
Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës, Rama: Duhet plan kurajoz dhe tërheqës për paqen
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Romë për të marrë pjesë në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës (Ukraine Recovery Conference 2025), një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare të këtij viti, që ka si qëllim mbështetjen për Ukrainën

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Romë për të marrë pjesë në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës (Ukraine Recovery Conference 2025), një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare të këtij viti, që ka si qëllim mbështetjen për Ukrainën dhe rindërtimin e saj pas pasojave shkatërruese të luftës. Në momentin e mbërritjes, Kryeministri Rama është pritur nga Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
Ky forum, i mbështetur nga liderët botërorë, përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, G7-ës, organizatave ndërkombëtare, institucioneve financiare dhe sektorit privat, ka si qëllim koordinimin e ndihmës konkrete dhe investimeve strategjike në sektorët kyç në Ukrainë.
Kryeministri Rama iu drejtua këtij forumi me fjalën e rastit, duke theksuar angazhimin e Shqipërisë për të mbështetur Ukrainën në këtë periudhë të vështirë dhe për të kontribuar në procesin e rindërtimit të vendit pas luftës.
“Premtova që do të flas në mënyrë të pazakontë shkurt. Motra ime e dashur Giorgia, i kujtoi të gjithëve sot që të gjitha rrugët të çojnë në Romë!”, tha Rama.
“I dashur Antonio, ka qenë një përvojë e shkëlqyer udhëkryqi gëzimplotë, kaotik dhe i paqtë për t’i treguar të gjithëve se nuk ka një vend më të sigurt se Italia ku të gjithë divizionet e sigurisë dhe të protokollit janë të pakuptimta.
“Dhe jam i sigurt që edhe Volodymyr e ka shijuar morinë e humanizmit në Nuvola ku të gjithë truprojat e tij, për herë të parë që prej luftës janë ndjerë të padobishëm”, vijoi kryeministri.
Rama më tej tha se “Shqipëria është një vend i vogël, me burime modeste. Ajo nuk ka fuqi për të ndryshuar shumë në fushë-betejë, por kemi qenë dhe do të jemi së bashku me Italinë dhe me miqtë e partnerët europianë kudo e kurdo që Ukraina do të ketë nevojë për ne të jemi”.
“Duke qenë se na u tha të flisnim vetëm 3 minuta dhe unë dua të udhëheq në fund të fundit përmes shembullit, dua vetëm të them që kushdo foli përpara meje, e kushdo do të flasë pas meje, ka thënë e do të thotë mjaftueshëm që unë të mos mund të shtoj diçka me interes që ju të shpenzoni kohën”, tha Rama gjatë fjalës së tij.
Kreu i qeverisë kujtoi dhe ndarjen nga jeta të Papa Françeskut.
“Në këtë qytet që jo shumë kohë më parë i dha lamtumirën një njeriu të madh paqeje, që quhej Papa Françesku, që ndërkohë që mbështesim Ukrainën të luftojë e po kështu të rindërtohet, ne duhet të bëjmë maksimumin që të mos e lëmë paqen në rreshtin e dytë të mendimeve tona. Nuk duhet ta lëmë fjalën “paqe” të ndajë më tej shoqëritë tona demokratike e të tjetërsojë pjesë të tjera të shoqërisë sonë e të mbjellë mosmarrëveshje midis shoqërive tona.
“Nuk duhet të lëmë askund po kështu, jashtë kufijve të Europës demokratike të na japë leksione ne, Komunitetit Europian se çfarë është paqja e lufta e si tingëllon kjo paqe. Ne nuk jemi komunitet luftënxitës dhe Ukraina nuk është agresori e as autori i kësaj lufte të përgjakshme në dyert e Europës, ditë e natë. Askush nuk ka një formulë magjike sigurisht, e unë aq më pak. Të flasësh për paqen nuk e ndal luftën e as nuk e bën Vladimir Putinin një paqedashës”, tha Rama.
Në fund Rama tha se “ndërkohë që po bëjmë të gjitha gjërat e duhura për të mos ta lënë në baltë Ukrainën, ne nuk do të jemi të fortë mjaftueshëm për t’i dhënë fund kësaj lufte, për të shpëtuar Ukrainën në qoftë se nuk kemi plan tonin të fuqishëm, kurajoz e tërheqës për paqen. Paqja është e vetmja e ardhme për të cilën mund të flasë Europa. E ashtu siç tha dikur Papa i ndjerë Françesku në Romë, ndjej praninë jo të së shkuarës, por të së ardhmes.”, përfundoi Rama fjalën e tij.
Konferenca e Rimëkëmbjes së Ukrainës është ngjarja kryesore ndërkombëtare mbi rindërtimin e Ukrainës. Edicioni i Romës vjen pas Konferencave të Luganos (2022), Londrës (2023) dhe Berlinit (2024). Qëllimi i konferencës është të vazhdojë mobilizimin e qeverive, sektorit privat, institucioneve financiare ndërkombëtare, komuniteteve lokale dhe shoqërisë civile për rimëkëmbjen, rindërtimin dhe modernizimin e Ukrainës.
Në konferencë ishin më shumë se 5000 pjesëmarrës, rreth njëqind delegacione zyrtare dhe 40 organizata ndërkombëtare, 2 mijë kompani (nga të cilat rreth 500 janë italiane), qindra përfaqësues të autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile.
/Burimi ATSH