën dhe kërkimin shkencor, ashtu edhe shkrimin e arsyetimin ligjor. Së dyti, për gjykatat e zakonshme – udhërrëfyesi ofron një pikë referimi të qartë në ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore, interpretimin tonë të dispozitave kyçe kushtetuese. Së treti, për prokurorët pasi për shkak të rolit kyç që kanë prokurorët në zbatimin e ligjit, së katërti, për avokatët dhe praktikantet e ligjit”, tha ajo.
Për institucionet ekzekutive, udhërrëfyesi ofron qartësi se si parimet kushtetuese duhet të udhëheqin vendimmarrjen ekzekutive, duke siguruar që politikat dhe veprimet e kësaj dege të pushtetit të reflektojnë angazhimin për sundimin e ligjit dhe të drejtat e qytetarëve. Ndërkohë vuri në dukje ajo, për qytetarët dhe shoqërinë civile udhërrëfyesi bën të aksesueshme dhe të kuptueshme parimet kushtetuese duke u mundësuar qytetarëve të angazhohen më mirë për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Duke diskutuar për ndikimin e thellë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Zaçaj u shpreh se, “është e rëndësishme të theksojmë se këto vendime nuk janë thjesht me vlerë historike, ato vazhdojnë të formësojnë dhe pasurojnë peizazhin aktual ligjor përmes autoritetit të tyre precedencial”.
“Është po aq e rëndësishme të nënvizohet se autoriteti i këtyre vendimeve nuk është teorik. Përpjekjet për të kundërshtuar apo për të vënë në diskutim ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm minojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por edhe destabilizojnë qeverisjen demokratike”, tha ajo.
Zaçaj shtoi se, “vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t`u zbatuar—ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet.
Dështimi në ekzekutimin e këtyre vendimeve vë në diskutim vetë Kushtetutën dhe kërcënon integritetin e sundimit të ligjit, i cili kërkon që të gjitha institucionet shtetërore, jo vetëm të respektojnë vendimet e Gjykatës por edhe të veprojnë në shina kushtetuese”.
Kjo, nënvizoi Zaçaj, “ vlen gjithashtu për të mbajtur në vëmendje se kur institucionet përfshirë edhe ato gjyqësore krijojnë konflikte kushtetuese apo veprojnë jashtë kuadrit kushtetues – kjo minon vet legjitimitetin e sistemit ligjor dhe gërryen besimin e publikut”.
Ndaj, shtoi ajo, “Kushtetutshmëria si mënyrë të qeni dhe të sjelluri është pasaporta jonë e vetme në rrugën e integrimit drejt Evropës së bashkuar”.
“Ne jetojmë në një moment historik jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë dhe na duhet të kujtojmë se vetëm demokracia, nuk mjafton. Sundimi i shumicës, edhe kur është i ligjshëm, mund të çojë në ligje që kufizojnë ose shkelin të drejtat themelore. Prandaj, është e domosdoshme që demokracia të jetë kushtetuese, me kufij për pushtetet, respekt të sundimit të ligjit dhe një pushtet gjyqësor të pavarur. Vetëm kështu demokracia nuk është thjesht dhe vetëm një mekanizëm qeverisës por një kulturë lirie, përgjegjshmëria dhe llogaridhënieje”, theksoi Zaçaj.
Megjithatë, shtoi ajo, “edhe vetë Kushtetuta, sado perfekte të jetë, nuk është e mjaftueshme. Është Gjykata Kushtetuese ajo që i jep kuptim, zbatim dhe mbrojtje asaj. Duke interpretuar vlerat mbi të cilat mbështeten dinjiteti njerëzor, barazia, liria dhe drejtësia, ajo siguron që parimet kushtetuese dhe të drejtat themelore të ruhen dhe te garantohen”.
Në këtë këndvështrim, Zaçaj theksoi se, mbetet një sfidë e vazhdueshme që drejtësia të jetë, jo vetëm e drejtë, por mbi të gjitha kushtetuese.
Udhërrëfyesi (Guida) e Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – Vëllimi II” përmbledh standardet e mbajtura në vendimmarrjen e saj që prej vitit 1992 sa i takon parimeve të së drejtës, ndarjes së pushteteve si dhe të drejtave kushtetuese substanciale.
Si një instrument i rëndësishëm i cili do të shërbejë për një njohje edhe më të mirë të vendimmarrjes dhe drejtësisë kushtetuese, ky vëllim i ri ndjek dhe plotëson udhërrëfyesin e parë të Gjykatës të botuar në vitin 2024, i cili përmban jurisprudencën e periudhës 1998-2023 të Gjykatës me fokus ankimin individual kushtetues.
Vëllimi i dytë i Udhërrëfyesit, në pjesën a parë të tij përmbledh vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me parimet e përgjithshme të të drejtave dhe lirive themelore si dhe vendimmarrjen mbi të drejtat substanciale. Në pjesën e dytë ai paraqet standardet në jurisprudencën e Gjykatës mbi ndarjen e pushteteve si dhe mbi organizimin e funksionimin e organeve kushtetuese ku përfshihen institucionet si Presidenti, Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Avokati i Popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjykatat e prokuroria si dhe organet e qeverisjes vendore.
Të dy vëllimet e Udhërrëfyesit, përfaqësojnë një përpjekje të rëndësishme për të sistematizuar dhe bërë edhe më të aksesueshme jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, duke synuar rritjen e transparencës, konsistencës dhe forcimin e kulturës kushtetuese në vend, në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave e lirive të individit.
Botimi është rezultat i një pune të përbashkët të Gjykatës me ekspertë të shquar të së drejtës kushtetuese dhe mbështetet në një metodologji të qartë hulumtimi dhe sistematizimi.
Ky vëllim u realizua me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si dhe me kontributin e Fondacionit Konrad Adenauer Stiftung. Ai është i disponueshëm në format botimi të shtypur si dhe në format elektronik të cilin e gjeni në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.
Burimi ATSH