
Takimi i kësaj jave Kinë – SHBA shpresë për një bashkëpunim të frytshëm për ekonominë, sigurinë dhe teknologjinë globale
Presidenti Xi Jinping dhe Presidenti Donald Trump pritet të takohen nga data 13 deri në 15 Maj. Samiti vjen në një kohë kur marrëdhëniet midis dy ekonomive më të mëdha në botë janë ndikuar nga një kontekst global i paqëndrueshëm

Nga Prof. Dr. Petraq Milo
Presidenti Xi Jinping dhe Presidenti Donald Trump pritet të takohen nga data 13 deri në 15 Maj. Samiti vjen në një kohë kur marrëdhëniet midis dy ekonomive më të mëdha në botë janë ndikuar nga një kontekst global i paqëndrueshëm. Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar shumë çështje ekonomike dhe tregtare që vazhdojnë të ndikojnë në marrëdhëniet dypalëshe. Bashkëpunimi ekonomik midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është shumë i rëndësishëm, për faktin që marrëdhënia e tyre ekonomike dhe tregtare ka implikime për ekonominë globale. Të dy vendet janë dy ekonomitë më të mëdha në botë. Së bashku ekonomitë e tyre, sipas Bankës Botërore, përbëjnë rreth 43 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) global dhe gati 48 për qind të prodhimit global të industrisë përpunuese për vitin 2023. Kina është gjithashtu tregu i tretë më i madh i eksporteve për Shtetet e Bashkuara, pas Kanadasë dhe Meksikës, në rreth 420 miliardë dollarë në vitin 2025. Kina gjithashtu ka një pjesëmarrje të konsiderueshme në obligacionet e thesarit të SHBA-së – afërsisht 760 miliardë dollarë – duke e bërë atë kreditorin e dytë më të madh të huaj për Shtetet e Bashkuara, pas Japonisë.

Mëngjesin e 14 majit, Presidenti i Kinës Xi Jinping mbajti një ceremoni në sheshin e hyrjes lindore të Pallatit të Asamblesë Kombëtare Popullore në Pekin/Foto nga CMG
Veprimet e tyre kanë pasoja të mëdha, për mirë a për keq. Në një situatë të një bote të përsosur, të dy vendet do të udhëhiqnin komunitetin global dhe do të bashkëpunonin në ofrimin e të mirave publike globale, duke përfshirë mirë funksionimin e një ekonomie ndërkombëtare dhe zgjidhjen e çështjeve ndërkufitare si ndryshimi i klimës dhe shëndeti publik. Por aktualisht, mosbesimi në rritje dhe rivaliteti strategjik midis SHBA-së dhe Kinës e kanë zhvendosur marrëdhënien e tyre nga bashkëpunimi reciprokisht i dobishëm në konflikt të kushtueshëm. Efektet e luftës tregtare shkojnë shumë përtej territoreve të dy superfuqive ekonomike, duke filluar së pari nga ndërprerja globale e zinxhirëve të furnizimit. Lufta tregtare midis SHBA-së dhe Kinës ka shkaktuar ndikime të gjera dhe komplekse në të dy ekonomitë duke ndikuar nga marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, zgjedhjen e investimeve, punësimin, çmimet e konsumatorit dhe politikën e përgjithshme ekonomike. Edhe pse të dy vendet kanë pretenduar se kanë mbrojtur interesat kombëtare, kostot ekonomike, si të drejtpërdrejta ashtu edhe të tërthorta, kanë qenë të mëdha dhe ato vazhdojnë të ndryshojnë për sa kohë rivaliteti vazhdon të rritet.
Në shumë analiza ekonomike është treguar që tarifat kanë kontribuar në kosto më të larta për konsumatorët dhe bizneset, me çmimet e mallrave bazë në SHBA që janë rritur me 1.9% që nga fillimi i vitit 2026. Ekonomistët kritikojnë luftën tregtare duke argumentuar se tarifat rritën çmimet dhe ndëshkuan konsumatorët amerikanë. Dhe, sipas hulumtimeve të Institutit Peterson mbi Ekonomisë Ndërkombëtare, në SHBA inflacioni është mbi nivelin bazë si rezultat i rritjes së çmimeve të mallrave të importuara. Rritja e tarifave përkthehet në mallra më të shtrenjta për konsumatorët dhe kosto më të larta për mallrat e ndërmjetme për kompanitë amerikane. Importuesit amerikanë transferuan pjesën më të madhe të shumës së tarifës te konsumatorët, duke çuar në rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të shumta, të tilla si elektronika, mobiljet, makineritë veshjet, etj. Sektori më i prekur ishte sektori i bujqësisë, pasi Kina në përgjigje të luftës së SHBA-së vendosi tarifa për sojën, mishin e derrit dhe mallra të tjera bujqësore amerikane. Përkundrazi, në Kinë, çmimet vendase kanë rënie sepse produktet e destinuara për eksport kanë shkaktuar një rritje të konkurrencës vendase.

