
Gonxhja për “Collection”: Turizmi, motori i rritjes ekonomike të Shqipërisë
Shqipëria po shndërrohet me ritme të shpejta nga një perlë e fshehur e Mesdheut në një nga destinacionet më tërheqëse turistike të rajonit.

Shqipëria po shndërrohet me ritme të shpejta nga një perlë e fshehur e Mesdheut në një nga destinacionet më tërheqëse turistike të rajonit. Në një intervistë për revistën “Collection”, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, ndalet te vizioni për zhvillimin e një turizmi me vlerë të lartë, investimet strategjike, qëndrueshmëria dhe projektet që po formësojnë të ardhmen e Shqipërisë si një qendër të rëndësishme turistike dhe ekonomike në Ballkan.
“Ne kemi kaluar përtej rritjes së numrit të vizitorëve dhe tani jemi të fokusuar në tërheqjen e një turizmi me vlerë më të lartë, që sjell përfitime për ekonominë dhe komunitetet lokale”.
Më poshtë vijon intervista e plotë:
Gazetari: Shqipëria ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme të turizmit vitet e fundit. Cilat janë politikat strategjike kryesore që ministria juaj ka zbatuar dhe që kanë nxitur këtë sukses – dhe si planifikoni ta ruani këtë ritëm në vitet e ardhshme?
Gonxhja: “Rritja e turizmit në Shqipëri gjatë viteve të fundit është rezultat i një strategjie të qartë dhe të qëndrueshme të përqendruar te infrastruktura, promovimi ndërkombëtar dhe përmirësimi i cilësisë së përgjithshme të ofertës turistike. Ne kemi kaluar përtej rritjes së numrit të vizitorëve dhe tani jemi të fokusuar në tërheqjen e një turizmi me vlerë më të lartë, që sjell përfitime për ekonominë dhe komunitetet lokale.
Një nga faktorët kryesorë ka qenë investimi në aksesueshmëri. Zgjerimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza” ka rritur ndjeshëm lidhjet me tregjet evropiane, ndërsa investimet madhore në infrastrukturën rrugore kanë përmirësuar aksesin në të gjithë vendin, duke e bërë më të lehtë për vizitorët eksplorimin e destinacioneve bregdetare dhe të brendshme. Në të njëjtën kohë, Shqipëria po tërheq marka ndërkombëtare hotelesh, të cilat po rrisin standardet e shërbimit dhe po forcojnë besueshmërinë e vendit si destinacion turistik.
Promovimi ka luajtur gjithashtu një rol qendror. Ne kemi rritur dukshmërinë e Shqipërisë në mediet ndërkombëtare dhe kemi forcuar praninë tonë në panaire të mëdha turistike si, ITB Berlin dhe FITUR Madrid, duke ndihmuar në pozicionimin e Shqipërisë, si një destinacion unik dhe konkurrues në Mesdhe.
Duke parë përpara, prioriteti ynë është ta mbështesim këtë rritje në mënyrë të përgjegjshme, duke vazhduar investimet në infrastrukturë dhe cilësi, ndërsa diversifikojmë fusha të turizmit si turizmi kulturor, natyror dhe sportiv. Objektivi është ndërtimi i një ekonomie turistike gjatë gjithë vitit, që krijon vlerë afatgjatë dhe ruan asetet natyrore dhe kulturore të Shqipërisë”.
Gazetari: Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është shndërruar në një qendër shumë dinamike dhe ka plane për një aeroport të ri në jug. A mund të shpjegoni se si ky zhvillim aeroportual do të përmirësojë lidhjet ndërkombëtare, aksesin rajonal dhe pozicionimin konkurrues të Shqipërisë në turizëm?
Gonxhja: “Zhvillimi i lidhjeve ajrore është një nga faktorët më të fortë të rritjes së turizmit në Shqipëri dhe rezultatet në vitin 2025 e reflektojnë qartë këtë progres. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” përpunoi rreth 12,5 milionë pasagjerë në vitin 2025, duke konfirmuar pozicionin e tij si aeroporti më i ngarkuar në Ballkanin Perëndimor dhe një qendër rajonale me rritje të shpejtë.
