
Malaj: Garancia Sovrane, model i ri i zhvillimit rural dhe ekonomik
Ministri i Financave, Petrit Malaj u shpreh sot se një nga prioritetet e Qeverisë shqiptare është rritja financiare në sektorin bujqësor, përmes një qasjeje dhe instrumenteve të reja bankare.

Ministri i Financave, Petrit Malaj u shpreh sot se një nga prioritet e Qeverisë shqiptare është rritja financiare në sektorin bujqësor, përmes një qasjeje dhe instrumenteve të reja bankare.
Gjatë punimeve të tryezës së diskutimeve me drejtuesit e bankave tregtare, aktivitet që u mbajt në ambientet e Bankës së Shqipërisë, ministri i Financave tha se bashkërendimi mes qeverisë, bankave dhe sektorit bujqësor do të forcohet për të bashkërenduar politikat për zhvillimin e ekonomisë bujqësore, si edhe për të ecur drejt vizionit “Shqipëria 2030” që kjo qeveri ka.
“Modeli që po synojmë të ndërtojmë ka në themel angazhimin e përbashkët të të gjithë aktorëve, siç janë qeveria, pushteti lokal, fermerët, madje edhe sektori bankar. Vetëm në këtë mënyrë ne do mund të ndërtojmë një sipërmarrje rurale të suksesshme dhe të fuqishme”, tha Malaj.
Sipas Malajt, potenciali në këtë sektor ekziston, sikundër edhe vullneti, por ajo që do të duhet të nxitet është rritja e aksesit në financë.
“Vitet e fundit, Qeveria shqiptare përmes Garancive Sovrane, katër të tilla, ka mbështetur sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Në vijim të kësaj përvoje pozitive që kemi pasur së bashku, ne po hedhim hapin e radhës për miratimin e një skeme të re Garancie Sovrane që për herë të parë do të mbështesë sektorin e bujqësisë me një fond prej 3 miliardë lekësh apo 30 milionë euro. Kjo garanci synon që të adresojë problematika, siç është mungesa e kolateralit, por që kërkon edhe të nxisë kreditimin e këtij sektori me një kosto sa më të ulët”, pohoi Malaj.
“Elementët kryesorë të kësaj garancie janë sigurimi deri në 70% i vlerës së kredisë për fermerët dhe për SME-të në sektorin bujqësor. Do të ketë një normë të kufizuar në 2%, si edhe përdorimi i fondeve do të jetë ekskluzivisht për agropërpunimin, për përdorimin e mekanikës bujqësore, agroturizmin, peshkimin, serrat moderne etj.”, tha ai.
Ministri i Financave u shpreh se “kjo garanci nuk është vetëm një instrument financiar, por edhe një mundësi reale për të ndërtuar një model të ri të zhvillimit rural dhe ekonomik”.
“Bashkëpunimi me sektorin bankar është një nga çelësat e suksesit në këtë sektor. Niveli i kreditimit të bujqësisë nuk është në nivelet optimale, por të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekjet maksimale për ta ndryshuar këtë situatë përmes politikave të bashkërenduara, një edukimi më të lartë financiar, apo duke ofruar produkte të dedikuara nga ana e bankave për këtë sektor”, pohoi Malaj.
“Në fakt, me vënien në dispozicion të kësaj garancie sovrane, ku shteti merr përsipër një risk të konsiderueshëm, përmes mbulimit deri në 70% të vlerës së kredisë, pritshmëria jonë është që bankat të rrisin ndjeshëm nivelin e angazhimit dhe gatishmërinë për kreditimin e bujqësisë”, tha ministri Malaj.
“Ndaj kam bindjen se tashmë, me shtetin si garantues, nuk ka më vend për hezitim, pasi instrumentet janë në dispozicion”, vijoi ai.
Ministri Malaj u shpreh se zbatimi me efikasitet i Grancisë Sovrane kërkon pjesëmarrje aktive edhe nga vetë fermerët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në të gjithë vendin.
Gjithashtu, Malaj tha se “të gjithë do të duhet të përfitojnë nga kjo mbështetje e drejtëpërdrejtë, për të investuar, për të zgjeruar aktivitetin bujqësor duke përfituar nga avantazhi që ofrojnë kreditë e buta me kushte të favorshme”.
“Është një mundësi që nuk duhet humbur, për të rritur prodhimin, për të modernizuar pajisjet, për të hyrë në agroturizëm, në përpunim, apo në sektorë të tjerë me potencial të madh”, cilësoi ai.
“Vetëm përmes një pjesëmarrjeje të gjerë dhe të organizuar të biznesit të vogël dhe të mesëm, të mbështetur nga një sistem bankar më aktiv dhe më proaktiv, do të mund të sigurojmë një shtrirje reale dhe efektive të kësaj nisme, duke garantuar që fondet të shkojnë aty ku ka më shumë nevojë dhe ku ndikimi është më i madh”, tha Malaj, ndërsa shtoi se Qeveria shqiptare, veçanërisht Ministria e Financave është e angazhuar të krijojë mjedisin e duhur financiar, ligjor dhe rregullator me qëllim nxitjen e investimeve në sektorët prioritarë të zhvillimit ekonomik.
“Garancia Sovrane për Bujqësinë është vetëm një nga hapat dhe suksesi i saj varet nga angazhimi i secilit prej nesh. Unë shpreh bindjen e plotë se duke punuar së bashku do të mund të ndërtojmë një model të ri zhvillimi i cili do të na shërbejë për ta bërë bujqësinë tonë më konkurruese, në kuadër edhe të procesit të integrimit europian”, përfundoi Malaj.
Burimi ATSH