
Shqipëria turistike, në vëmendjen e medieve ndërkombëtare
Shqipëria vijon të jetë në vëmendjen e medieve ndërkombëtare, të cilat po e prezantojnë vendin si një prej destinacioneve turistike me interes për t’u vizituar.

Shqipëria vijon të jetë në vëmendjen e medieve ndërkombëtare, të cilat po e prezantojnë vendin si një prej destinacioneve turistike me interes për t’u vizituar.
Në artikujt e publikuar veçohen peizazhet natyrore, bregdeti, trashëgimia kulturore dhe mundësitë për udhëtime jashtë itinerareve tradicionale.
Agjencia për Media dhe Informim ka ndarë disa prej shkrimeve të publikuara gjatë kësaj jave në mediet ndërkombëtare.
Një prej tyre është media online indoneziane “IDN Times” e cila i kushton një artikull rrugicave dhe shtëpive karakteristike të Dhërmiut, ndërsa sjell në vëmendje historinë dhe identitetin e një prej fshatrave më të bukur të Rivierës Joniane.
Media amerikane e specializuar në udhëtime dhe turizëm “Travel Off Path” e sheh Sarandën si një prej destinacioneve me rritjen më të shpejtë në Mesdhe, duke vënë në fokus plazhet dhe ujërat e kristaltë të jugut.
Ndërsa gazeta braziliane “Estado de Minas” udhëton përtej bregdetit, drejt thesareve termale të fshehura mes maleve shqiptare, duke zbuluar një tjetër pasuri natyrore të vendit.
Media kanadeze e industrisë së turizmit “Travelweek” sjell Tiranën në fokus si një kryeqytet që po ndryshon, po modernizohet dhe po fiton gjithnjë e më shumë energji e dinamizëm.
Nga fshatrat historikë te qytetet moderne, nga deti Jon te burimet termale, bota po e zbulon gjithnjë e më shumë vendin tonë.
Burimi ATSH


















