
Ibrahimaj: Shqipëria po shihet si një platformë rajonale zhvillimi
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se Shqipëria po hyn në një fazë të re të transformimit ekonomik, ku investimet, eksportet dhe tranzicioni i gjelbër po marrin rol qendror në zhvillimin e vendit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se Shqipëria po hyn në një fazë të re të transformimit ekonomik, ku investimet, eksportet dhe tranzicioni i gjelbër po marrin rol qendror në zhvillimin e vendit.
Gjatë fjalës së saj në forumin “Albania’s Steady Rise as a Regional Economic Centre”, ministrja vuri theksin te momenti pozitiv që po kalon ekonomia shqiptare dhe drejtimet strategjike që po udhëheqin vizionin deri në vitin 2030.
Ibrahimaj theksoi se ekonomia shqiptare ka kaluar nga një model i mbështetur te konsumi dhe shërbimet, drejt një ekonomie të modernizuar që synon produktivitet, inovacion dhe vlerë të shtuar vendase.
“Pesë vitet e fundit kanë treguar qartë një rritje të qëndrueshme, ulje të papunësisë dhe borxhit, si edhe një inflacion të kontrolluar nën objektivin e Bankës së Shqipërisë. Këto janë tregues që Shqipëria është gati për një ritëm edhe më të shpejtë zhvillimi”, u shpreh ministrja.
Duke folur për integrimin europian, Ibrahimaj theksoi se procesi i negociatave nuk është thjesht një objektiv politik, por një plan pune i lidhur drejtpërdrejt me modernizimin ekonomik. Ajo theksoi se kapitujt e parë që pritet të mbyllen lidhen me tregun e përbashkët europian dhe rritjen e standardeve në prodhim dhe konkurrueshmëri, duke kërkuar angazhim të plotë si nga institucionet publike, ashtu edhe nga biznesi.
Një tjetër prioritet që ministrja solli në vëmendje ishte rritja e eksporteve dhe industrializimi i tyre. Ajo njoftoi se strategjia e re e eksporteve, që pritet të miratohet këtë vit, synon të zhvendosë Shqipërinë drejt prodhimit final dhe integrimit më të thellë në zinxhirët e furnizimit europian.
“Investimet e huaja duhet të nxisin teknologji dhe vlerë të re në vend, jo thjesht të shtojnë një hallkë prodhimi”, u shpreh Ibrahimaj.
Tranzicioni i gjelbër u cilësua si një mundësi e jashtëzakonshme ekonomike për vendin. Sipas ministres, Shqipëria ka avantazhin e prodhimit të energjisë së gjelbër dhe synon të bëhet eksportues neto energjie deri në vitin 2030. Ajo i bëri thirrje bizneseve të investojnë në teknologji të zgjuara, efikasitet energjetik dhe ulje të karbonit, duke i konsideruar këto investime si thelbësore për rritjen e konkurrueshmërisë.
Një rëndësi të veçantë, ministrja ia kushtoi kapitalit njerëzor, të cilin e konsideroi “themelin e çdo transformimi të qëndrueshëm”. Ajo theksoi se zhvillimet digjitale dhe ato të gjelbra po ndryshojnë kërkesat e tregut të punës, ndaj është e domosdoshme që arsimi dhe biznesi të punojnë së bashku për të garantuar aftësi bashkëkohore për të rinjtë.
Ibrahimaj u shpreh se pjesëmarrja e kompanive të mëdha vendase dhe investitorëve ndërkombëtarë në forum është një tregues i qartë i besimit në ekonominë shqiptare.
“Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një platformë rajonale zhvillimi. Ky forum është hapësira ku politikat lidhen me investimet dhe ku lindin bashkëpunime që ndikojnë realisht në ekonomi”, deklaroi ministrja, duke theksuar se vendi është në rrugën e duhur drejt një transformimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Marrë nga ATSH


















