
Verdho: Ndërtimi i hekurudhës Durrës-Rrogozhinë nis në 2026-ën, operimi me tren elektrik dhe sistem elektronik
Qeveria shqiptare ratifikoi javën e shkuar marrëveshjen e grantit të BE-së prej 60,5 milionë euro për linjën hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, një nyjë e rëndësishme kjo e Korridorit VIII që lidh Shqipërinë, Italinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Qeveria shqiptare ratifikoi javën e shkuar marrëveshjen e grantit të BE-së prej 60,5 milionë euro për linjën hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, një nyjë e rëndësishme kjo e Korridorit VIII që lidh Shqipërinë, Italinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Investimi kap vlerën e 120,5 milionë eurove dhe do të mbulohet me grant nga BE-ja dhe kredi në shumën 30 milionë euro nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe 30 milionë euro nga Banka Europiane e Investimeve.
Drejtori i përgjithshëm i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, bëri të ditur se investimi në segmentin hekurudhor Durrës-Rrogozhinë, 34 km i gjatë, përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës hekurudhore në Shqipëri dhe konsolidimit të Korridorit VIII.
Sipas tij, punimet pritet të nisin gjysmën e parë të vitit që vjen.
Në nivel kombëtar, tha ai, ky projekt sjell modernizimin e një segmenti kyç të rrjetit hekurudhor, duke garantuar standarde bashkëkohore për shpejtësi në lëvizjen e trenave, siguri dhe komoditet të udhëtarëve.
“Linja do të mundësojë lëvizje më të shpejtë të pasagjerëve dhe transport më efikas të mallrave, duke ulur ndjeshëm kostot e logjistikës dhe kohën e udhëtimit”, shprehet Verdho.
Ky përmirësim, theksoi ai, do të krijojë kushte për një shërbim hekurudhor më konkurrues dhe të besueshëm, duke nxitur përdorimin e transportit hekurudhor ndaj atij rrugor dhe duke reduktuar ndotjen mjedisore.
“Në aspektin rajonal, ky segment është hallka e parë e modernizimit të Korridorit VIII në territorin shqiptar, i cili lidh Portin e Durrësit me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë”, deklaroi Verdho.
Duke qenë porta kryesore hyrëse dhe dalëse në Adriatik, shtoi ai, modernizimi i këtij segmenti rrit rëndësinë strategjike të Shqipërisë si nyjë lidhëse mes tregjeve të Europës Qendrore e Lindore dhe Mesdheut.
Përmes kësaj linje, Korridori VIII bëhet më funksional, duke i dhënë një dimension të ri bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në Rrjetin Trans-Europian të Transportit (TEN-T).
“Në tërësi, ky investim pritet të shërbejë si katalizator për projekte të tjera hekurudhore në vend, duke vendosur standardet e modernizimit dhe duke kontribuar në një rrjet të unifikuar, efikas dhe të qëndrueshëm hekurudhor për Shqipërinë dhe rajonin”, deklaroi Verdho.
Verdho shpjegoi edhe fazat e realizimit të këtij projekti dhe afatet kohore për përfundimin e tij.
“Aktualisht kemi finalizuar përzgjedhjen e konsulentit për “PIU Support” ose asistencën teknike për mbështetjen teknike të njësisë së zbatimit të projektit, kontrata me të cilin është duke vijuar normalisht. Gjithashtu, jemi në fazë prokurimi për përzgjedhjen e supervizorit të punimeve, ku sapo kemi finalizuar fazën e parakualifikimit me 6 kompani të përzgjedhura, të cilat do të vijojnë me fazën tekniko-financiare. Planifikohet që brenda këtij viti të shpallet tenderi për punimet civile dhe të lidhet kontrata brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2026″, tha Verdho.
Punimet për këtë segment janë parashikuar të kenë një kohëzgjatje prej 3 vjetësh.