Një moment kyç ka qenë lançimi e lidhjeve të gjata ajrore, përfshirë fluturimet që lidhin Tiranën me Kanadanë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zgjerimin e pranisë së Shqipërisë përtej tregut evropian. Në të njëjtën kohë, pritet që së shpejti, të nisin fluturimet direkte për në Nju Jork, gjë që do të jetë një zhvillim transformues, duke e pozicionuar Tiranën, si një qendër strategjike që lidh Amerikën e Veriut me Ballkanin Perëndimor.
Aeroporti tani ofron mbi 100 destinacione direkte, të mbështetura si nga linja low-cost ashtu edhe nga kompani tradicionale ajrore. Kompani si “Wizz Air” dhe “Ryanair” vazhdojnë të zgjerojnë operimet, ndërsa linja si “Lufthansa” dhe “Turkish Airlines” forcojnë lidhjet përmes qendrave kryesore evropiane, duke rritur frekuencën dhe aksesueshmërinë.
Gjithashtu, ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës përfaqëson një hap të madh përpara. Ky aeroport i ri do të ofrojë akses të drejtpërdrejtë në Rivierën Shqiptare, duke reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt destinacioneve bregdetare në jug dhe duke mbështetur një shpërndarje më të mirë, të flukseve turistike në të gjithë vendin.
Së bashku, këto zhvillime po përmirësojnë lidhjet ndërkombëtare të Shqipërisë, po rrisin aksesin rajonal dhe po forcojnë pozicionimin konkurrues të vendit. Me zgjerimin e lidhjeve ndërkontinentale, rritjen e kapaciteteve dhe shtimin e aeroportit të Vlorës, Shqipëria po pozicionohet, si një qendër kyçe aviacioni dhe turizmi në Ballkanin Perëndimor”.
Gazetari: Shqipëria ka tërhequr shumë linja të reja ndërkombëtare fluturimesh së fundmi. Cilat tregje po rriten më shpejt aktualisht dhe si po bashkëpunoni me linjat ajrore dhe partnerët për të zgjeruar më tej shtrirjen globale të Shqipërisë?
Gonxhja: “Ajo që po shohim sot është se rritja lidhet shumë ngushtë me linjat që tashmë po performojnë më fort. Italia dhe Britania e Madhe dallohen qartë, me linja si Milano dhe Londra që janë ndër më të ngarkuarat aktualisht. Pas tyre vijnë qytete si Roma, Bolonja, Vjena, Stambolli dhe Athina, të cilat janë të rëndësishme për lidhjet rajonale.
Kjo na jep një panoramë shumë të qartë se nga vjen kërkesa. Italia mbetet tregu ynë më i madh, ndërsa Britania e Madhe është rritur shumë shpejt vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, po shohim një vrull të fortë nga Evropa Qendrore dhe Lindore, vende si Polonia dhe Çekia, si edhe nga vendet nordike.
Puna jonë me linjat ajrore është shumë praktike dhe e fokusuar. Ne analizojmë se ku po rritet kërkesa dhe mbështesim kompanitë ajrore në forcimin e këtyre linjave, qoftë përmes promovimeve të përbashkëta apo fushatave të koordinuara në këto tregje. Në të njëjtën kohë, ne i përdorim këto lidhje të forta evropiane, si një urë drejt tregjeve ndërkontinentale. Me fluturimet që tashmë lidhin Shqipërinë me Kanadanë dhe së shpejti me Nju Jorkun, ne po e hapim destinacionin për një audiencë krejtësisht të re”.
“Një nga faktorët kryesorë ka qenë investimi në aksesueshmëri. Zgjerimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza” ka rritur ndjeshëm lidhjet me tregjet evropiane, ndërsa investimet madhore në infrastrukturën rrugore kanë përmirësuar aksesin në të gjithë vendin”.
Gazetari: Po shohim projekte të mëdha infrastrukturore — rrugë, pika aksesi bregdetare dhe struktura turistike — në zhvillim në të gjithë vendin. Si po harmonizohen investimet qeveritare në infrastrukturë me prioritetet e zhvillimit turistik dhe cilat janë momentet kyçe që mund të presim në 2–3 vitet e ardhshme?
