Nga Dr. Enriko Ceko

Pak ditë më parë zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder bëri të ditur se balona e rrëzuar kineze në mujin shkurt të këtij viti “nuk mblodhi dhe nuk transmetoi të dhënat në Kinë”. Për më shumë se pesë muaj, përfaqësues të politikës dhe medias amerikane dhe jo vetëm, spekuluan në mënyrën më të ashpër se ishin në gjendje të jepnin “dëshmi” bindëse për të vërtetuar qëllimin “përgjues” të balonës kineze, ndërkohë që Pekini deklaronte në mënyrë të hapur se balona ishte një mjet shkencor për studimet meteorologjike, që për shkak të faktorëve të pakontrollueshëm klimaterikë (kryesisht era), devijoi nga rruga, dhe pas fluturimit mbi Korenë e Jugut, Japoninë, Alaska dhe Kanadanë, kaloi edhe një pjesë të territorit ajror të ShBA-së.

CFP
SHBA-të nga ana e tyre, edhe pse mjeti balonistik civil kinez kishte kaluar më parë në hapsirën ajrore të disa shteteve të tjera perëndimore dhe partnere të të dy palëve, e goditi këtë balonë me mjete tepër të sofistikuara të aviacionit të saj ushtarak, duke e etiketuar atë, pa asnjë motiv dhe asnjë fakt, mjet përgjues.
Në lidhje me këtë çështje, më 18 shkurt 2023, Anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, dhe Drejtor i Zyrës së Komisionit Qendror për Punët e Jashtme, Wang Yi, pati një kontakt jozyrtar me Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, me kërkesë të palës amerikane, në ditët e zhvillimit të Konferencës së 59-të të Sigurisë në Mynih, takim në të cilin Yi parashtroi pozicionin e fortë të Kinës për të ashtuquajturin “incident me tullumbace”, ku i kërkoi palës amerikane të ndryshojë kursin dhe të pranojë dhe zgjidhë dëmin që abuzimi i saj i forcës i ka shkaktuar marrëdhënieve Kinë-SHBA.
Tashmë, pas pesë muajsh kqyrjesh dhe investigimesh të shumta dhe të pandalshme të agjencive amerikane të inteligjiencës, më në fund vjen konfirmimi se mjeti fluturues “nuk kishte mbledhur asnjë informacion”, që do të thotë se nëse ky mjet nuk ka mbledhur asnjë informacion, atëhere nuk paska patur se ç’farë të dërgohet apo transmetohet prej këtij mjeti në Kinë, apo diku tjetër.
Edhe pse ky deklarim është i përgëzueshëm, duhet theksuar se ka ardhur me shumë vonesë për publikun e gjerë ndërkombëtar, ndërkohë që mjedisi komunikues midis Kinës dhe SHBA-së pritej që të përmirësohej edhe më tej, dhe kjo ka sjellë edhe humbje të kohës për të përmirësuar edhe më tej marrëdhëniet midis palëve, që prej kohësh kanë patur ulje dhe ngritjet e tyre.
Gjeneral brigade, Pat Ryder, me këtë rast, në një dalje publike për mediat si përfaqësues i Pentagonit, tha: “ndërsa ishte duke kaluar tranzit ose duke fluturuar, balona, edhe pse kishte aftësi për mbledhjen e inteligjiencës, nuk ka mbledhur asnjë informacion”.
Edhe pse autoritetet kineze deklaruan me këtë rast se balona ishte mjet civil metereologjik, disa media dhe politikanë të krahut të ashpër amerikan, e shpallën atë si një tullumbace spiune, gjë që e detyroi qeverinë amerikane të rrëzonte balonën me anë të një avioni luftarak, gjë që shtoi shumë tensionin midis dy ekonomive më të mëdha në botë, ndërkohë që prej shumicës së ekspertëve pritej një përmirësim i mëtejshëm i marrëdhënieve midis dy palëve.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, me këtë rast deklaroi në një konferencë për shtyp një ditë më pas se: “Kina ka përsëritur në shumë raste që mjeti civil kinez që fluturoi në qiell mbi SHBA ishte një ngjarje e paqëllimshme, e papritur, e izoluar dhe e shkaktuar nga forca madhore. Të quash aeroplanin “tullumbace spiune” dhe të pretendosh se përdoret për të mbledhur inteligjencë, është një shpifje totale”.
Sipas një raporti të Wall Street Journal, të ditës së enjte, pretendohej se balona civile e qëlluar nga aviacioni ushtarak amerikan, kishte disa pajisje që e ndihmonin atë për të mbledhur foto, video dhe informacione të tjera, ndërsa general brigade Ryder nuk e konfirmoi këtë në deklaratën e tij për shtyp.
Ky incident i pamotivuar, i ndërmarrë ng apala amerikane, jo vetëm që dëmtoi zhvillimin e mëtejshëm të marëdhënieve kinezo- amerikane, që po njihnin deri në atë kohë zhvillime pozitive, por solli edhe shtyrjen për më shumë se pesë muaj të vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Blinken në Kinë, një shprehje e tensionit të panevojshëm të krijuar me këtë rast (Vizita e Antony Blinken në Kinë u zhvillua në qershor.).

