
“Prania Besnike”, Koçiu: Institucionet marrin përgjegjësinë, qytetari merr shërbime më të mira
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu e cilësoi sot “Praninë Besnike” jo vetëm kalendar takimesh në terren, por angazhim të përditshëm të çdo institucioni për të qenë pranë njerëzve

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu e cilësoi sot “Praninë Besnike” jo vetëm kalendar takimesh në terren, por angazhim të përditshëm të çdo institucioni për të qenë pranë njerëzve, duke i adresuar shqetësimet e tyre me zgjidhje konkrete, me transparencë dhe me vëmendje maksimale.
Koçiu u shpreh në një postim në rrjetet sociale se për të garantuar këtë standard shërbimi, po punohet për platformën “Pasqyrë Albania”, hapësirë e re ku do të integrohet edhe platforma e Bashkëqeverisjes.
“Çdo qytetar do të ketë mundësinë të ndjekë kërkesën e tij në kohë reale, pa burokraci dhe pa vonesa, ndërsa çdo institucion do të monitorojë zbatimin deri në zgjidhjen e kërkesës.
Kjo është Prania Besnike: institucionet marrin përgjegjësinë, qytetari merr shërbime më të mira”, u shpreh numri dy i Qeverisë.
Nisma “Prania Besnike” platforma më e re politike dhe organizative ka nisur zyrtarisht shtrirjen e saj në territor.
Kjo nismë përbën një riorganizim të thellë të komunikimit mes strukturave shtetërore e politike dhe qytetarëve.


