Gonxhja: “Investimet infrastrukturore në Shqipëri tani janë të lidhura ngushtë me mënyrën se si po zhvillohet turizmi në të gjithë vendin. Prioriteti ka qenë përmirësimi i aksesit drejt destinacioneve kryesore, përgjatë bregdetit dhe në brendësi të vendit, në mënyrë që vizitorët të lëvizin lehtësisht dhe të përjetojnë më shumë rajone gjatë një udhëtimi të vetëm. Kjo përfshin përmirësime të mëdha rrugore që lidhin veriun me jugun, akses më të mirë bregdetar dhe lidhje më të forta me sitet kulturore dhe natyrore.
Në jug, po zhvillohet një punë e konsiderueshme për të mbështetur rritjen e Rivierës Shqiptare, me segmente të reja rrugore, hapësira publike të përmirësuara dhe akses më të mirë drejt plazheve dhe fshatrave bregdetare. Në të njëjtën kohë, investimet në qytete si Shkodra, Berati dhe Gjirokastra janë të fokusuara në hapësirat publike, restaurimin e trashëgimisë dhe infrastrukturën për vizitorët, duke përmirësuar eksperiencën dhe duke ruajtur autenticitetin.
Një tjetër projekt i rëndësishëm transporti është modernizimi i hekurudhës Tiranë-Durrës, që do të forcojë lidhjen mes kryeqytetit, portit kryesor dhe aeroportit. Paralelisht, zhvillimet e reja të marinave përgjatë bregdetit po e hapin Shqipërinë ndaj turizmit detar, duke tërhequr një ofertë turistike të ndryshme dhe me vlerë më të lartë.
Në vitet e ardhshme, momentet kyçe do të përfshijnë përfundimin e korridoreve strategjike rrugore, zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës bregdetare, progresin në lidhjen hekurudhore dhe vënien në funksion të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Në të njëjtën kohë, projekte të reja hotelesh ndërkombëtare dhe struktura turistike do të vazhdojnë të hyjnë në funksion, duke mbështetur një ofertë turistike më të larmishme dhe me cilësi më të lartë”.
“Zgjatja e sezonit turistik është një nga prioritetet tona kryesore, sepse Shqipëria ka shumë më tepër për të ofruar sesa turizmi veror i plazhit. Fokusi është ndërtimi i një destinacioni gjatë gjithë vitit”.
Gazetari: Një shqetësim në të gjithë rajonin ka qenë mungesa e fuqisë punëtore dhe presioni mbi pagat në turizëm dhe hoteleri. A i ka përjetuar Shqipëria këto sfida dhe cilat politika apo programe ekzistojnë për të tërhequr, trajnuar dhe mbajtur punonjës të kualifikuar në turizëm?
Gonxhja: “Ashtu si shumë vende të rajonit, edhe Shqipëria ka përjetuar presion në tregun e punës në turizëm, veçanërisht gjatë sezonit të pikut. Rritja e shpejtë ka rritur kërkesën për punonjës të kualifikuar në hoteleri, shërbime dhe menaxhim, dhe kjo natyrshëm ka sjellë rritje pagash dhe konkurrencë më të fortë për talentet.
Përgjigjja jonë ka qenë ta trajtojmë këtë në mënyrë të strukturuar dhe afatgjatë. Një prioritet kyç është forcimi i arsimit dhe formimit profesional, veçanërisht përmes programeve të mbështetura nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Zvicerane, të cilat po ndihmojnë në modernizimin e kurrikulave, përmirësimin e standardeve të trajnimit dhe përafrimin më të mirë të aftësive me nevojat e tregut. Këto programe po promovojnë gjithashtu modele të arsimit dual, duke kombinuar mësimin në klasë me eksperiencën praktike në hotele dhe biznese turistike.
Ne po punojmë gjithashtu ngushtë me partnerë ndërkombëtarë si, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Turizmin, për të prezantuar iniciativa të reja trajnimi, përfshirë zhvillimin e një Akademie Turizmi që fokusohet në aftësitë profesionale, cilësinë e shërbimit dhe kapacitetet menaxheriale në sektor.
Në të njëjtën kohë, po fokusohemi që ta bëjmë turizmin një karrierë afatgjatë më tërheqëse. Kjo përfshin përmirësimin e kushteve të punës, inkurajimin e punësimit formal dhe mbështetjen e bizneseve për të investuar në zhvillimin e stafit. Ekziston gjithashtu një përpjekje në rritje për të angazhuar të rinjtë dhe për të krijuar rrugë të qarta karriere brenda vendit.
