
Akademia e Pushtetit Vendor, Mazniku: Trajnim i stafeve për shërbim më cilësor ndaj qytetarëve
Ministri i Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku, theksoi sot se Akademia e Pushtetit Vendor do të trajnojë kryetarët dhe punonjësit e bashkive në të gjithë vendin dhe do të ketë një bord të përbashkët mes bashkive dhe qeverisë.

Ministri i Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku, theksoi sot se Akademia e Pushtetit Vendor do të trajnojë kryetarët dhe punonjësit e bashkive në të gjithë vendin dhe do të ketë një bord të përbashkët mes bashkive dhe qeverisë.
Në një intervistë televizive, Mazniku tha se “Akademia e Pushtetit Vendor është proces i nisur shumë kohë përpara kësaj shkundjeje, ka nisur që me kërkesën e vetë bashkive para më shumë se 1 vit e gjysmë në një takim në Shkodër, ku kemi kuptuar pas një analize të thelluar se bashkitë kanë problem me aftësimin e stafit”.
“Me të drejtë një person në Këlcyrë apo në Has, sipas procedurave ligjore merr një person që është jurist në punë, por jo detyrimisht ai di si bëhen procedurat e hartimit të një vendimi të këshillit bashkiak apo një punonjës social ku ai nuk di si bëhet procedura e shqyrtimit të mbështetjes për ndihmë ekonomike apo për strehim social të një personi. Brenda punëve të bashkive ka një seri punës specifike që bashkitë duhet të bëjnë, prandaj me një mekanizëm periodik të trajnimit të stafeve do të ofrohet shërbim më cilësor ndaj qytetarëve”, theksoi Mazniku.
Mazniku tha se “ndaj kemi krijuar një strukturë të re që quhet Akademia e Pushtetit Vendor, e cila krijohet bashkërisht me bashkitë, që bashkëqeveriset nga 61 bashkitë dhe qeveria qendrore. Struktura do ketë bord të përbashkët, gjysmën e punonjësve e emërojnë vetë bashkitë, gjysmën i emëron qeveria. Financohet pjesërisht nga bashkia, pjesërisht nga qeveria. Plani do të bëhet në mënyrë të përbashkët dhe synojmë të kemi ndërveprim mes vetë bashkive”.
Lidhur me aksionin për lirimin e hapësirave publike që janë zaptuar, Mazniku tha se “është e nevojshme të ketë një ekuilibër në komunitet mes pronës private dhe asaj të përbashkët”.
“Tipologjia e zënies së hapësirës nga hekur-beton-kate është tashmë në struktura të lehta hekuri dhe çadra të cilat çmontohen thjeshtësisht nga njerëzit. Pra ka një progres. Nga ana tjetër, na duhet të vendosim rregulla të reja, më të qenësishme. Në mënyrë periodike ne kemi nevojë të përmirësojmë sistemet që ne kemi. Kemi nevojë sot për atë që Kryeministri e ka quajtur Rilindja 2.0, në mënyrë që të kemi shumë të qartë hapësirën private dhe hapësirën publike. Në 10 vitet e fundit kemi pasur një progres sistematik”, theksoi Mazniku.
Sa i përket “Paketës së maleve”, Mazniku tha se “kemi më shumë se 1800 aplikantë, të cilët kanë aplikuar për të shprehur interesin. Kjo shprehje interesi do ndihmojë bashkitë për të caktuar zonat, të cilat do të quhen zona për zhvillim malor. Këto zona do të kenë një status të posaçëm. Pra faza e parë e këtij procesi do jetë deri në mesin e shtatorit”.
“Bazuar në këtë proces, bashkitë do t’i sjellin propozimet në Këshillin e Ministrave, do të miratohen në Këshillin e Ministrave zonat, më pas brenda kësaj zone do ketë mundësi të aplikohet me të gjitha parametrat e “Paketës së maleve”, e cila përfshin 3 kolona kryesore. Kolona e parë ka të bëjë me mundësinë e një personi që të investojë në një pronë që është e tij, e familjes, t’i japë statusin e posaçëm bashkia që quhet statusi i poseduesit jo pronar. Me këtë status të posaçëm, pasi kalon mundësinë e ankimimit nëse ka një ankesë, atëherë ai merr këtë status. Me këtë status i jepet e drejta për të aplikuar pranë Agjencisë Kombëtare të Zhvillimit të Territorit, dhe pasi bën këtë zhvillim i jepet mundësia që tokën të cilën e kishte të vetën, por për arsye s’kishte mundësi ta merrte, i jepet mundësia ta blejë për 1 Euro. Të gjitha bashkitë e vendit janë super të interesuara që të kenë sa më shumë bujtina, agroturizme”, deklaroi Mazniku.
Burimi ATSH