
“Shqipëria në BE, projekt më i madh se amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”
Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në Samitin e Diasporës

Në Samitin e IV të Diasporës Shqiptare, Tirana bëhet pikëtakimi i historive, sukseseve dhe ëndrrave që lindin larg, por që gjithmonë kthehen te rrënjët.
Përmes rrënjëve lartësohemi”, ky Samit kthehet në një hapësirë ku identiteti nuk humbet, por forcohet, ku distanca nuk ndan, por lidh, e ku çdo shqiptar, kudo që jeton, është pjesë e së njëjtës histori.
Në sesionin hapës të Samitit të Diasporës, Kryeministri Edi Rama deklaroi se shqiptarët jashtë atdheut tashmë nuk janë vetëm pjesë e ndjenjës kombëtare, por edhe aktorë të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen për të ardhmen e Shqipërisë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në Samitin e IV të Diasporës mbajtur në Tiranë:
Të nderuara dhe të nderuar, zonja dhe zotërinj,
Të dashur vëllezër dhe motra të diasporës shqiptare, miq dhe të ftuar!
Është një privilegj i veçantë të jem sot këtu para jush si kryeministër i Shqipërisë, por edhe një kënaqësi e veçantë të vij sot këtu me ju si një zë mes shumë zërash që formojnë bashkësinë e një kombi shumë më të madh sesa kufijtë e tij. Se Shqipëria nuk mbaron aty ku mbaron territori i saj. Shqipëria jeton kudo ku shqiptarët mbajnë gjuhën, kujtesën, shpresën kokëfortë dhe ndjenjën e pathyeshme të përkatësisë së tyre kombëtare.
Dhe sot, kur bota është më e ndërlidhur se kurrë dhe kur fjala, si kurrë më parë ven e vjen në çast sa hap e mbyll sytë nga një kontinent në tjetrin, ju jeni zgjatim i gjallë i Shqipërisë kudo në botë. Fryma e kombit përtej gjeografisë, prova e tij se identiteti nuk përmblidhet në kornizën e hartës, por zgjerohet nga udhëtimet e njerëzve të tij.
Ka pasur një kohë, jo shumë larg, kur shqiptarët iknin nga atdheu duke i mbajtur zemrat si gurë mbi shpinë, duke marrë me vete guximin e kujt s’ka asgjë për të humbur dhe dhembjen e ndarjes me gjithçka i lidhte pas kësaj bote.
Por atë që historia deri dje e quante ikje të pangushëllueshme, koha e ka shndërruar në një lidhje të pazëvendësueshme.
Ajo që dikur dukej si hendek, sot është bërë urë. Sot, Diaspora shqiptare nuk është më një histori ikjeje, ajo është një histori e shumëfishimit të forcave të kombit shqiptar dhe vlerës së shtuar të Shqipërisë.
Mes dallgësh dhe të përpjetash të frikshme, shqiptarët ndërtuan jetë, familje, karrierë profesionale dhe sipërmarrje të suksesshme, në vende që nisën t’i njohin ata, jo përmes stereotipeve po përmes dobisë së tyre, qëndrueshmërisë së tyre, fisnikërisë të tyre, ndërkohë që Shqipëria mbetej një vrimë e zezë në parafytyrimin e të tjerëve. Dhe përtej historive tuaja individuale të suksesit, ju bartët diçka edhe më të rëndësishme; fillin e padukshëm që na lidh të tërëve me këtë tokë, një fije që asnjë distancë nuk e këput dot, një fije e bërë nga gjuha që flitet në shtëpi, nga traditat që mbahen gjallë, nga kujtimet që kalohen nga baba e nëna tek vajza e djali.
Ky fill nuk është nostalgji, është aseti ynë strategjik, forca e madhe përbashkuese që kombi ka dhe njëkohësisht sfida që Shqipëria dhe shqiptarët kanë sot, për ta mbajtur, ruajtur, përcjellë brez pas brezi përballë rreziqeve të mëdha që i kanosen në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, gjuhën e tyre në një botë ku vendet që kanë sukses, janë ato që kuptojnë dhe veprojnë me vetëdijen se njerëzit e tyre kudo ku ndodhen, janë një pjesë e një ekosistemi të vetëm të njohurive dhe mundësive të rritjes përmes gjuhës.