Në lidhje me marrëdhëniet Kinë – SHBA ka një besim të dukshëm midis ekspertëve për hapjen e më shumë dritareve, dhe pritet që Sekretarja e Thesarit e SHBA-ve, Janet Yellen të realizojë një udhëtim në Kinë së shpejti. Kina, nga ana e saj, ka treguar angazhimin politik për kalimin e këtyre marrëdhënieve në një nivel edhe më përfitues dhe edhe më premtues për të dy palët dhe më gjerë, për të tërë partnerët e Kinës dhe SHBA-ve në tërësi dhe për tërë botën.
Me rastin e deklaratave për shtyp të të dy palëve për “balonën”, Bloomerg e pyeti zëdhënësin e ministrisë së jashtëme të Kinës, Mao Ning, se “a ka ndonjë koment Ministria e Jashtëme se Wall Street Journal raporton që balona që fluturoi mbi SHBA, për të cilën qeveria amerikane pretendon se ishte një balonë spiune, ishte e pajisur me pajisje vëzhgimi të prodhuara në Amerikë dhe kjo duket se bie në kundërshtim me pohimet e Kinës se balona ishte një pajisje që ndryshoi drejtimin për shkak të motit(?), ndërkaq që Mao Ning u përgjigj se “Nuk jam në dijeni të burimeve të raportit. Siç ka thënë Kina në shumë raste, mjeti fluturues civil kinez pa pilot që lëvizte mbi SHBA ishte një aksident krejtësisht i papritur i shkaktuar nga forca madhore. Etiketimi nga ana e SHBA e mjetit civil si “tullumbace spiune”, nuk është gjë tjetër veçse shpifje kundër Kinës.
Paralelisht, qeveria amerikane ka ofruar paketën e dhjetë të armatimit për Tajvanin, në periudhën e presidencës së Joe Biden, paketë e cila ka një vlerë rreth 440 milionë dollarë, në të cilën përfshihen municione 30 mm, pjesë rezervë për automjete me rrota, etj. Gjithashtu, pala amerikane ka dërguar ndërkohë në Tajvan për një vizitë tre ditore një delegacion të Kongresit të SHBA-ve, kryesuar nga Kryetari i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Rogers, zhvillime të cilat bënë që qeveria kineze të marrë masat e duhura dhe veprime të vendosura në lidhje me këtë çështje.
Kina i ka kërkuar SHBA-së që të respektojë parimin e një Kine dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta Kinë-SHBA, (1) për ndalimin e shitjes së armëve për Tajvanit, (2) për ndalimin e krjimit të faktorëve që çojnë në rritjen e tensioneve në ngushticat e Tajvanit dhe (3) për ndalimin e dëmtimit të procesit të paqes dhe stabilitetit në rajon.



















