
Kina, një qendër globale prodhimi dhe një treg konsumi thelbësor dhe i qëndrueshëm
Një studim i Fondit Monetar Ndërkombëtar i vitit 2025 ka treguar se Kina ka dhënë kontribute të rëndësishme në rritjen ekonomike globale, duke konfirmuar se ecuria e brendshme ekonomike e Kinës gjeneron pasoja globale dukshëm më të mëdha dhe më të përhapura në Prodhimin e Brendshëm Bruto në nivel global, inflacion dhe çmime të mallrave, sesa ekonomitë e tjera të mëdha të vendeve në zhvillim.

Nga Prof. Dr. Petraq Milo
“Shtrydhje” (ose “China squeeze”) është një koncept ekonomik dhe politik që sugjeron që kapaciteti industrial i Kinës — i cili dominon në sektorët e teknologjisë së lartë, ashtu edhe prodhimin me intensitet të lartë të fuqisë punëtore — kufizon rrugët e industrializimit dhe mundësitë e eksportit për vendet më të varfra të Jugut. Koncepti është trajtuar nga institute kërkimore siç është një studim i mesit të vitit 2026 nga Instituti Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare. Ky dokument argumenton se forca e Kinës në industrinë e përpunimit (manifakturës) me intensitet të lartë të fuqisë punëtore po e ngushton rrugën drejt industrializimit për vendet më të varfra, duke vënë në pah konkurrencën nga mallrat kineze në tregjet globale dhe ato në zhvillim. Sipas tyre, ndryshe nga modelet ekonomike të mëparshme të vendeve që kaluan gradualisht duke u rritur nga industria e lirë e përpunimit në industrinë me teknologji të lartë, Kina po kalon menjëherë në zhvillimin e industrisë me një teknologji të nivelit të lartë. Mbështetësit pretendojnë se ky dominim lë më pak hapësirë në tregjet globale për ekonomitë në zhvillim si India, Vietnami ose vende të ndryshme afrikane, për t’u ngjitur në zinxhirin e vlerës. Diskutimet kanë promovuar idenë e të ashtuquajturës “kërcënim” të Kinës, me pretendimin se forca prodhuese e Kinës po kufizon mundësitë e industrializimit për ekonomitë në zhvillim. Kritikët dhe media shtetërore kineze e hedhin poshtë termin si një narrativë të gabuar të “shtrëngimit nga Kina” duke argumentuar që ky pretendim mbështetet në modele ekonomike statike.
Historianë si Adam Tooze, e kanë vënë në dyshim konceptin, duke vënë në dukje se ai mbështetet në një histori “kundërfaktike” që supozon se prodhimi global është një masë me madhësi fikse dhe jo një treg që po zgjerohet në mënyrë dinamike. Mbështetësit e këtij kundërshtimi theksojnë se kërkesa e Kinës për lëndë të para, investime në infrastrukturë nëpërmjet Iniciativës “Një Brez, një Rrugë” dhe trajtimet me tarifa zero, në fakt fuqizojnë rritjen globale të vendeve të Jugut. Tooze thekson se kjo kornizë ndryshon nga debatet e mëparshme sepse bazohet në një histori alternative të imagjinuar. Siç shkruan ai, argumenti i “shtrëngimit të Kinës” e bazon kritikën ndaj Kinës në një imagjinatë kundërfaktike të botës”. Sipas Tooze, përkrahësit e teorisë supozojnë se vendet ndjekin një rrugë të përbashkët zhvillimi, duke kaluar nga bujqësia në prodhimin me aftësi të ulëta, përpara se të zhvillojnë industri më të përparuara.