Mëngjesin e 14 majit, Presidenti i Kinës Xi Jinping mbajti një ceremoni në sheshin e hyrjes lindore të Pallatit të Asamblesë Kombëtare Popullore në Pekin/Foto nga CMG
E ardhmja e marrëdhënieve tregtare SHBA-Kinë është e pasigurt, pasi përshkallëzimi i jashtëzakonshëm i tarifave në vitin e kaluar tregoi qartë tkurrjen e tregtisë midis dy vendeve. Flukset bruto dypalëshe tregtare kanë rënë ndjeshëm që nga viti 2018, nga 633,5 miliardë USD në vitin 2018, në 559,7 miliardë USD në vitin 2025. Kina ishte tregu i katërt më i madh i eksporteve të SHBA-së në vitin 2025 në vlerën 139 miliardë USD dhe burimi i tretë më i madh i importeve të SHBA-së prej 420 miliardë USD. Të dy flukset ishin më shumë se 19 përqind më të ulëta se në vitin 2024. Rënia e flukseve tregtare të drejtpërdrejta kineze në Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar që nga viti 2021, nga mbi 775 miliard USD në vitin 2021 në 559 miliardë në vitin 2025. Ndërkohë është rritur fluksi në 80% në periudhën 2025-2018 me vendet aziatike, në 73% në periudhën 2019-2025 me vendet e Amerikës Latine, dhe në 67% në të njëjtën periudhë me vendet e Afrikës.
Indeksi Janar 2018 =100

Burimi: Kalkulimet nga autori bazuar në të dhënat nga Zyra Doganore të Kinës /www.customs.gov.cn
Prodhimi amerikan i industrisë përpunuese është ndikuar negativisht. Shumica e kompanive që përdornin mallra të ndërmjetëm në Kinë, përjetuan kosto të lidhura me rritjen e kostove të inputeve, duke sjellë ngecje të prodhimit, shkarkim ose zhvendosje të zinxhirëve të furnizimit, të cilat në shumicën e rasteve rezultuan shumë të kushtueshme. Gjithashtu, Kina duke ju përgjigjur SHBA, gjatë luftës tregtare, rriti detyrimet doganore ndaj kompanive dhe fermerëve amerikanë, dhe uli tarifat e saj ndaj eksportuesve nga vendet e tjera, duke i vënë prodhuesit amerikanë në pozita disavantazhi. Edhe pse kishte nga ato kompani që zhvendosën operacionet e tyre në vende të tjera si Vietnami dhe Meksika, rivendosja e gjendjes në SHBA ishte minimale për shkak të kostove të larta të punës dhe kufizimeve të biznesit.
Në rastin e Kinës, ekonomia kineze ishte më elastike sepse kishte një treg më të madh vendas. Por megjithatë, embargoja amerikane ndaj Huawei dhe kompanive të tjera ndërpreu aksesin në gjysmëpërçuesit dhe softuerët thelbësorë, ngadalësoi prodhimin e produkteve dhe kërkimit. Ndalimi i kompanive amerikane që t’u shesin kompanive kineze nuk i la Kinës zgjidhje tjetër përveçse të investonte shumë në inovacionin vendas, por megjithatë kjo shkaktoi humbje në perspektivën afatshkurtër. Kina ka zbutur në mënyrë efektive humbjet tregtare nga lufta tarifave e SHBA-së duke përqendruar zgjerimin e tregtisë me vendet e iniciativës “Një Brez, një Rrugë” (BRI) si dhe me vendet aziatike. Kjo politikë e rritjes së tregtisë dhe investimeve në këto rajone, ka zvogëluar varësinë e saj nga tregu i SHBA-së.

