Tre kongresistë paraqesin rezolutë në Kongresin Amerikan në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO

Tre kongresistë amerikanë, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në NATO


Tre kongresistë amerikanë, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke argumentuar se prania e saj në aleancë është thelbësore për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Evropën Juglindore.

Rezoluta, e paraqitur më 30 prill me mbështetje dypartiake, nënvizon se qeverisja demokratike e Kosovës, kontrolli civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike përbëjnë argument bindës për anëtarësimin e saj në NATO.

“Për më tepër, ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, përfshirja e Kosovës në aleancën e NATO-s do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për të frenuar këto përpjekje armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”, thuhet në rezolutë.

Anëtarësimi në NATO është ndër synimet e kamotshme të Kosovës, qëkurse ajo e shpalli pavarësinë më 2008.

Megjithatë, anëtarësimi kërkon njëzëshmëri nga të gjitha vendet anëtare dhe Kosovën nuk e njohin katër prej tyre.

Prandaj, Self, si nismëtar i rezolutës, u kërkoi Shteteve të Bashkuara t’i nxisin Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën, për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

Self tha se “njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për të hapur rrugën drejt integrimit në NATO dhe për të mbyllur një boshllëk strategjik në Evropën Juglindore që kundërshtarët kërkojnë ta shfrytëzojnë”.

Ai argumentoi se përfshirja e Kosovës në aleancë është thelbësore për të kundërshtuar rritjen e ndikimit të kundërshtarëve në Evropë.

Kjo rezolutë u mirëprit nga zyrtarë në Kosovë.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shprehu “mirënjohje për përfaqësuesit Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për lidershipin e tyre dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Kosova ta zërë vendin që i takon në familjen euroatlantike”.

Ambasadori i Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli, shkroi në X se ndihet mirënjohës ndaj kongresistëve për “mbështetjen e palëkundur për Kosovën dhe anëtarësimin e saj në NATO”.

Kosova e cilëson si qenësore miqësinë me Shtetet e Bashkuara, vend që ka bërë shumë në pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Kosova është tani duke e shndërruar Forcën e Sigurisë në ushtri të plotë, që pritet të përmbyllet më 2028.

SHBA-ja e ka mbështetur nga fillimi shndërrimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila ngul këmbë që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.

Prishtina, gjatë procesit të transformimit të FSK-së në ushtri, po ashtu po pajiset me armatime të reja, përfshirë ato të prodhuara në SHBA. Vendi po ashtu është mikpritës i bazës më të madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel.

Po ashtu, Kosova po ashtu do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese është një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së Bordit të Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë. /rel/

Lexo më shumë nga

Rama: Dialogu dhe ballafaqimi demokratik rruga e vetme, jo nxitja e dhunës

Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e dialogut dhe të ballafaqimit demokratik të ideve për zgjidhjen e problematikave, duke sjellë në…

Global 360

Meloni: Asnjë akt dhune nuk do të mbetet pa u ndëshkuar, kushdo që shkatërron, paguan

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni deklaroi dje në një videomesazh, pas miratimit të dekretit të ri për sigurinë nga Këshilli i…

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur feja bëhet instrument gjeopolitik: Kosova përtej simbolikës fetare

Një përgjigje ndaj Albatros Rexhajt. "Pse feja nuk duhet të bëhet busull e orientimit gjeopolitik të Kosovës".

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Rama: Dialogu dhe ballafaqimi demokratik rruga e vetme, jo nxitja e dhunës

Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e dialogut dhe të ballafaqimit demokratik të ideve për zgjidhjen e problematikave, duke sjellë në…