Foto nga VCG
Ata gjithashtu supozojnë se eksportet e prodhimit me aftësi të ulëta duhet të shpërndahen përfundimisht gjerësisht në përpjesëtim me burimet e punës së vendeve të ndryshme. Tooze i sfidon këto supozime, duke argumentuar se trajektoret e zhvillimit formohen nga kushte të ndryshme politike, institucionale dhe historike, dhe jo nga një model i vetëm universal. Tooze argumenton se “zhvillimi nuk është një radhë” dhe sugjeron që konkurrueshmëria e prodhimit të Kinës është e lidhur ngushtë me rrjetet e zinxhirit të furnizimit, logjistikën dhe grupimin industrial dhe jo thjesht me kostot e ulëta të punës. Ai arrin në përfundimin se koncepte të tilla si “shoku i Kinës” apo “shtrydhja e Kinës” duhet të kuptohen si pjesë e debateve më të gjera politike, dhe jo si argumente të përcaktuara të realitetit ekonomik.
Një studim i Fondit Monetar Ndërkombëtar i vitit 2025 ka treguar se Kina ka dhënë kontribute të rëndësishme në rritjen ekonomike globale, duke konfirmuar se ecuria e brendshme ekonomike e Kinës gjeneron pasoja globale dukshëm më të mëdha dhe më të përhapura në Prodhimin e Brendshëm Bruto në nivel global, inflacion dhe çmime të mallrave, sesa ekonomitë e tjera të mëdha të vendeve në zhvillim. Kina është kontribuuesi më i madh në rritjen vjetore ekonomike globale. Ajo siguron rreth 30% të rritjes ekonomike totale botërore. Pjesa e saj në ekonominë globale është rritur ndjeshëm gjatë viteve, duke vepruar si një spirancë kryesore e stabilitetit dhe një nxitës kryesor për tregtinë dhe zhvillimin ndërkombëtar. Kina kontribuon me gati 30% deri në 38% të prodhimit global të industrisë, duke vepruar si një furnizues kryesor global, një investitor në teknologjinë e gjelbër dhe një pikë referimi për zhvillimin e parqeve industriale.

Foto nga VCG
Narativa e “shtrydhjes” mbështetet më shumë në konceptin e konkurrencës sesa në ecurinë e kërkesës. Kina eksporton mallra të prodhuara ndërsa importon sasi të mëdha mallrash, produktesh bujqësore dhe përbërësish. Makineritë dhe pajisjet e saj mund të ulin kostot e prodhimit në vendet e tjera, ndërsa kërkesa e fortë kineze mbështet importet nga e gjithë bota. Kritikët e modelit industrial të Kinës përqendrohen vetëm në shkallën e saj të eksportit, duke injoruar përpjekjet e saj të rëndësishme për hapjen e tregut. Në gjysmën e parë të vitit 2026, vëllimi i importeve të Kinës arriti në 10.74 trilion juanë kinezë (1.59 trilion dollarë) për herë të parë në të njëjtën periudhë në histori, një rritje prej 22.1% nga viti në vit. Shkalla e rritjes ishte 8.7 % më e lartë se ajo e eksporteve. Importet e Kinës kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në rritjen ekonomike botërore. Në veçanti, në zgjerimin e kapaciteteve dhe transformimin teknologjik dhe nxitjen e kërkesës për import për pajisje të nivelit të lartë si njësi qendrore të përpunimit, qarqe të integruara dhe komponentë avionësh.
Për më tepër, që nga 1 maji 2026, Kina ka zbatuar trajtim me tarifa zero për 100% të mallrave nga 53 vende afrikane me të cilat ka marrëdhënie diplomatike. Kjo masë eliminon barrierat tregtare për produktet bujqësore afrikane, mallrat ujore dhe produktet e industrisë së lehtë, duke u dhënë atyre akses të plotë në tregun e gjerë të brendshëm të Kinës. Kjo politikë ofron përfitime të prekshme. Ajo zgjeron kanalet e eksportit të Afrikës, rrit të ardhurat fiskale lokale dhe punësimin, dhe nxit transformimin nga eksportet e lëndëve të para në përpunimin paraprak, duke hedhur një themel të fortë për industrializimin lokal. Kina ka ulur prej kohësh pragjet e aksesit në treg për vendet e jugut dhe ka zgjeruar importet e mallrave karakteristike të tyre. Ky model i tregtisë së hapur hedh poshtë plotësisht akuzën e “shtrydhjes”, e cila i anashkalon përfitimet e hapjes gjithëpërfshirëse të Kinës.

