
Rama për “Il Giornale”: Shumë vende evropiane e kanë kërkuar, por marrëveshja për migrantët vlen vetëm për Italinë

Të hysh në studion e Edi Ramës është një goditje e papritur. Pasi i nënshtrosh kontrolleve të rrepta, ke lënë celularin, orën dhe çdo objekt tjetër, kalon nëpër korridore ku mbretëron një heshtje e thellë. Hapet dera dhe skenari ndryshon papritur. Në mure njolla të kuqe, portokalli, të verdha, jeshile, blu, vjollcë dhe rozë ndjekin njëra-tjetrën në forma të parregullta, pa hierarki, por me një harmoni të gëzueshme, shkruan Anna La Rosa në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “Il Giornale”.
Dhe menjëherë një tjetër surprizë. Një figurë imponuese, fiziku i një ish-lojtari basketbolli, me një bluzë polo, pantallona të zeza dhe atlete të bardha. Për një çast ndihesh në siklet, por shikimi i tij i buzëqeshur të qetëson. Relaksohesh dhe syri fillimisht, të shkon te një varëse rrobash plot me kravatë shumëngjyrëshe, pastaj te tavolina e mbushur me stilolapsa me ngjyra dhe shkumësa. Arti dhe politika janë të ndërthurura ngushtë për Ramën, djalin e një piktori dhe skulptori. Ulemi dhe ai rifillon të vizatojë…
Para se të takoheshit me Giorgia Melonin në Romë të enjten, e quajtët atë “motër” në Instagram. Si shkoi?
Rama: “Shumë mirë, si gjithmonë. Edhe një herë pata konfirmimin se kryeministrja juaj ka një vizion të qartë strategjik të marrëdhënies mes vendeve tona, së cilës i kushton një vëmendje të veçantë pavarësisht angazhimeve të shumta të brendshme dhe ndërkombëtare”.
Ju keni verifikuar zbatimin e marrëveshjeve Itali-Shqipëri për migrantët. Por tani që qendrat janë shpallur gjithashtu legjitime nga Evropa, a po e shohin vendet e tjera këtë si model dhe po trokasin në derën tuaj?
Rama: “Pas vendimit mbi ligjshmërinë kanë ardhur kërkesa edhe nga vende të tjera evropiane. Por dua të jem i qartë, ky është një koncesion ekskluziv për Italinë. Marrëveshja me Romën nuk mund të përsëritet”.
Ju keni qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës nga 2001 deri në 2011 dhe drejtoni këtë vend që nga viti 2013. Si ishte Shqipëria dje dhe si është sot?
Rama: “Kur fillova këtë punë, PBB-ja e Shqipërisë ishte më pak se 10 miliardë euro. Sot është 27 miliardë euro. Kishim 2 milionë turistë, duke përfshirë edhe shqiptarët që ktheheshin nga një udhëtim… Sot turistët e vërtetë janë 8 milionë”.
Investimet e huaja direkte ishin 400 milionë euro. Sot, janë mbi 1.5 miliardë. Si po shkon modernizimi institucional i Shqipërisë?
Rama: “Kemi përmirësuar dhe forcuar sistemin e drejtësisë përmes vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Ndarja e karrierave, të cilën e keni paraqitur në një referendum, është diçka që e kemi pasur prej kohësh, siç kanë bërë pothuajse të gjitha vendet evropiane. Ne kemi këshilla të ndara të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Atëherë, kur po hartonim reformën, thamë: nuk duhet të bëjmë gabimin e Italisë.”
Çfarë progresi keni arritur në sektorët e shërbimeve dhe administratës publike?
Rama: “Për vite me radhë, nuk ka pasur radhë për një certifikatë oapo licensë në zyrat publike. Gjithçka ndodh nëpërmjet celularit dhe kompjuterit. Ende nuk i kemi digjitalizuar martesat, gjurmët e gishtërinjve dhe kadastrën ku duhet vënë rregull, sepse pas përfundimit të diktaturës komuniste të drejtat e pronësisë ishin shpërndarë në mënyrë kaotike, dhe më pas ka pasur shkelje të ndërtimit që u falën. Përveç kadastrës, brenda vitit 2028 do të kemi digjitalizuar gjithçka”.
Emërimi i një ministreje virtuale, të quajtur Diella, e krijuar nga inteligjenca artificiale, ka zgjuar interesin e botës. A ka ndihmuar në përmirësimin e efikasitetit të Shqipërisë?
Rama: “Ka ndihmuar shumë, pasi është asistenti digjital i të gjithë shqiptarëve. Po përgatisim versionin e ri, të thjeshtuar, ku nuk do të duhet më të shkruhen kërkesat, do të mjaftojë të flitet me FaceTime dhe asistenti digjital do të ofrojë shërbimin”.
Diella do të jetë gjithashtu përgjegjëse për prokurimin publik…
Rama: “Po, jemi në rrugë të mbarë për të pasur prokurimin publik të administruar nga inteligjenca artificiale, pa ndërhyrjen e njerëzve, dhe për këtë arsye më transparente.”
Sa është forcuar marrëdhënia e veçantë me Italinë, e cila është e gjatë dhe jo vetëm gjeografike, nën drejtimin e kryeministres Giorgia Meloni?
Rama: “Të gjitha qeveritë italiane kanë qenë shumë respektuese dhe të hapura. Megjithatë, që kur kjo qeveri mori detyrën, kemi kaluar nga idetë e bukura në letër te projektet konkrete, në sektorë të rëndësishëm si infrastruktura, energjia, mbrojtja dhe kujdesi shëndetësor. Kemi një marrëveshje me “Fincantieri” (kompani italiane ndërtimi anijesh me seli në Trieste, Itali), si një sipërmarrje e përbashkët, do të ndërtojmë anije të vogla dhe të mesme që do të eksportohen, duke zgjeruar kështu kapacitetin prodhues të “Fincantieri-t.
