Nazmi Hoxha, piktori i ëndrrave

Artisti tropojan me banim në SHBA hap ekspozitë në COD: “Dreams within a dream”. Kuratore është Eridana Çano.


Nga Dash Frashëri

“Dreams Within a Dream“

Kështu titullohet ekspozita e artistit të mirënjohur, Nazmi Hoxha, e cila u çel dje në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), Kryeministri, dhe do të mirëpresë artdashësit deri, më 10 maj 2024.

Një rikthim në Shqipëri i Nazmi Hoxhës pas 15 vitesh.

Ekspozita e veçantë vjen për publikun shqiptar e konceptuar si “ëndrrat brenda një ëndrre”.

Ajo është e shtrirë nëpër të gjitha hapësirat e COD-it dhe synon të kapsulojë thelbin e veprës së Nazmi Hoxhës, mikrokozmosin e tij, ku pasioni dhe përkushtimi luajnë një rol të rëndësishëm në format se si ai shprehet.

Ekspozita ndahet në disa cikle si “Blinds”, “Tako Artistin”, “Central Park”-u i Nju-Jorkut, “Nudo, “Eden”, etj.,

Në jetën e tij artistike numërohen një seri ekspozitash nga vendlindja dhe shumë të tjera në Tiranë dhe në SHBA. Veprat e tij të shumta dhe të veçanta gjenden të përhapura në një hapësirë të gjerë studiosh, koleksionistësh, mjedisesh dhe familjesh artdashëse në Shqipëri, Kosovë, Ballkan, Europë dhe në SHBA.

Pikturat e 68-vjeçarit Nazmi Hoxha nuk janë vetëm përvoja pamore; janë dialogë me shikuesin, që ofrojnë një vështrim në shpirtin e artistit dhe në kujtesën kolektive të një kulture. Trashëgimia e tij i përket bukurisë, emocioneve dhe kërkimit të paepur të së vërtetës artistike.

***

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, si dhe disa dhjetëra dashamirës të artit, artistë, ambasadorë, diplomatë, studiues, akademikë, botues dhe njerëz të letrave.

Ceremoninë e hapi drejtoresha e COD, Eridana Çano, e cila është edhe njëherësh kuratorja e kësaj ekspozite të pazakontë me 123 punime të ndara në disa cikle kohore dhe tematike.

“Teksa po shijojmë ngjyrat e bukura të kësaj pranvere të parë, nxitemi natyrshëm që të jemi endërrimtarë. Prej një ëndrre të largët kemi sjellë sonte nga Amerika njeriun që nuk ka rreshtur së eksploruari nuancat, kompozimet, peizazhet, format subtile të nudove dhe portreteve, artistin e spikatur Nazmi Hoxha.

Kisha kënaqësinë e madhe të isha mike në shtëpinë e tij të ngrohtë dhe mikpritëse të Nazmiut dhe Irmës në Bronks dhe mund të them që kanë qenë 48 orët e shpenzuara më mirë dhe më me cilësi në këto vitet e fundit. Orë të mbushura plot emocione, ngrohtësi dhe dashuri. Shtëpia që është edhe studioja e Nazmiut në këto dy dekadat e fundit është një vend ku navigova plot endje dhe kërshëri, teksa shihja krijime të pafundme.

Më besoni ishte një detyrë shumë e vështirë që të sillja në Shqipëri me vete një copëz shumë përfaqësuese të këtyre krijimeve, për t’ia servirur së bashku edhe me Nazmiun, tashmë një mik shumë të shtrenjë, artdashësve dhe publikur shqiptar, përmes ekspozitës që çelim sot “Dreams within a dream” – ëndrra të ëndërruara nga një mjeshtër, i cili jeton ëndrrën e tij për artin në një ‘American dream’“, tha midis të tjerash drejtoresha Çano.

Drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Çano tha se “arti i Nazmi Hoxhës nuk mund të kufizohet vetëm nëpërmjet një zhanri të vetëm. Ai është mjeshtër i kompozimeve, i peizazheve, i nudove dhe i portreteve, të cilat të bëra bashkë sjellin një dëshmi të shkathtësisë dhe të thellësisë së tij si artist, pjesëza të ndryshme ëndrrash brenda një ëndrre të madhe arti. Me një zotësi të jashtëzakonshme, ai i vesh veprat e tij me një mantel të mistershëm. I papërkufizuar në gjininë e pikturës, gjithmonë në kërkim të mistikes dhe të të qenit i veçantë në shprehinë e tij artistike, Nazmiu bën një kapërcim horizontal në artin e tij, që pas ikjes në Amerikë dhe jetesës atje”.

