
Me vështrim drejt vitit 2026. Përmes zigzageve të zhvillimit global dhe domosdoshmërisë së bashkëpunimit të ri ndërkombëtar
Jemi duke ju afruar fundit të vitit 2025 dhe tashmë është momenti i përshtatshëm dhe justifikimi i plotë i momenteve të një reflektimi të thellë në të tëra nivelet.

Nga Prof. Dr. Enriko Ceko
Drejtor Ekzekutiv “Qendra Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm”
Jemi duke ju afruar fundit të vitit 2025 dhe tashmë është momenti i përshtatshëm dhe justifikimi i plotë i momenteve të një reflektimi të thellë në të tëra nivelet. Është tërësisht e dukshme se viti 2025 nuk ka qenë thjesht dhe vetëm një periudhë 12-mujore përmes së cilës përjetuam vazhdimësinë e sfidave të krijuara dhe trashëguara nga e kaluara, por çfarë paraqitet më e rëndësishme është fakti se çdo ditë e vitit 2025 shërbeu si një pasqyrë e madhe dhe e qartë e qasjeve dhe e pikëpamjeve të ndryshme, dhe e përballjeve e kontradiktave që kanë shoqëruar, shoqërojnë dhe do vazhdojnë të shoqërojnë transformimin e zhvillimit global.
Të tërë civilizimet apo ndryshe qytetërimet, synojnë një rrugëtim të suksesshëm drejt një bote (1) më të qëndrueshme, (2) më të drejtë dhe (3) më të gjelbër, por ky rrugëtim përgjatë vitit 2025 ka pësuar luhatje, ulje e ngritje, zigzage, ngadalësime, kthesa të papritura, ulje dhe ngritje temperaturash politike në çdo cep të globit dhe kjo nuk ka bërë gjë tjetrër veçse ka nxjerrë në një anë, në dukje, vështirësitë objektive me të cilat përballemi si individë, si shoqëri, si kombe dhe si qytetërim global dhe, nga ana tjetër, ka treguar shpesh në mënyrë të qartë mungesën e vendosmërisë politike dhe mungesën e lidershipit në lidhje me vendimmarrjen për çështje madhore transnacionale në disa qendra të rëndësishme globale kjo.

Konferenca e OKB-së për Ndryshimet Klimatike 2025: SHBA-ja fitoi çmimin “Fosili i Ditës”, që satirizon simbolikisht ndotësit kryesorë në botë/Foto nga VCG
Në vitet e fundit, kryesisht pas pandemisë, Shtetet e Bashkuara dhe Europa kanë artikuluar disa herë edhe premtime ambicioze për klimën, tranzicionin energjetik, zhvillimin e qëndrueshëm, etj, megjithatë, gjatë vitit 2025 janë vënë re tërheqje parciale apo edhe ngadalësime të ndjeshme në zbatimin e disa prej këtyre angazhimeve dhe premtimeve.
Në më të shumtën e rasteve në Perëndim përparësitë janë rishikuar disa herë, qoftë edhe përgjatë vitit 2025 dhe kjo për shkak të disa kushteve dhe arsyeve të tilla si (1) krizat e brendshme me natyrë politike, ekonomike dhe sociale, (2) presionet politike me natyrë të brendëshme, por edhe dëshira për t’i eksportuar këto probleme drejt vendeve të pazhvilluara dhe në zhvillim, (3) konfliktet gjeopolitike, (4) frika nga humbja e konkurrueshmërisë ekonomike, etj.
Ne të tërë pamë qartë se përgjatë vitit 2025, në disa raste të spikatura, politikat mjedisore u spostuan, u zbutën ose u relativizuan dhe kjo solli një hendek shumë të madhe midis veprimit konkret, që pritej në arenën globale, rajonale e lokale, dhe, retorikës, e cila shpesh tingëlloi boshe dhe pa temp.
Padyshim që natyra e këtyre zhvillimeve dërgoi sinjale të përziera për pjesën tjetër të botës, kryesisht për vendet e pazhvilluara dhe në zhvillim, sepse nën një këndvështrim të pritshëm, vendet e pazhvilluara dhe në zhvillim kërkojnë dhe presin mbështetje, kryesisht financiare dhe teknologjike, për të përballuar tranzicionin e gjelbër, që kërkohet si domosdoshmëri dhe nga ana tjetër janë po këto vende që interceptojnë fare qartë se partnerët e tyre tradicionalë perëndimorë kanë filluar të hezitojnë për të mbajtur barrën e përgjegjësisë globale dhe kjo, në fakt, ka krijuar dhe ka bërë të dukshme edhe një klimë mosbesimi dhe pasigurie, pikërisht në kohën kur më e domosdoshme se kurrë është bashkëpunimi dhe ecja krah për krah me njëri tjetrin.