Jemi në marrëdhënie shumë të mira me Leonardo me një paketë aktivitetesh për mbrojtjen.
“Kemi nënshkruar një marrëveshje strategjike, që na jep mundësinë të lidhemi drejtpërdrejt me ekselencat italiane dhe të sjellim këtu përvojën e tyre në kujdesin shëndetësor, arsim dhe trajnim. Ka edhe një projekt tjetër të rëndësishëm që lidhet me aktivitetet portuale”.
Transformimi urbanistik i Shqipërisë me ndërtesa të projektuara nga arkitektë me emër si Liebeskind dhe Boeri bie ndesh me narrativën që e përshkruan vendin tuaj të dominuar nga kriminaliteti dhe pastrimi i parave të pista.
Rama: “Shqipëria është një vend mjaft i sigurt. E thonë të gjithë ata që vijnë këtu dhe që ndryshojnë menjëherë mendim për këtë temë. Problemin e korrupsionit dhe të pastrimit të parave po e trajtojmë në mënyrë serioze. Tashmë e kemi lënë pas fazën negative. Tani bëhet fjalë për të holluar “helmin” që mbetet në ujin e njëfarë narrative të disa reportazheve që hedhin baltë mbi ne dhe tregojnë zhvillimin tonë si një vepër të krimit të organizuar”.
A po gjurmohen 560 milionë eurot e investuara në ndërtime private deri në vitin 2025?
Rama: “Është çmenduri të flasësh për këto ndërtesa në ndërtim e sipër dhe të tjera që presin miratim, si shembuj flagrantë të pastrimit të parave të pista. Të gjitha transaksionet për këto projekte kryhen përmes bankave dhe bankat këtu janë kryesisht ndërkombëtare. Të pretendosh të kundërtën është e neveritshme.”
Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009 dhe aktualisht është në Këshillin e Paqes të udhëhequr nga Trump. Ndërkohë, konflikti me Iranin ka shpërthyer. Si e shihni këtë situatë gjeopolitike?
Rama: “Jetojmë në një moment delikat për demokracitë perëndimore që duken në rënie ndërsa shfaqen fuqi të reja. Por burimet e Evropës dhe Amerikës në radhë të parë janë ende të forta.
Me rrezikun e të qenit jopopullor, mendoj se Trump është një mundësi për Evropën që më në fund të zgjohet. Nëse – siç thotë Trump – Zoti ka një plan me zgjedhjen e tij, ai nuk është vetëm shpëtimi i Amerikës, por edhe i Evropës, e cila nuk mund të jetojë me lavditë e së kaluarës. Trump është një nxitës për Evropën sepse po vë gishtin në plagët e saj. Por Evropa duhet të gjejë kurën.”
Në javët e fundit, kemi parë tone shumë të ashpra në debatin ndërkombëtar – edhe në përplasjen në distancë midis Donald Trump dhe Giorgia Melonit, të shkaktuar nga qëndrimi ndaj Papës. Pa hyrë në meritat e qëndrimeve individuale, ju pyes, sa po ndryshon, kjo gjuhë shpesh agresive, cilësinë e diskursit politik në demokracitë perëndimore?
Rama: “Problemi i demokracive sot është komunikimi publik i klasës politike që pasqyron diçka shumë të rëndë dhe shumë më të thellë që ndodh në komunikimin e përgjithshëm të shoqërisë sonë perëndimore, ku rrjetet sociale kanë rrëzuar të gjitha muret e mirësjelljes dhe kanë krijuar një moçal plot infeksione. Për mua është një makth kur imagjinoj se si do të jetë brezi i ri i politikanëve dhe liderëve perëndimorë”.
A do t’i ndaloni rrjetet sociale për të miturit në Shqipëri?
Rama: “Nuk mund t’i ndalosh nëse nuk ka identifikim individual dhe përgjegjësi për atë që shkruhet. Si mund ta dish se kush fshihet pas një profili? Nëse është babai apo djali?”
Ju e bllokuat TikTok-un, por më pas e rihapët. Pse?
Rama: “Prisnim një reagim të ashpër nga ana e TikTok-ut. Dhe përkundrazi drejtuesit e tyre erdhën tek ne me mirësjellje për të dëgjuar shqetësimet tona dhe për të punuar së bashku për të korrigjuar atë që nuk shkonte. Kur i kërkova Drejtoreshës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare të TikTok-ut pse nuk bënin të njëjtat negociata me vende të tjera, përgjigjja ishte: Sepse nuk na e kanë kërkuar. Shqipëria është i vetmi vend që i adreson këto probleme”.
Edi Rama e shkëput për një çast shikimin. Merr një fletë të bardhë, dy lapsa me ngjyra, blu dhe portokalli dhe rifillon të vizatojë.
Mes shumë angazhimeve institucionale gjen kohë për të pikturuar?
Rama: “Unë pikturoj gjithmonë sepse është një aktivitet i ndarë nga të folurit dhe nga komunikimi. Ndërsa flas dhe komunikoj unë pikturoj. Edhe kur jam pas kësaj tavoline unë pikturoj…”.
A janë ato kravatat e mrekullueshme të realizuara nga ju për shitje?
Rama: “Jo. I kam bërë për kënaqësinë time me një shoqe shkolle që kur ishim të vegjël. I vizatoj dhe pastaj ajo i printon, por jo për t’i shitur”.
(Marrë nga ATSH)
https://www.ilgiornale.it/news/politica/molti-paesi-europei-ce-lhanno-richiesto-laccordo-sul-cpr-2653133.html

















