
Tingujt e kompozitorit të madh Ennio Morricone magjepsin publikun në Tiranë
Tingujt e pavdekshëm të mjeshtrit të muzikës filmike Ennio Morricone mbushën mbrëmjen e sotme sheshin “Italia” në Tiranë, në koncertin madhështor “Morricone dirigjon Morriconen”, organizuar në kuadër të Ditës së Europës.

Tingujt e pavdekshëm të mjeshtrit të muzikës filmike Ennio Morricone mbushën mbrëmjen e sotme sheshin “Italia” në Tiranë, në koncertin madhështor “Morricone dirigjon Morriconen”, organizuar në kuadër të Ditës së Europës.
Në koncerti ishin të pranishëm Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, zv/kryeministrja Albana Koçiu, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, ambasadori i Italisë në Tiranë, Marco Alberti, diplomatë, artistë etj.
Koncerti organizohet me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama.
Pak para nisjes së koncertit, kryeministri Rama ndau edhe një moment bashkëbisedimi me ambasadorin e Italisë në Tiranë, Marco Alberti ku vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve në organizimin e këtij eventi artistik.
Rama tha se “jemi gati për të shijuar diçka të jashtëzakonshme që është sjellë në Tiranë nga Qendra për Hapje dhe Dialog e Kryeministrisë dhe që ka edhe një veçanti për Ditën e Europës: është bashkëpunimi ynë me qeverinë italiane përmes ambasadës, por është bashkëpunim i parë në histori ku financat e vëllezërve tanë dhe të motrës sime në Romë janë pakicë. Pra, aksionarë minorance në rrugën tonë drejt Europës”.
Në skenë Andrea Morricone dirigjoi Orkestrën Simfonike të RTSH-së, duke sjellë për publikun emocionin e veprave ikonike të të atit Ennio Morricone.
Në këtë mbrëmje të mbushur plot emocione performuan solistë të njohur ndërkombëtarë si pianistja Cecilia Grillo, baritoni Alessio Quaresima Escobar, sopranoja Vittoriana de Amicis.
Drejtimi artistik i koncertit i ishte besuar Anila Varfit.
Artistët përcollën për publikun një përjetim unik me kolonat zanore më të njohura të kinemasë botërore.
Aktiviteti u realizua në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, Ambasadën italiane në Tiranë, RTSH dhe TKOB.
Ennio Morricone ishte kompozitor dhe dirigjent legjendar italian, sinonim i “Spaghetti Westerns” të Sergio Leones, sipas classicfm.com. Gjashtë herë fituesi i ”Golden Globe”, Ennio Morricone, përbën gjysmën e një prej partneriteteve më të mëdha regjisor/kompozitor, që nga Hitchcock dhe Hermann.
Partiturat e tij të para të filmit ishin relativisht të zakonshme, por ai u punësua nga Leone për filmin ”Per un Pugno di Dollari” (Për një grusht dollarë) në vitin 1964 në bazë të disa prej aranzhimeve të këngëve të tij.
Përdorimi krijues i kambanave, kitarave elektrike, harmonikave dhe zhurmës së dallueshme të harpës hebreje nga Morricone kanë ndikuar dhe revolucionarizuar muzikën perëndimore deri në atë pikë, sa është e vështirë të imagjinohet një partiturë pa instrumentet e tij joortodokse.
Edhe pse emri i tij do të jetë gjithmonë sinonim i ”Spageti Western”, Morricone ka shkruar rreth 400 partitura filmash në të gjitha zhanret e filmit, duke përfshirë komeditë, romancat dhe thrillerët.
Disa nga kompozimet e tij brilante dhe më të paharrueshme përfshijnë: ”Mission” e Roland Joffé (1986); ”The Untouchables” të Brian De Palma (1987); ”Cinema Paradiso” e Giuseppe Tornatore (1988); ”Kill Bill” Vol. 1&2 (2003/04); ”The Life Aquatic” me Steve Zissou (2004).
Gjatë karrierës së tij të gjatë, Morricone mori çmime të panumërta: Dy Oscar: një nderi në 2007 për kontributin e tij të gjithanshëm në artin e muzikës së filmit, dhe një në 2016-ën për The Hateful Eight (në moshën 87-vjeçare, duke u bërë një nga fituesit më të vjetër).
Ai fitoi tre Grammy, tre Golden Globe, gjashtë BAFTA, dhjetë “David di Donatello”, 11 “Nastro d’Argento” dhe çmime të tjera prestigjioze si “Polar Music Prize” (2010) dhe “Golden Lion” për Karrierë.
Ai u nderua edhe me titullin “Commendatore” dhe “Grande Ufficiale” nga Republika Italiane.
Morricone ndërroi jetë më 6 korrik 2020 në moshën 91-vjeçare. Muzika e tij vazhdon të jetë e pranishme në koncerte, filma dhe kulturën popullore botërore. Ai trajtoi muzikën e filmit si artin më të lartë, duke e ngritur atë në nivelin e simfonisë.
Burimi ATSH



