Në Rajonin Autonom Ningxia Hui të Kinës veriperëndimore, turbinat me erë dhe panelet fotovoltaike transmetojnë vazhdimisht energji elektrike të gjelbër./Foto nga VCG
Kjo gjendje është kontekst i ndërlikuar në aspektin (1) lokal, (2) rajonal dhe (3) transnacional. Por, pavarësisht këtij konteksti situacional dhe paqartësive që paraqet gjendja aktuale e zhvillimeve ndërkombëtare, Kina ka vijuar një trajektore (1) të qëndrueshme, (2) të drejtpeshuar dhe (3) të mirëmenaxhuar të zhvillimit me cilësi të lartë. Ashtu si çdo vend dhe shoqëri edhe Kina dhe shoqëria kineze kanë sfidat e tyre. Në rastin e Kinës sfidat me të cilat është përballur shoqëria kineze janë ndërthurur me presionet e jashtme, të natyrave nga më të ndryshmet, por është mjaft e dukshme se Kina ka vazhduar rrugën e saj me një qartësi të thellë dhe perceptim modern drejt investimeve në (1) inovacion, (2) teknologjitë e pastra dhe miqësore me mjedisin dhe (3) në reduktimin gradual të emetimit të dioksidit të karbonit në atmosferë dhe kjo sepse politikat për (1) energjinë e rinovueshme, (2) transportin e gjelbër dhe (3) transformimin industrial kanë qenë, janë dhe do mbeten pjesë e një vizioni afatgjatë, të orientuar shkencërisht nga Partia Komuniste e Kinës dhe Presidenti Xi Jinping, vizion që synon jo vetëm dhe thjesht rritjen ekonomike, por harmoninë mes njeriut dhe natyrës, dhe jo thjesht dhe vetëm bërjen e njeriut pjesë të sistemit, por para së gjithash vendosjen e tij në qendër të sistemit.
Është pikërisht kjo qasje dhe kjo zgjedhje e Kinës që i jep zgjidhje një ndër problemeve më madhore të kohëve moderne, që është vlerësimi i sistemeve. Pikërisht për shkak të kësaj qasjeje, duket se viti 2025 do jetë viti i fundit i “normalitetit” (ashtu si ne njerëzit e perceptojmë normalitetin deri më tani) dhe fundi i problemit madhor mbarëbotëror sipas të cilit deri tani ne i kemi vlerësuar dhe vazhdojmë t’i vlerësojmë sistemet bazuar në pasurinë.

Fabrika e automjetit me energji të re BYD në Parkun Industrial Xiatang, Qarku Changfeng, qytetin Hefei të Kinës lindore/Foto nga VCG
Kina ofron një qasje tjetër. Ajo e vlerëson sistemin nga mënyrë se si sistemi i trajton njerëzit. Duket se kjo qasje do jetë një mënyrë e re dhe krejt ndryshe nga mënyra se si ne i kemi vlerësuar deri më sot sistemet.
Në këtë këndvështrim, vendet që kanë të ardhura të larta mesatare për frymë nuk janë pikërisht vendet ku qytetarët trajtohen më mirë se në vendet e tjera, përkundrazi, në këto vende ka diferenca shumë të mëdha dhe kontraste të paimagjinueshme midis të pasurve dhe të varfërve, midis atyre që kanë mundësi financiare dhe atyre që nuk i kanë këto mundësi. Kjo është pikërisht plaga e madhe që Kina përgjatë të tërë historisë së saj të zhvillimit të kohëve moderne nuk e ka përkrahur dhe nuk e ka stimuluar. Duhet se ka dy qasje konceptuale në lidhje me këtë. Njëra është ajo kapitaliste, ku individi që ka aftësi (cilatdoqofshin këto aftësi), ecën përpara dhe ata që nuk kanë mundësi mbeten prapa (dhe askush nuk mban përgjegjësi) dhe tjetra është ajo humane sipas së cilës të tërë duhet ta fillojnë nga një bazë e qëndrueshme dhe solide kushtesh të paracaktuara dhe më pas kush ka aftësi ecën përpara dhe ata që nuk kanë mundësi nuk duhet të lihen nga shoqëria mënjanë dhe pas. Pra, Kina ofron qasjen e vlerësimit të sistemeve nga mënyra se si sistemet i trajtojnë qytetarët e tyre dhe jo thjesht nga ana statistikore se sa para kanë mesatarisht qytetarët në çdo vend të botës.
Dhe jo vetëm në këtë aspekt, por edhe në lidhje me aspekte të tjera, si për shembull zhvillimi i një ekonomie miqësore me mjedisin, me karbon të ulët, me teknologji të gjelbra dhe me ujra të pastra dhe qiej të kaltër, është zgjedhja që ka bërë Kina për sot dhe të ardhmen e saj dhe kjo zgjedhje nuk është as një proces i lehtë dhe as i menjëhershëm. Është një rrugë që kërkon qasje moderne, vizion, lidership, investime të mëdha dhe ristrukturim të modeleve tradicionale të prodhimit, konsumit, shpërndarjes dhe rishpërndarjes dhe pikërisht përvoja që ka fituar Kina në përgjithësi, por, edhe përvoja e saj për vitin 2025 në veçanti, ka treguar se vendosmëria politike dhe planifikimi strategjik, mbështetur dhe zhvilluar nga vizioni i qartë i lideshipit, ndjekur me vullnet të plotë, me besim dhe vendosmëri nga masat qytetare dhe fshatare të popullit, janë elemente kryesore për të shmangur luhatjet e forta dhe për të garantuar vazhdimësi. Pikërisht ky shembull i politikave afatgjata dhe të qëndrueshme, është ai që ofron mësime të vlefshme për komunitetin ndërkombëtar.
Në këtë pikë patjetër duhet të theksoj se asnjë vend, pavarësisht madhësisë apo fuqisë së tij ekonomike, nuk mund ta përballojë i vetëm sfidën e ndryshimeve klimatike dhe prirjen e transformimit global. Dukuritë e (1) motit ekstrem, (2) krizat energjetike, (3) pabarazitë ekonomike dhe (4) tensionet sociale, etj, janë dëshmi se problemet e sotme nuk njohin kufij, ligje dhe sisteme dhe pikërisht për këtë fakt dhe për këtë shkak, çdo (1) tërheqje, (2) vonesë dhe (3) hezitim në një a disa pjesë të botës reflektohet, herët a vonë, edhe në pjesët e tjera të saj.
Ajo që e kaluara na ka mësuar, por specifikisht ajo që viti 2025 na tregoi është se zhvillimi global nuk është një vijë e drejtë. Është një proces kompleks, ndikuar nga interesa të shumta dhe shpesh edhe kontradiktore. Nga ana tjetër, nga një këndvështrim optimist, viti 2025 na mësoi fare qartë se mungesa e bashkëpunimit ka një kosto shumë më të lartë sesa kompromisi dhe dialogu dhe se atje ku dhe kur premtimet thyhen ose shtyhen, ne qytetarët e kësaj bote, pavarësisht se ku jetojmë dhe se ku e kemi ndërtuar jetën tonë individuale dhe si shoqëri, humbasim jo thjesht kohën, por edhe besimin. Dhe është pikërisht besimi ai që qendron në themel të marrëdhënieve ndërkombëtare, si një nga burimet më të çmuara të këtyre marrëdhënieve, që tashmë gradualisht po shndërrohen në transnacionale dhe në krye të këtij rrugëtimi është pikërisht Kina ajo që ka patur një ndikim përcaktues drejt orientimit transnacional.