Kreu i Hekurudhës Shqiptare theksoi se kjo linjë do të operohet nga tren elektrik.
“Vlen të theksohet se të gjithë stacionet hekurudhore përgjatë kësaj linje: Rrogozhinë, Kavajë, Lekaj, Golem dhe Plazh, do të ndërtohen të reja. Projekti parashikon modernizimin e plotë të infrastrukturës së tyre në përputhje me standardet bashkëkohore të sigurisë, shpejtësisë dhe komoditetit”, u shpreh kreu i HSH-së.
Stacionet do të pajisen me platforma të reja të aksesueshme për të gjitha kategoritë e pasagjerëve, përfshirë personat me aftësi të kufizuara, sisteme ndriçimi dhe sinjalizimi modern, si dhe ambiente pritjeje funksionale e komode.
Përveç ndërtesave të reja, stacionet do të integrohen me sisteme elektronike të informacionit për pasagjerët, për shembull oraret, njoftimet në kohë reale, duke lehtësuar orientimin dhe planifikimin e udhëtimeve.
“Projekti gjithashtu përfshin masa për rritjen e sigurisë, përmes instalimit të kamerave të mbikëqyrjes, sistemeve të kontrollit të hyrje-daljeve dhe përmirësimit të ndriçimit publik në hapësirat e jashtme”, shpjegoi Verdho.
Verdho vuri në dukje se janë ndërmarrë një sërë masash për të siguruar respektimin e standardeve mjedisore dhe sociale në përputhje me politikat e këtyre institucioneve dhe me legjislacionin shqiptar.
“Është përgatitur Plani i Menaxhimit Mjedisor dhe Social (ESMP) që përcakton masat praktike për monitorimin dhe minimizimin e ndikimeve negative mbi biodiversitetin, cilësinë e ajrit, ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore, si dhe menaxhimin e zhurmës dhe mbetjeve gjatë ndërtimit”, tha ai.
Gjithashtu, janë marrë masa të posaçme për të mbrojtur zonat me rëndësi ekologjike dhe për të ruajtur ekuilibrin natyror.
Hekurudha Durrës-Rrogozhinë, si pjesë e Korridorit VIII hekurudhor, përfaqëson një projekt strategjik që ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e lidhjeve ndërkombëtare të Shqipërisë me vendet e tjera të Ballkanit dhe më gjerë. Së pari, kjo linjë krijon një nyjë lidhëse mes Portit të ri të Durrësit, porti më i madh në vend dhe një nga më të rëndësishmit në Adriatik dhe rrjetit hekurudhor rajonal, duke mundësuar transferimin më efikas të mallrave dhe pasagjerëve drejt Maqedonisë së Veriut dhe më pas Bullgarisë. Kjo rrit konkurrueshmërinë e korridorit Lindje-Perëndim, i cili lidh Adriatikun me Detin e Zi.
Po ashtu, përmirësimi i kësaj linje hekurudhore krijon kushtet për integrimin e Shqipërisë në Rrjetin Trans-Europian të Transportit (TEN-T), duke mundësuar që flukset tregtare dhe logjistike të kalojnë më lehtë nëpër territorin shqiptar. Përmes Durrësit, lidhet gjithashtu transporti detar me Italinë, duke forcuar rolin e Shqipërisë si urë lidhëse mes tregjeve të Europës Qendrore/Lindore dhe atyre të Mesdheut Perëndimor.
Një tjetër ndikim i rëndësishëm është rritja e mundësive për zhvillim ekonomik rajonal dhe për tërheqjen e investimeve të huaja, pasi linja moderne hekurudhore do të ulë kostot e transportit dhe do të rrisë shpejtësinë dhe sigurinë e lëvizjes së mallrave. Kjo pritet të krijojë kushte më të favorshme për kompanitë e logjistikës dhe për eksportuesit, të cilët do të kenë akses më të lehtë drejt tregjeve të rajonit dhe Bashkimit Europian.
Burimi ATSH