Miqtë e mi, ky samit nuk është një mbledhje ceremoniale, është një deklaratë qëllimesh të larta dhe të përbashkëta; është pa dyshim dhe mishërim i bindjes sonë se diaspora shqiptare nuk është në periferi të jetës kombëtare të Shqipërisë, por në qendrën e saj. Shqipëria sot nuk është më vendi që i kërkon diasporës kujtesë dhe indulgjencë monetare. Ky vend është një kantier i madh transformimesh që e fton diasporën në pjesëmarrje; pjesëmarrje në investime, pjesëmarrje në inovacion dhe në jetën akademike, pjesëmarrje në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë.
Si në çdo kantier, edhe në kantierin e Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian, ka pluhur, ka pisllëk, ka zhurmë, nganjëherë shurdhuese, por mjafton të kthejmë kokën pas, në kohën kur filluam të mendonim për samitin e parë të diasporës për të marrë kurajo, forcë, frymëzim dhe për të vijuar punën kolosale që kemi nisur.
Atëherë, ky ishte mbi të gjitha një moment ritakimi në një vend plot shpresë të rilindur, por dhe plot plagë të hapura.
Ishte një hap i parë për të thirrur fuqinë e diasporës dhe për tu ndjerë më të fortë përballë të përpjetës së thepisur që duhet të ngjisnim, drejt majës ku sot jemi më afër se kurrë ndonjëherë.
Ai ishte fillimi i një bisede të ndërprerë mes Shqipërisë dhe bijve të saj përtej detit dhe përtej maleve. Sot, jemi në fazën e ndërtimit të asaj që ka qenë boshti i bisedës sonë shekullore, rrugës së lidhjes përfundimtare me atë anë të botës ku dielli lind andej nga perëndon.
Në samitin e parë kërkesa juaj e parë, ishte e drejta e votës nga jashtë atdheut, po kështu dhe në të dytin e po ashtu dhe në të tretin. Ishte një kërkesë themelore për të qenë jo vetëm pjesë emocionale e këtij kombi, por edhe pjesë aktive e vendimmarrjes së tij.
Sot ju vini këtu, pasi e keni ushtruar atë të drejtë në zgjedhjet e vitit të shkuar, nga një e drejtë e kërkuar në një të drejtë të ushtruar.; nga një zë që kërkohej të dëgjohej në një zë që tanimë është pjesë e vendimmarrjes popullore për udhëheqjen e këtij vendi.
Atëherë, shumë prej jush ishin shqiptarë që shpesh duhet të përballeshin me paragjykime për emrin e vendit tuaj. Sot ju jeni kryelartë kudo dhe kurdo emri i vendit tonë thirret në vëmendje, sepse emri i Shqipërisë ka kaluar një transformim të thellë; nga një sinonim i një të keqeje në sytë e të tjerëve, Shqipëria është bërë sinonim i diellit, i natyrës dhe i njerëzve mikpritës.
Nga një vend që përmendej në rastin më të mirë me dyshim dhe në rastin më të keq me përbuzje, Shqipëria sot është një vend që përmendet në rastin më të mirë me kuriozitet dhe në rastin edhe më të mirë, me dëshirë.
Nga një emër që shpesh duhej shpjeguar se ku binte në hartën e botës, sot Shqipëria është një emër që flet vetë në të gjitha gjuhët e botës.
Sot Shqipëria është shumë më ndryshe nga atëherë kur ne u mblodhëm në samitin e parë të diasporës.
E nisëm rrugëtimin tonë me një Prodhim të Përgjithshëm Kombëtar, më pak se 10 miliardë euro; sot Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar është 27 miliardë euro dhe në fund të kësaj dekade ne synojmë ta çojmë në 35 miliardë euro.
E nisëm rrugëtimin tonë me të ardhura për frymë, më pak se 3 mijë euro në vit dhe sot jemi mbi 11 mijë euro në vit, synimi ynë që është që në vitin 2030 të jemi mbi 15 mijë euro në vit.
E nisëm rrugëtimin tonë, me 2 milionë e ca turistë, ku dhe paraardhësi im në zyrë, e numëronte veten si turistë sa herë që kthehej nga udhëtimet e punës jashtë shtetit dhe ku çdo shqiptar që dilte jashtë, kur hynte përsëri për t’u kthyer në shtëpi, numërohej si turist.
Në atë kohë Shqipëria kishte 300 – 400 milion euro investime të huaja në vit, sot Shqipëria ka 12 milion turistë dhe kaloi 1.6 miliard euro investime të huaja në vit.