Foto nga VCG
A mund të trajtohet suksesi tregtar i Kinës si provë e tregtisë së padrejtë ? Gjermania ndërtoi një avantazh në makina, Japonia në makineri, Koreja e Jugut në çipat memorizuese dhe Shtetet e Bashkuara në hapësirën ajrore, farmaceutike dhe softuer. Suksesi i tyre mbështetej në kombinimin e teknologjive, të punës së kualifikuar, shkallës industriale, politikës dhe rrjeteve të furnizuesve. Konkurrenca eliminon kapacitetin e ulët të prodhimit, duke i inkurajuar ndërmarrjet të përmirësojnë efikasitetin dhe inovacionin, por nuk do të thotë që vendet e tjera të privohen nga e drejta për t’u industrializuar. Fuqia prodhuese e Kinës ka gjithashtu themele të identifikueshme. Dekada investimesh në infrastrukturë, kërkim, inxhinieri dhe arsim kanë krijuar grupime të dendura industriale, në të cilat prodhuesit, furnizuesit dhe punëtorët e kualifikuar përforcojnë njëri-tjetrin. Ekonomia e shkallës zvogëlon kostot, ndërsa konkurrenca e fortë vendase përshpejton inovacionin. Në vitin 2025, sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale, Kina kryesoi botën në regjistrimet e patentave.
Kina e ka optimizuar prej kohësh strukturën e saj industriale. Ndërsa kostot e punës vendase rriten, shumë sektorë prodhimi me punë intensive janë zhvendosur në Azinë Juglindore, Azinë Jugore dhe Afrikë. Mbajtja e disa lidhjeve tradicionale të prodhimit nga Kina synon të stabilizojë zinxhirët globalë të furnizimit dhe jo të gërryejë apo të përjashtojë konkurrentët. Vështirësitë industriale, me të cilat përballen shumica e vendeve të Jugut, rrjedhin nga infrastruktura e dobët, strukturat e vetme industriale dhe barrierat sistemike në rendin ekonomik ndërkombëtar. Fajësimi i Kinës për vështirësitë e tyre të zhvillimit do të ishte një pretendim jo i drejtë për opinionin publik. Iniciativa “Një Brez, një Rrugë” mbështet industrializimin e Jugut. Infrastruktura e shëndoshë është parakusht për industrializim. Të pajisura me fuqi punëtore dhe burime të bollshme, disa vende të Jugut nuk arrijnë të ndërmarrin një reformim industrial për shkak të sistemeve të prapambetura të transportit, logjistikës dhe energjisë. Iniciativa “Një Brez, një Rrugë” synon saktësisht kapërcimin e këtyre vështirësive strukturore dhe nxit aftësi të pavarura zhvillimi, duke përfaqësuar fuqizim gjithëpërfshirës. Nga viti 2013 deri në fund të vitit 2025, vëllimi kontraktual dhe i investimeve në kuadër të iniciativës “Një Brez, një Rrugë” arriti në 1.39 trilion dollarë, duke kanalizuar kapital dhe teknologji masive në ndërtimin e infrastrukturës globale. Këto projekte ofrojnë ndërtim kapacitetesh afatgjatë përtej prodhimit të thjeshtë inxhinierik. Gjatë ndërtimit dhe funksionimit, Kina ka transferuar teknologji, trajnim të talenteve lokale dhe përmirësim të sistemeve të mbështetjes industriale, duke ndihmuar vendet partnere të integrohen në zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit.

Foto nga VCG
E ardhmja e ekonomisë globale qëndron në bashkëpunimin e hapur dhe fitimprurës për të dyja palët. Çdo diskutim i njëanshëm që kritikon rritjen industriale të Kinës, dhe për pasojë e “shtrydhjes”, të vendeve në zhvillim do të mbetet një narrativë e cila do të hidhet poshtë nga arritjet e forta të bashkëpunimit.
Burimi CGTN


