Parku i Ligatinës i qytetit Dongpo në provincën Sichuan të Kinës jugperëndimore/Foto nga VCG
Dhe pak ditë na ndajnë nga fillimi i vitit 2026 dhe duke hedhur vështrimin drejt 2026-ës, të tëra pritshmëritë tona individuale dhe si shoqëri në çdo vend të botës, duhet të shoqërohen me një ndjenjë të lartë qytetarie dhe përgjegjësie të ripërtërirë, sepse, ne, të tërë, kudo që jemi, kemi nevojë për një frymë të re bashkëpunimi, që shkon përtej rivaliteteve gjeopolitike, përtej interesave afatshkurtra, përtej përfitimeve individuale dhe të grupeve të interesit. Kjo qasje që presim për vitin 2026 ka të bëjë me vizionin dhe dëshirën për arritjen e një konsensusi të gjerë dhe të plotë mbi faktin se zhvillimi i qëndrueshëm nuk është një barrë apo një peshë kryesisht në kurriz të vendeve të pazhvilluara dhe në zhvillim, por është një mundësi për rritje të re, më të drejtë dhe edhe më gjithëpërfshirëse, ku sistemet të maten, vlerësohen dhe klasifikohen nga ajo se si këto sisteme e trajtojnë njeriun dhe jo se sa para e kapital ka në këto sisteme në të cilat askush nuk e di se kush i zotëron këto para dhe këtë kapital.
Marrëdhëniet transnacionale kanë të bëjnë me veprime konkrete që lidhen me (1) financimin më të drejtë për tranzicionin e gjelbër, (2) transferimin e teknologjive, (3) mbështetjet për vendet më të cenueshme dhe (4) respektimin e angazhimeve të marra dhe vetëm me anë të përpjekjeve të përbashkëta do jemi në gjendje që të shmangim skenarët pesimistë dhe të ndërtojmë një të ardhme ku zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit ecin paralelisht.
Ditët e fundit të vitit 2025 janë ditët që mund të kthehen në momente ndërgjegjësimi dhe pikënisje për një angazhim më të fortë dhe edhe më të sinqertë global, sepse vetëm duke bashkuar vizionet, burimet dhe vullnetin politik, mund të shpresojmë që viti 2026 të mos jetë thjesht një tjetër kapitull me zigzage në zhvillimet botërore, por një hap i qëndrueshëm drejt një të ardhmeje më të sigurt për të gjithë ne, kështu që në fund të këtij viti të mbushur me sfida, mësimi më i madh dhe më i rëndësishëm mbetet fakti se “bota nuk e ka luksin e përçarjes dhe të vonesës”.
Burimi CGTN



