Paralelisht, aty ku është e nevojshme, ne po lehtësojmë aksesin te punonjës sezonalë dhe specialistë për të mbështetur industrinë gjatë periudhave me fluks të lartë.
Qëllimi është të sigurojmë që rritja e shpejtë e sektorit të shoqërohet nga një fuqi punëtore e kualifikuar dhe profesionale, e aftë të ofrojë nivelin e cilësisë që vizitorët ndërkombëtarë presin sot”.
Gazetari: Sezonaliteti mund ta kufizojë potencialin e plotë të ekonomive turistike. Çfarë hapash po ndërmerrni për të zgjatur sezonin turistik dhe për të diversifikuar ofertën përtej turizmit veror të plazhit — për shembull, turizmi kulturor, aventura dhe eventet?
Gonxhja: “Zgjatja e sezonit turistik është një nga prioritetet tona kryesore, sepse Shqipëria ka shumë më tepër për të ofruar sesa turizmi veror i plazhit. Fokusi është ndërtimi i një destinacioni gjatë gjithë vitit – duke zhvilluar produkte që tërheqin vizitorë në pranverë, vjeshtë dhe madje edhe në dimër.
Turizmi kulturor është një shtyllë kyçe. Qytete si Berati, Gjirokastra dhe Shkodra po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë jashtë muajve të verës, të mbështetura nga restaurimi i trashëgimisë, muzetë dhe programet kulturore. Në të njëjtën kohë, ne po promovojmë gastronominë dhe eksperiencat lokale, të cilat nuk varen nga sezoni dhe krijojnë lidhje të forta me komunitetet lokale.
Turizmi natyror dhe ai i aventurës po rriten gjithashtu me shpejtësi. Malet, parqet kombëtare dhe shtigjet e Shqipërisë ofrojnë potencial të madh për ecje, çiklizëm dhe aktivitete në natyrë, veçanërisht në sezonet e pranverës dhe vjeshtës. Ky segment po tërheq një profil të ndryshëm vizitorësh, shpesh me qëndrime më të gjata dhe angazhim më të madh me destinacionin.
Eventet janë një tjetër mjet i rëndësishëm. Ne po mbështesim festivale, aktivitete sportive dhe ngjarje kulturore gjatë gjithë vitit, të cilat krijojnë arsye për të vizituar vendin përtej sezonit të pikut. Kjo përfshin evente ndërkombëtare, por edhe iniciativa më të vogla lokale që aktivizojnë destinacionet gjatë gjithë vitit.
Në të njëjtën kohë, lidhjet më të mira përmes zgjerimit të linjave ajrore dhe infrastrukturës e bëjnë më të lehtë për vizitorët të udhëtojnë jashtë sezonit veror”.
Gazetari: Me rritjen e shpejtë vijnë edhe presionet mjedisore. Si po e balancon Shqipëria zgjerimin e turizmit me qëndrueshmërinë — veçanërisht në zonat bregdetare, parqet kombëtare dhe sitet e trashëgimisë së UNESCO-s?
Gonxhja: “Me rritjen e turizmit, ne jemi shumë të vetëdijshëm për presionin që mund të krijohet, veçanërisht në zonat bregdetare dhe sitet kulturore. Qasja jonë është të mbajmë zhvillimin të balancuar, duke u siguruar që rritja të mos vijë në kurriz të asaj që e bën Shqipërinë tërheqëse që në fillim.
Përgjatë bregdetit, fokusi është te mbajtja e zhvillimit më të kontrolluar dhe përmirësimi i infrastrukturës bazë, në mënyrë që destinacionet të mund të përballojnë një numër më të lartë vizitorësh, pa humbur karakterin e tyre. Në parqet kombëtare, ideja është t’i bëjmë ato të aksesueshme, por në një mënyrë që respekton natyrën dhe shmang mbingarkesën.
Për zonat e trashëgimisë si Berati, Gjirokastra dhe Butrinti, prioritet mbetet gjithmonë ruajtja. Turizmi duhet t’i mbështesë këto site, jo t’i rrezikojë ato, ndaj fokusi është ruajtja e autenticitetit ndërkohë që përmirësohet eksperienca e vizitorëve”.
Gazetari: Turizmi është një motor i madh rritjeje, por cili është vizioni juaj më i gjerë ekonomik për Shqipërinë? A ka sektorë specifikë — prodhimi, teknologjia dhe energjia e gjelbër — që i shihni si motorë plotësues për të diversifikuar ekonominë?