Mëngjesin e 14 majit, Presidenti i Kinës Xi Jinping mbajti një ceremoni në sheshin e hyrjes lindore të Pallatit të Asamblesë Kombëtare Popullore në Pekin/Foto nga CMG
Të dhënat nga Instituti Peterson i Ekonomisë Ndërkombëtare tregojnë se vendosja e tarifave ka ulur ritmin e rritjes së ekonomisë amerikane në 0.23 pikë përqindjeje nga niveli bazë në vitin 2025. Rritja e PBB-së është ngadalësuar sepse kostot e importit janë rritur, të ardhurat e familjeve dhe firmave amerikane kanë rënë dhe kërkesa e huaj për eksportet amerikane është ulur. Edhe pse efekti në PBB-në afatgjatë për SHBA-së nuk do të jetë shumë i lartë, lufta tregtare ka kontribuar në ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe ka krijuar pasiguri në klimën e biznesit për të konsideruar rritje të investimeve kapitale. Implikimet globale të luftës tregtare SHBA-Kinë kanë ripërcaktuar rendin ekonomik global përtej sferës së këtyre dy vendeve si në modelin e tregtisë globale, të flukseve të investimeve, të zinxhirëve të furnizimit dhe në strukturën e qeverisjes ndërkombëtare.
Rikonfigurimi i zinxhirëve të furnizimit global është një nga pasojat më të rëndësishme. Me tregtinë dypalëshe midis SHBA-së dhe Kinës, që u bë më e kushtueshme për shkak të tarifave, firmat filluan të kontraktojnë prodhimin dhe furnizimin me jashtë në vendet duke përfshirë Vietnamin, Indinë, Bangladeshin dhe Meksikën. Ekonomitë aziatike, veçanërisht ato të Azisë Juglindore, realizuan një aktivitet të shtuar prodhues. Megjithatë, ky ndryshim nuk u absorbua plotësisht në shumë vende për shkak të mungesës së infrastrukturës, mungesës së kapacitetit të punës ose mjedisit rregullator, duke çuar në një rritje të kostove të prodhimit dhe dërgesa më të ngadalta.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se rritja e tarifave dhe tensionet tregtare midis SHBA-së dhe Kinës po e pengojnë rritjen globale, duke kërcënuar ta ngadalësojnë atë në 3.1% në vitin 2026. Lufta tregtare ka shkaktuar paqëndrueshmëri të vazhdueshme me theks të veçantë në vendet në zhvillim, të cilat mbështetën ekonomitë e tyre në tregtinë e mallrave. Gjithashtu kjo ka rritur kostot për konsumatorët dhe ka nxitur zhvendosjen e prodhimit nga Kina, drejt vendeve të tjera, përgjithësisht aziatike, të cilat kanë fituar duke mbushur boshllëqet tregtare. Nga viti 2025, kostot e ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit tregtar arritën në rreth 4.7 trilion dollarë, duke u dyfishuar nga viti 2017. Konkurrenca e fortë në sektorë si inteligjenca artificiale dhe gjysmëpërçuesit ka ndërprerë inovacionin dhe investimet globale.
Le të shpresojmë që Samiti i Majit midis presidentëve Trump dhe Xi Jinping të jetë frymëzues, për t’i dhënë botës shpresë se këto fuqi të mëdha mund të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët. Komuniteti global është i shqetësuar dhe i lodhur nga luftërat në Ukrainë, Rripin e Gazës dhe Iran dhe nga ndjesia se lufta tani është bërë një vijë sjellje e pranueshme. Teoria e përgjithshme ekonomike tregon se luftërat tregtare në përgjithësi janë shkatërruese për rritjen ekonomike afatgjatë dhe mirëqenien globale. Kur dy vendet e fuqishme ekonomike bashkëpunojnë, kjo ndikon pozitivisht në nivel global në uljen e rrezikut të tregtisë ndërkombëtare, në stabilitetin financiar dhe zhvillimin ekonomik të shumë vendeve të tjera. Bashkëpunimi ndihmon në uljen e tensioneve ekonomike dhe politike. Kur ka dialog shmangen konfliktet si luftërat tregtare, të cilat mund të dëmtojnë ekonominë globale. Takimi i SHBA-së dhe Kinës është një mundësi për të ndryshuar narrativën dhe për të rrënjosur shpresën se të dy vendet mund të punojnë përmes shumë çështjeve që na ndajnë, dhe të përqendrohen në vend të kësaj në çështjet që mund të çojnë në përmirësimin e njerëzimit.
Burimi CGTN


