Atëhere, askush prej kush kur dilnit nga kufijtë e Shqipërisë, apo kur kërkonit nga Shqipëria një shërbim nuk mund ta merrnit dot përveçse duke pritur pushimet për tu kthyer në shtëpi dhe në vend se të pushonit në të gjitha ditët, ta kalonit një ditë të tërë në radhë, për të marrë një shërbim. Sot ju i merrni pothuajse të gjitha shërbimet, 95% të shërbimeve të shtetit në çdo pikë të botës ku jeni, thjeshtë dhe vetëm falë shtetësisë suaj dhe një kliku në smartfonin apo kompjuterin tuaj.
Atëhere, kur ne u mblodhëm për herë të parë Shqipëria njihej botërisht dhe ishte e damkosur nga Bashkimi Europian si atdheu i pandëshkueshmërisë, ku ligji vepronte vetëm ndaj të dobëtëve dhe ku çdo i fortë sfidonte ligjin. Sot pandëshueshmëria është një mit i të kaluarës në Shqipëri dhe sot Shqipëria është vendi ku askush nuk është mbi ligjin dhe drejtësia është e pavarur siç nuk ka qenë qysh në krye të herës nga 1912 deri kur ne me vullnet të plotë i dorëzuam asaj shpatën që i takon vetëm duarve të saj për të bërë drejtësi të barabartë për të gjithë dhe pa kursyer askënd.
Atëhere, Shqipërisë i mbyllej rregullisht dera e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Sot ne i kemi çelur të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe e kemi bërë këtë në një kohë rekord për vetëm 11 muaj, sepse njësoj si ju kur ju mbyllej dera në fytyrë në ato hapa të parë në rrugët e botës dhe kur askush nuk kishte kohë, nuk kishte respekt, nuk kishte besim, e prandaj nuk kishte as vëmendje për të dëgjuar dhe për të kuptuar se sa vlenit, por ju këmbëngulnit, këmbëngulnit, këmbëngulnit dhe pasi shkonit në darkë dhe fshinit lotët nga poshtërimi i ditës, riktheheshit në mëngjes për të vazhduar të këmbëngulnit në pritje, duke qenë gati për derën kur të hapej. Edhe Shqipëria këmbënguli, këmbënguli, këmbënguli dhe ishte gati në momentin kur dera u hap. E për këtë arsye, i hapi edhe kapitujt e negociatave për anëtarësim më shpejt se çdo vend tjetër në rrugën e anëtarësimit përpara saj.
Atëherë, kur ju erdhët në samitin e parë, e ardhmja europiane ishte aspirata që mbetej larg. Sot e ardhmja europiane është një tryezë, ku jemi të ulur çdo ditë bashkërisht, ballë për ballë, ne dhe Komisioni Europian me ambicien e përbashkët për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027. Sot nuk duket më një kumt dëshiror në ajër, por është një fjalë që zë vend si çdo fjalë e përditshme. Ajo që Ismail Qemali tha në momentin themelues të shtetit tonë: – “Shqipëria do të bëhet”. Në gojën e atit të pavarësisë, ajo fjali nuk ishte një përshkrim, ishte një besim. Një besim që kaloi nëpër breza, përmes peripecish të mëdha, dështimesh tragjike, ringritjesh frymëzuese. Një besim që sot si kurrë ndonjëherë ka marrë trajtën konkrete të shtetbërjes europiane të Shqipërisë dhe të objektivit që tanimë nuk parafytyrohet, por shihet, preket me sy më afër se kurrë për ta ulur Shqipërinë në tryezën e familjes europiane, si të barabartë mes të barabartësh në vitin 2030.
Fan Noli na kujtonte se Shqipëria nuk mund të rrojë pa shqiptarët e saj dhe sot kur shqiptarët janë sa brenda aq dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, ndërsa Shqipëria është në të përpjetën e fundit drejt bashkimit të shumë ëndërruar me Europën, kjo fjalë e korifeut të shqiptarisë merr një kuptim dhe një forcë të posaçme.
Ashtu siç merr një kuptim dhe një forcë të posaçme edhe paralajmërimi i mprehtë i korifeut tjetër Faik Konicës, i cili na porosit: – “se një komb nuk mund të mbështetet tek iluzionet për veten, por tek aftësia për t’u vetë përmirësuar, vazhdimisht”. Dhe pikërisht këtu qëndron ndryshimi më i madh i kësaj dekade, ku edhe falë reformash transformuese dhe përpjekjes intensive integruese me Bashkimin Europian kemi kaluar nga një Shqipëri që përpiqej të mbijetonte në një Shqipëri që përpiqet të përmirësohet; nga një Shqipëri që kërkonte të pranohej ndërkombëtarisht mes mosbesimit të përgjithshëm, në një Shqipëri që respektohet dhe besohet si kurrë më parë në arenën ndërkombëtare.
