
Rama: Do të hapim katër universitete të reja, një prej tyre ndërkombëtar për Mjekësinë në Fier
Kryeministri Edi Rama në podkastin “Flasim” në episodin e parë të sezonit të 7 u ndal gjerë sisht te shkollat, ndërsa nesër nis viti i ri shkollor për t’u pasuar edhe me vitin e ri akademik.

Kryeministri Edi Rama në podkastin “Flasim” në episodin e parë të sezonit të 7 u ndal gjerë sisht te shkollat, ndërsa nesër nis viti i ri shkollor për t’u pasuar edhe me vitin e ri akademik.
Të ftuar në podacast ishin, Luiza, drejtoreshë e gjimnazit “Partizani”, e cila prej 15 vitesh drejton këtë gjimnaz, administratorja e shkollës privat “Irfan Gjeçagji” në Berat si dhe Frenki Gjika, mjeke e diplomuar në Britaninë e Madhe.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë bëri të ditur një plan të ri për arsimin e lartë në Shqipëri, që parashikon hapjen e katër universiteteve të reja, përfshirë universitete me profil ndërkombëtar dhe programe të specializuara në fusha si mjekësia, teknologjia dhe inteligjenca artificiale.
Rama tha se qeveria pritet të nënshkruajë së shpejti një marrëveshje me një prej rrjeteve më të mëdha universitare në botë, me bazë në Londër. Sipas tij, pjesë e marrëveshjes do të jetë edhe hapja e Universitetit të Mjekësisë në Fier.
Kryeministri tha se universiteti do të ketë karakter ndërkombëtar dhe synon të tërheqë studentë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vende të ndryshme të botës.
“Së shpejti, ne do të nënshkruajmë marrëveshje me një nga rrjetet më të mëdha universitare të botës i cili është i bazuar në Londër dhe pjesë e marrëveshjes është edhe plani i përbashkët për të hapur universitetin e Mjekësisë në Fier. Do të jetë një universitet ndërkombëtar me reputacion ndërkombëtar një universitet jo vetëm për studentët shqiptarë por për studentë nga e gjithë bota”, tha Rama.
Në këtë kuadër, Rama foli edhe për transformimin e Spitalit Memorial në një spital universitar. Ai tha se procesi i diskutimeve ka nisur dhe se tashmë është hartuar një draft-studim fizibiliteti.
Sipas Ramës, shteti shqiptar do të vërë në dispozicion infrastrukturën, ndërsa partnerët ndërkombëtarë do të kontribuojnë edhe në sigurimin e stafit akademik. Një pjesë e rëndësishme e projektit do të jetë përzgjedhja e pedagogëve, jo vetëm brenda vendit, por edhe nga diaspora shqiptare.
“Spitali Memorial, spital universitar, dhe jemi shumë afër, kemi filluar një proces diskutimesh dhe kemi parë një studim një draft studimi të vizibilitetit është fantastik. Presim studimin përfundimtar dhe ata kanë pasur nevojë që ta studiojnë Shqipërinë. Ne do të vëmë në dispozicion infrastrukturën kurse ato do të investojnë dhe në sjelljen e pedagogëve. Një komponent i rëndësishëm do të jetë dhe zgjedhja e pedagogëve të cilët ata synojnë që t’i zgjedhin jo vetëm këtu por edhe nga diaspora”, tha Rama.
Plani i qeverisë, sipas kryeministrit, përfshin krijimin e katër universiteteve.
I dyti do të jetë Universiteti i Vlorës, i konceptuar si universitet i përgjithshëm dhe më i madhi ndër katër institucionet e planifikuara. Rama tha se ambicia është që universiteti të vendoset në qendër të qytetit, pranë Sheshit të Flamurit, me synimin për të tërhequr studentë nga e gjithë bota.
“Është një plan goxha ambicioze, janë katër universitete, është universiteti i Fierit, i cili do jetë universitet ekselence për mjekësi, është universiteti i Vlorës, i cili do jetë universitetet i përgjithshëm do jetë më i madhi i të katërve, dhe ambicia jonë është që ta instalojmë në qendër të Vlorës te sheshi i Flamurit, universitetet ndërkombëtar për studentë nga gjithë bota që do të krijojë një dinamikë të re edhe për qytetin, edhe për shumë gjëra”, tha Rama.
Universiteti i tretë do të ngrihet në Korçë dhe do të ketë fokus te teknologjia dhe inteligjenca artificiale.
“Një tjetër do jetë në Korçë, i cili do jetë universitetet për Teknologjinë dhe Inteligjencën artificiale, edhe aty kemi një infrastrukturë që shkon shumë me këto ambicie”, tha Rama.
Tjetri sipas kreut të qeverisë do të jetë në Tiranë dhe do jetë edhe universitetet i përgjithshëm.
Rama bëri të ditur se objektivi është që procesi të përmbyllet brenda këtij viti dhe që mësimi të nisë në dy prej katër universiteteve.
Studimet në dy universitete, sipas tij do të hapen gjatë 2027-2028 dhe në dy të tjerët, 2028-2029.
“Jemi në fazën që duam ta konkludojmë të gjithë brenda këtij viti dhe duam që të fillojë mësimi në dy nga katër universitetet”, tha ai.
Për realizimin e projektit, Rama tha se palët janë në fazën e dakordësimit mbi bazën e studimeve të kryera. Sipas tij bëhet fjalë për një ndërhyrje të rëndësishme në sistemin shqiptar të arsimit të lartë, që synon të sjellë më shumë konkurrencë, cilësi dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
“Tani jemi në fazën që palët do bazuar në gjithë studimin e bërë do dakordësojnë, po, ne mirëkuptohemi që do ta bëjmë të gjithë dhe pastaj do kemi një ligj specifik për të gjithë këtë sistem të ri, sepse ky është praktikisht një transplant shumë i konsiderueshëm në organizmin e sistemit arsimor shqiptar. Është praktikisht një ri-gjenerim i jashtëzakonshëm edhe një premisë e re për konkurrencë, për cilësi që, për bashkëpunime të reja mes këtyre universiteteve dhe universiteteve tona”, tha Rama.
Burimi ATSH

















