
“HOMELAND III është një udhëtim vizual në zemrën e Shqipërisë”

Nga Fation Plaku
HOMELAND III – The Mountains of Albania.
Ndihem i nderuar dhe njëkohësisht i emocionuar të ndaj me ju endrren e një rrugëtimi të gjatë, të mbushur me përkushtim, sfida dhe pasion: albumin HOMELAND III. një vepër që përmbledh bukurinë, madhështinë dhe shpirtin e trojeve tona malore.

Ky album është shumë më tepër sesa një botim fotografik. Ai është një histori dashurie për vendin tonë. Është një dëshmi e bukurisë së jashtëzakonshme që natyra i ka falur Shqipërisë. Në faqet e tij janë përmbledhur mbi 120 maja malesh, të shtrira në të gjithë territorin shqiptar, nga Alpet madhështore në veri, deri te vargmalet e jugut, nga lindja në perëndim.

Për vite me radhë kam ecur në shtigje malore, kam ngjitur shume maja malesh, kam kaluar lugina, qafa e kreshta, kam përjetuar agime të ftohta dhe perëndime që të lënë pa frymë. Kam ndjekur dritën e mëngjesit mbi majat e mbuluara me borë dhe kam soditur horizontin e pafund që vetëm mali di ta ofrojë.
Pas çdo fotografie fshihet një rrugëtim, një ngjitje, nje rrezik, një sfidë dhe një emocion. Ka net të kaluara në strehë malore, orë të tëra ecjeje në terrene të vështira, pritje për dritën e duhur dhe mbi të gjitha një dashuri e pakushtëzuar për natyrën dhe atdheun.

Malet tona nuk janë vetëm formacione gjeografike. Ato janë kujtesë, histori dhe identitet. Në këto maja kanë jetuar breza të tërë shqiptarësh, janë ruajtur tradita, janë kënduar këngë dhe janë shkruar faqe të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Prandaj, përmes këtij albumi kam dashur jo vetëm të dokumentoj bukurinë e tyre, por edhe të nxis respektin dhe dashurinë për këtë trashëgimi të çmuar.
HOMELAND III është një udhëtim vizual në zemrën e Shqipërisë. Ai fton çdo lexues të zbulojë vende që ndoshta nuk i ka parë kurrë, të njohë peizazhe që sfidojnë imagjinatën dhe të kuptojë se sa i pasur është vendi ynë me bukuri natyrore.

Shpresoj që ky album të shërbejë si një ambasador i maleve shqiptare, duke frymëzuar jo vetëm shqiptarët, por edhe miqtë e huaj që të njohin këtë pasuri të jashtëzakonshme.

