Shqipëria sot nuk është gjëkundi më Shqipëria që shumë prej jush lanë pas. Është një vend që ndryshon çdo ditë, ndonjëherë ngadalë, ndonjëherë më shpejt se sa e kemi pritur edhe ne vetë, por në mënyrë të padiskutueshme dhe të pakthyeshme Shqipëria ecën vetëm përpara.
Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian nuk është një objektiv politik, është një zgjedhje qytetërimi, është përmbyllja e një rrugëtimi që shumë prej jush e kanë jetuar tanimë në jetët e tyre, duke ju integruar në shoqëri që përfaqësojnë vlerat që ne synojmë të rrënjosim këtu në Shqipëri në shtëpi dhe këtu qëndron një përputhje e fuqishme. Ju e dini çfarë do të thotë të jetosh në sisteme që funksionojnë, në shoqëri ku institucionet u shërbejnë qytetarëve, ku merita ka vend dhe ku sundimi i ligjit nuk është fjalë, por mënyrë të jetuari. Përvoja juaj nuk është jashtë të ardhmes së Shqipërisë, por është thelbësore për të.
Ju më mirë se askush e dini që kjo rrugë nuk është pa sfida. Çfarë ju keni hequr në kurriz është një mësim i paharrueshëm, i cili vlen për të kuptuar edhe atë që Shqipëria ka hequr e duhet të heqë në kurriz deri në ditën kur të ulet në tryezën e përbashkët të familjes europiane, sepse asnjë transformim i madh, i thellë dhe i vërtetë nuk mund të jetë pa hequr të tëra në kurriz.
Do të ketë pa diskutim zhgënjime, do të ketë pa diskutim momente kur duket sikur asgjë nuk ia vlen. Do te ketë pa diskutim edhe momente kur progresi mund të duket i ngadalësuar e mund të lindin dyshime, por asnjë rrugë suksesi nuk ndërtohet përmes rehatisë dhe kombet jo e jo, nuk ndërtohen në momente rehatie.
Ato ndërtohen në tensionin mes asaj që ishte dhe asaj që duhet të jetë. Por e bukura sot është ajo që Shqipëria mund të jetë, nuk është më një ëndërr e largët, por është një rrugë e hapur, një rrugë e dukshme, një rrugë e prekshme për të gjithë.
Në shumë gjëra që mund të sillja këtu në samit, zgjodha të sjell një gjest, një akt, një vendim të qeverisë shqiptare që mua më duket se ka brenda, përveç konkretësisë së vet edhe një simbolikë. Paketën e maleve për të gjithë ata që e kanë lënë tokën e tyre në mal, për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë Shqipërisë.
Malet kanë qenë gjithnjë jashtë jetës dhe larg zhvillimeve të këtij vendi. Malet kanë qenë gjithnjë vendi ku shqiptarët janë tërhequr për t’u mbrojtur, për t’iu fshehur atyre që i kërkonin për t’i marrë rob e për t’i asimiluar, por sot ka ardhur dita e bekuar kur malet mund të bëhen dhe ato pjesë e burimeve të mirëqenies shqiptare.
Sepse sot për herë të parë në historinë tonë, ne kemi dy gjëra që, deri jo shumë vite më parë nuk i kishim, kemi Shqipërinë e besuar nga bota dhe shqiptarët e botës me besimin tek Shqipëria.
Kemi botën që vjen përmes vizitorëve të shumtë dhe eksploron edhe malet dhe kemi shqiptarët e botës që tanimë e shohin se Shqipëria nuk është më e bukur dhe tërheqëse vetëm për ta, por është e bukur dhe tërheqëse edhe për ata rrotull tyre atje ne qytetet ku jetojnë. Dhe prandaj unë iu them shqiptarëve që e kanë një copë tokë diku në një mal, diku në një kodër, që e kanë një shtëpi të braktisur të gjyshit a të stërgjyshit, që ta marrin në dorë Paketën e Maleve dhe ta kthejnë atë tokë, ta kthejnë atë shtëpi, në një burim mirëqenieje, duke i siguruar të gjithë se ajo çfarë Shqipëria e sotme, Shqipëria që tërheq 12 milionë turistë në vit është në gjendje të bëjë për ta falë investimit të tyre dhe mbështetjes së qeverisë, është që, nga ai burim i ri mirëqenieje ata do të fitojnë në fund të muajit më shumë se ç‘fitojnë duke punuar për të tjerët jashtë atdheut.
