
Kredi me zero për qind interes për policët, Lamallari: Aplikimet të hapura deri më 25 shtator
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari bëri me dije se punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore mund të përfitojnë nga programi i qeverisë për kreditë me zero për qind interes bankar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari bëri me dije se punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore mund të përfitojnë nga programi i qeverisë për kreditë me zero për qind interes bankar.
Lamallari solli si shembull rastin e Xhestinës, punonjëse të Policisë së Shtetit, e cila ka përfituar një banesë përmes këtij programi. Sipas tij, mbështetja synon të shpërblejë punën dhe sakrificën e punonjësve të strukturave të sigurisë dhe familjeve të tyre.
Ministri u ka bërë thirrje punonjësve që plotësojnë kriteret të aplikojnë, duke njoftuar se aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më 25 shtator.
“Nëse je pjesë e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe plotësoni kriteret përfituese – apliko dhe ti! Aplikimet janë të hapura deri më 25 shtator”, tha ai.
Ndërkohë, Xhestina, përfituese e programit, ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen, duke thënë se falë kësaj mundësie ka siguruar shtëpinë e saj të re, ku do të vijojë jetën së bashku me fëmijët.
Ajo gjithashtu u bën thirrje kolegëve të saj, veçanërisht familjeve të reja, që të aplikojnë për të përfituar nga programi.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit hapi më 27 gusht thirrjen për aplikim për 300 kredi me zero për qind interes, të dedikuara për punonjësit e administratës publike për blerjen e një banese.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka 70 kuota, Ministria e Mbrojtjes 70 kuota, Ministria e Arsimit 70 kuota, Ministria e Punëve të Brendshme 70 kuota, ndërsa Policia e Burgjeve/Ministria e Drejtësisë përfiton 20 kuota.
Burimi ATSH


















