
Rama: Ëndrra europiane ka bërë ndryshimin për Shqipërinë dhe rajonin
“Ajo që bën vërtet ndryshimin është ëndrra”, deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me një grup profesorësh të Forumit Ekonomik Botëror, duke e lidhur transformimin e Shqipërisë dhe vendeve të rajonit me aspiratën për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Ajo që bën vërtet ndryshimin është ëndrra”, deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me një grup profesorësh të Forumit Ekonomik Botëror, duke e lidhur transformimin e Shqipërisë dhe vendeve të rajonit me aspiratën për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Në përgjigje të një pyetjeje të një profesoreje nga Mongolia mbi transformimin demokratik të Shqipërisë dhe sfidat e tranzicionit, Rama tha se Shqipëria ka kaluar një periudhë të gjatë ndryshimesh, ndërsa “ëndrra” europiane ka qenë një faktor i rëndësishëm orientues.
“Unë besoj se ajo që bën vërtet ndryshimin është ëndrra”, u shpreh Rama, duke sjellë si shembull Afganistanin dhe Irakun, ku, sipas tij, njerëzve iu ofruan premtime për një të ardhme më të mirë, por ato nuk u realizuan.
Rama theksoi se Shqipëria, ndryshe nga këto vende, ka pasur ëndrrën e Bashkimit Europian, e cila ka shërbyer si një aspiratë e përbashkët për zhvillim dhe përparim.
Sipas kryeministrit, vendet e rajonit kanë kaluar periudha të vështira tranzicioni, përfshirë konflikte civile, etnike dhe fetare, ndërsa sot ndodhen në një rrugë zhvillimi të orientuar drejt integrimit europian.
“Njërzëve në Afganistan ju ofrua një ëndërr, por ata u tradhëtuan. Në Irak njerëzve ju tha se po bombardohemi sepse më pas ju pret një ëndërr. Por kjo nuk ndodhi. Për Mongolin nuk e njoh historinë, në të njëjtën mënyrë, por e di se asnjë prej këtyre vendave nuk e ka pasur ëndrrën për Bashkimin Europian. Jo vetëm Shqipëria, por edhe vendet e tjera të rajonit kanë kaluar nëpër tranzicion, sepse u është dashur të përballen me luftëra civile, etnike e fetare dhe tani të gjitha ndodhen në rrugën e zhvillimit. Por nëse Bashkimi Europian nuk do të ishte aty si një ëndërr, gjërat do të ishin edhe më keq se të gjithë ju”, tha Rama.



