Dhe kjo e maleve natyrisht vlen për të gjithë. Një komunitet global shqiptar i arsimuar, i lidhur me ndikim dhe krenar, një komunitet që e kupton Shqipërinë dhe botën, një komunitet që mund të shërbeje si urë, jo vetëm mes vendeve, por mes ideve, mes kulturave, mes mundësive është një komunitet anëtarët e të cilit pavarësisht nëse vendosin të kthehen për të qëndruar në Shqipëri apo duke qëndruar kudo ku janë i kthejnë sytë nga Shqipëria, kanë jo vetëm shumë për të bërë për Shqipërinë, por sot kanë edhe çfarë të fitojnë duke punuar me Shqipërinë.
Dhe kjo është arsyeja pse dita e sotme është e rëndësishme, jo sepse jemi mbledhur, por sepse po ushqejmë marrëdhënien tonë për të ushqyer sa më mirë Shqipërinë. Nga distanca në afërsi, nga kujtesa në angazhim, nga ndjenjat në strategji.
Dhe le të jemi të qartë. E ardhmja e Shqipërisë nuk shkruhet vetëm në Tiranë. Ajo shkruhet edh në Romë, në Athinë, në Londër, në New York, në Berlin, në Zyrih në çdo vend ku shqiptarët jetojnë, punojnë dhe ëndërrojnë. Por pa diskutim e ardhmja e Shqipërisë shkruhet edhe kudo ku shqiptarët jetojnë rreth e rrotull kufijve të Shqipërisë, duke filluar nga shteti tjetër i pavarur i shqiptareve Kosova dhe pastaj edhe duke vazhduar me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të cilët s’duhet ta harrojë askush, janë një popull shtet formues të republikës fqinje dhe mike të Maqedonisë së Veriut dhe duke vazhduar dhe me shqiptarët në Mal të Zi e gjetkë.
Dhe me këtë rast dëshiroj të falënderoj për praninë Ministrin e Jashtëm, zëvendës kryeministrin e parë të Kosovës, mikun tim Glauk Konjufcën, kryetarin e parlamentit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashin, mikun tim të vjetër dhe të pazëvendësueshëm Ali Ahmetin dhe pa diskutim edhe mikun tim të padiskutueshëm, të papërsëritshmin Dritan Abazovic.
Dhe në mbyllje dua të them se sot nuk dola këtu për të bërë thjesht një fjalim dhe për të dhënë një mesazh, por për të bërë ftesën e përsëritur që të vazhdojmë të rilidhemi, jo vetëm emocionalisht, por në mënyrë aktive.
Të rilidhemi për ta parë Shqipërinë, jo si një vend që diaspora e la pas, por si një vend që po bëhet një shtet europian e që në formësimin e vet ka nevojë për të gjithë, si për shqiptarët brenda si për ata jashtë kufijve të tij.
Një ftesë për të qenë pjesë e pikërisht një projekti të madh kombëtar, i cili është më i madh se çdo qeveri, është më i madh se çdo cikël politik është më i madh se çdo brez i vetëm sepse është i madh sa amaneti i gjithë atyre që nga Gjergj Kastrioti te Ismail Qemali e me radhë tek heronjtë, martirët, dëshmorët shqiptarë në të gjitha trojet ku shqiptarët jetuan, jetojnë, lindin fëmijë dhe projektojnë të ardhmen, një amanet që e kërkon Shqipërinë dhe kombin shqiptar patjetër në tryezën e përbashkët të asaj familjeje, ku më në fund ne po bëhemi gati të jemi pjesë e pa ndarë.
Çka do të thotë në fund të fundit, të jemi pjesë e pandarë e një familje popujsh si popull, e një familje kombesh, si komb sepse një popull dhe një komb nuk është qeveri e tij, por është bartësi i të gjitha amaneteve që e çojnë atë përpara në emër të ardhmes, por pa dyshim edhe për të mos harruar kurrë borxhin ndaj atyre që i dhanë të shkuarës atë kuptim për të cilin ne sot të gjithë ndihemi krenar që të themi “jemi shqiptar’.
Shumë faleminderit!
Rroftë Shqipëria!
Rroftë Kosova!
Rrofshin shqiptarët kudo ku janë!


