Gonxhja: “Turizmi është qartësisht një nga motorët kryesorë të rritjes, por vizioni ynë më i gjerë ekonomik fokusohet te diversifikimi dhe ndërtimi i një ekonomie më rezistente. Ideja nuk është të mbështetemi vetëm te një sektor, por të zhvillojmë industri plotësuese që forcojnë njëra-tjetrën.
Teknologjia dhe shërbimet digjitale janë një tjetër fushë në zhvillim. Edhe pse ende në fazë rritjeje, ato po marrin vrull, veçanërisht mes profesionistëve të rinj, dhe po shihen gjithnjë e më shumë si një mundësi kyçe për inovacion, delegim i shërbimeve dhe vende pune me vlerë më të lartë.
Energjia e gjelbër është gjithashtu një prioritet strategjik. Shqipëria tashmë mbështetet në masë të madhe te hidroenergjia dhe investimet e reja në energjinë diellore dhe të erës po e zgjerojnë më tej sektorin, përfshirë projekte të mëdha rajonale që lidhin Shqipërinë me tregjet evropiane të energjisë.
Ajo që është e rëndësishme është mënyra si këta sektorë lidhen me njëri-tjetrin. Turizmi krijon kërkesë për bujqësinë, përpunimin ushqimor, ndërtimin dhe shërbimet, ndërsa energjia dhe infrastruktura mbështesin rritjen afatgjatë. Objektivi është të kalojmë drejt një modeli më të balancuar, ku shumë sektorë kontribuojnë dhe forcojnë njëri-tjetrin, duke siguruar zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe afatgjatë”.
Gazetari: Plani “Shqipëria 2030” paraqet një vizion ambicioz për transformimin ekonomik të vendit dhe integrimin në BE. Si përshtatet turizmi në këtë strategji afatgjatë dhe cilat objektiva të matshme ka vendosur qeveria për sektorin deri në vitin 2030?
Gonxhja: “Turizmi është një pjesë qendrore e vizionit “Shqipëria 2030”, i lidhur ngushtë me objektivat tona më të gjera për transformimin ekonomik, rritjen e qëndrueshme dhe anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Ai është një nga sektorët ku Shqipëria ka një avantazh të qartë dhe ku progresi përkthehet shpejt në vende pune, investime dhe përmirësim të standardeve të jetesës në të gjithë vendin.
Sot, turizmi nuk ka më të bëjë vetëm me verën apo bregdetin. Ai luan një rol më të gjerë në mbështetjen e zhvillimit rajonal, tërheqjen e investimeve të huaja dhe ndihmën për ta përafruar Shqipërinë me standardet e BE-së, veçanërisht në fusha si qëndrueshmëria, praktikat e gjelbra dhe konvergjenca ekonomike.
“Turizmi është një pjesë qendrore e vizionit “Shqipëria 2030”, i lidhur ngushtë me objektivat tona më të gjera për transformimin ekonomik, rritjen e qëndrueshme dhe anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.”
Në Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2025–2030, turizmi pozicionohet si një shtyllë kyçe e këtij transformimi. Ai kontribuon drejtpërdrejt në rritjen ekonomike përmes shpenzimeve të vizitorëve, mbështet zhvillimin e infrastrukturës, krijon punësim të kualifikuar dhe inkurajon mbrojtjen e aseteve natyrore dhe kulturore. Të gjithë këta elementë janë të lidhur ngushtë me prioritetet e BE-së për tranzicionin e gjelbër, digjitalizimin dhe rritjen gjithëpërfshirëse.
Në të njëjtën kohë, ekziston një fokus i fortë te shpërndarja më e barabartë e turizmit gjatë vitit dhe në të gjitha rajonet. Duke ulur sezonalitetin dhe promovuar destinacionet e brendshme dhe rurale krahas bregdetit, ne po ndërtojmë një model turizmi më të qëndrueshëm dhe më të balancuar.
Në këtë kuptim, turizmi mbështet vizionin më të madh të “Shqipëria 2030” duke ndihmuar në krijimin e një ekonomie më të diversifikuar dhe moderne, më të përgatitur për t’u integruar në tregun e përbashkët evropian”.
Marrë nga ATSH


















