Presidenti Begaj vizitë në komunat arbëreshe të rajonit Molise në Itali

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare në komunat arbëreshe të rajonit Molise në Itali, ku u prit me nderime të larta shtetërore nga përfaqësuesit më të lartë të institucioneve vendore të këtij rajoni.


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare në komunat arbëreshe të rajonit Molise në Itali, ku u prit me nderime të larta shtetërore nga përfaqësuesit më të lartë të institucioneve vendore të këtij rajoni.

“Kënaqësi të takohem me autoritetet e larta të Rajonit të Molises”, deklaroi Presidenti Begaj, duke ndarë vlerësimin se çdo takim me autoritetet italiane mbart këtë frymë miqësie që karakterizon marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh në të gjitha fushat: politikë, ekonomi, kulturë, arsim, shendetësi, e të tjera. Një kontribut të posaçëm në forcimin e vazhdueshëm të lidhjeve historike, kulturore dhe njerëzore ndërmjet dy vendeve kanë dhënë komunitetet arbëreshe dhe diaspora e re shqiptare.

Kreu i Shtetit theksoi se “Shqipëria–Italia–Arbëria” është një projekt që e përforcon partneritetin strategjik mes dy vendeve tona dhe nxit bashkëpunime të reja në fusha me interes të ndërsjellë.

Në komunën arbëreshe Ururi, Presidenti Begaj mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të statujës së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një simbol i përjetshëm i unitetit dhe krenarisë sonë kombëtare.

Në fjalën e tij, kreu i Shtetit vlerësoi bashkimin shpirtëror mes shqiptarëve dhe arbëreshëve, duke theksuar se “Skënderbeu nuk ishte vetëm luftëtar, por edhe vizionar e bashkues, pararendës i Shqipërisë evropiane, që ka mbetur përherë e lidhur me qytetërimin perëndimor. Sot, ai flet me ne përmes frymës së bashkimit dhe vetëdijes kombëtare që na la trashëgimi”.

Në komunën arbëreshe Portocanone, Presidenti Begaj vizitoi sheshin “Skanderbeg” ku jetojnë arbëreshë dhe shqiptarë të emigruar pas viteve ’90.

Në fjalën e tij për pjesëmarrësit në një tubim mirëseardhjeje nga komuniteti arbëresh që jeton në këtë komunë, Presidenti Begaj përshëndeti përpjekjet shekullore të tyre për ruajtjen e gjuhës, zakoneve, kostumeve dhe traditave të të parëve, si dhe vlerësoi nderimin që arbëreshët u bëjnë ambasadorëve të kulturës kombëtare, artistëve të shquar që bënë që emri Shqipëri të njihet dhe përmendet me simpati e vlerësim.

“Është një ndjenjë e veçantë të jem sot këtu, në Portkanun, një vend që mban në vetvete historinë, kujtesën dhe shpirtin e gjallë të Arbërisë. Në këtë shesh, ku fjalët shqip dhe italisht përzihen me dashuri, ndihet fuqishëm ajo që as koha dhe as deti nuk e ndan dot: një gjuhë, një origjinë, një gjak”, u shpreh Presidenti Begaj.

Gjatë qëndrimit në Portocanone, Presidenti Begaj mori pjesë në vendosjen e një skulpture të artistit të madh shqiptar, Ibrahim Kodra, i cili u shkollua, jetoi dhe e ushtroi artin e tij në Itali, ku ka vizituar dhe është mirëpritur pothuajse në të gjitha komunat dhe fshatrat arbëreshë.

“Kodra i përkiste Shqipërisë, por fliste me gjuhën e botës. Ai dëshmoi se talenti nuk njeh kufij, se identiteti nuk humbet kur shndërrohet në frymë universale. Sot, duke kujtuar Ibrahim Kodrën, ne kujtojmë fuqinë e shpirtit shqiptar për të ndriçuar kudo, kujtojmë se arti është ura më e bukur që mund të ndërtojë një komb”, theksoi Presidenti Begaj.

Sikurse në çdo komunë arbëreshe, edhe në Komunën Montecilfone, Presidenti u prit nga përfaqësues të komunitetit arbëresh dhe nga bashkatdhetarë shqiptarë të emigruar në këtë zonë pas viteve ’90.

Presidenti shprehu edhe këtu vlerësimin dhe respektin për përpjekjet brez pas brezi të këtij komuniteti për ruajtjen e identitetit kulturor dhe gjuhësor arbëror, duke përmendur Qendrën Studimore për Diversitetin Gjuhësor dhe revistën “Kamastra” si shembuj të punës së çmuar të studiuesve lokalë për të vijuar në udhën e figurave të ndritura historike arbëreshe.

“Vetëm duke ndarë ato që kemi më të bukura: gjuhën, kulturën dhe kujtesën, ne e bëjmë më të fortë identitetin tonë të përbashkët. Faleminderit, Montecilfone, për mikpritjen, për dashurinë ndaj rrënjëve dhe për dëshminë se Arbëria jeton në gjuhë, në shpirt dhe në zemrën e çdo shqiptari”, u shpreh Presidenti Begaj.

Presidenti Begaj vizitoi, gjithashtu, Komunën e Kampo Marinës, ku theksoi se kontributi i komuniteteve arbëreshe në ruajtjen dhe respektimin e karakteristikave të forta identitare dhe individualitetit që komunitetet arbëreshe mbartin prej shekujsh i shërben njëkohësisht forcimit të lidhjeve të miqësisë mes vendit që i mikpriti dhe integroi, Italisë dhe dheut të të parëve, Shqipërisë, “vlera që janë themeli mbi të cilin forcohet miqësia e përhershme mes dy popujve tanë”.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Nufi: Vatrat aktive të zjarreve nën kontroll, nuk ka rrezik për zonat e banuara

Forcat e Armatosura po vijojnë angazhimin në terren për menaxhimin e vatrave të zjarreve.

Global 360

I nxehti ekstrem përfshin SHBA-në, mbi 60 milionë njerëz në alarm

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, temperaturat në shumë zona pritet të kalojnë 38 gradë Celsius, ndërsa lagështia e lartë do…

Diplovista

Rama për “Financial Times”: Shqipëria në rrugë të qartë drejt Bashkimit Evropian

Ne kemi një rrugë të qartë drejt Bashkimit Evropian, i deklaroi kryeministri Edi Rama prestigjiozes ”Finacial Times”.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Dita Botërore e Refugjatëve dhe 75-vjetori i Konventës së Gjenevës: Premtimi i njerëzimit që nuk duhet harruar

20 Qershor 2026 - Dita Botërore e Refugjatëve. 28 Korrik 2026 - 75-vjetori i Konventës së vitit 1951 mbi Statusin…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Nufi: Vatrat aktive të zjarreve nën kontroll, nuk ka rrezik për zonat e banuara

Forcat e Armatosura po vijojnë angazhimin në terren për menaxhimin e vatrave të zjarreve.