“Mënyra e jetesës dhe e gjithë dinamika se si funksionon qyteti i Nju-Jorkut ku ai jeton, reflektohet te cikli i pikturave “Blinds”, të cilat përbëjnë një pikëpamje unike për llojin e pikturës së tij, duke përfshirë elemente më moderne (vertikalizimin dhe vezullimin e xhamave të ndërtesave, udhëkryqet e rrugëve dhe dinamikës të zhvillimit urban), duke eksperimentuar me ngjyrën dhe formën, me një zhvendosje drejt abstraksionit, përdorimit më ekspresiv të ngjyrës dhe një qasje më të lirë e më dinamike ndaj kompozimit”, tha Çano.

“Eridana Çano, drejtoresha e COD, erdhi në Amerikë dhe pa pikturat e mia, disa qindra piktura dhe i thashë: ‘Zgjidh!’ Dhe kjo zgjodhi me shjen e vet atë që deshi. Që nga ai moment, unë nga autor u ktheva në vizitor. Sot, jam si ju. Unë kam ardhur këtu për të parë pikturat e Nazmi Hoxhës.

Mirëpo, gjithë kjo atmosferë që është atmosfera më e mirë dhe kënaqësia me e madhe në jetën time, uroj që të jetoj gjatë dhe të kem një atmosferë më të mirë, por s’besoj që do të ketë, e krijoi një miku im i vjetër, bashkëkolegë arti, Kryeministri Edi Rama”, tha piktori Nazmi Hoxha.

***

Në fjalën e tij Kryeministri Rama tha se, “është kënaqësi e emocion si një mik i hershëm por edhe si një ndjekës nga të parët të Nazmiut të cilin edhe pse kam qenë i gjatë edhe kur isha më i vogël në një moshë ku distanca në moshë është shumë më e ndjeshme sesa distanca në moshë sot me dikë, që është disa vite më i ri ose disa vite më i vjetër”.

“Më vjen keq që sot mungon këtu një njeri, i cili ka qenë energjia që na bashkonte me Nazmiun dhe ka qenë një militant i flaktë i artit të Nazmiut, Agim Rada që e kujtoj me shumë nostalgji dhe pse është ndarë nga jeta jo prej shumë kohësh. Jam i bindur që është një mungesë që të gjithë ne bashkë pavarësisht se kemi secili dhe secila vendin tonë këtu nuk e kompensojmë në raport jo thjesht me Nazmiun si person, por në raport me artin e Nazmiut”, theksoi Rama.

Më tej kryeministri Rama foli për artin në pikturë të Nazmi Hoxhës.

“Për të folur për artin e Nazmiu nuk është lehtë. Është një pikture atipitike, e cila ka evoluar duke ruajtur atë brumin e vet të parë. Por për ata që nuk i kanë parë punët e tij nç të shkuarën mund të them vetëm që ato kanë qenë përgjithësisht sipërfaqe që në një distancë prej disa metrash dukej se ishte një sipërfaqe e njëjtë, por duke afruar zbuloje përmes detajesh shumë delikate një majë mali një pemë, një dhi, një kalë e me radhë. E në atë kohë, kjo është arsyeja pse ju bëra përshkrimin e punëve sepse dua në njëfarë mënyrë të sjell këtu Gim Radën. Në atë kohë në shtëpinë e Agim Radës ndodhej koleksioni më i madh të punëve të Nazmiut që ishin të varura nëpër muret e shtëpisë nga të katër anët”, theksoi Rama.

Rama u shpreh se “Nazmiu pas një periudhe të shkurtër në Shqipërinë e çliruar apo të ri pushtuar nuk e di, u largua dhe sot vjen për herë të parë pas shumë vitesh me një koleksion punësh të krijuara në një studio në shtëpinë në Amerikë e cila në njëfarë mënyre është një shtëpi ku ai ka mbledhur mesa duket nga pikturat të gjitha ato që ka marrë nga fëmijëria, të gjitha ato që ka marrë nga vendlindja e tij dhe pastaj i ka vendosur me durim dhe ditë për ditë nëpër telajot e tij”.

“Personalisht për një periudhë kohe isha i shkëputur nga vazhdimësia e krijimtarisë së tij dhe me shumë dëshirë dhe me shumë kuriozitet jam rivënë në kontakt pas disa kohesh dhe besoj që kjo rivënie në kontakt do t’i japë të gjithë atyre që e kanë ndjekur më parë pikturën e Nazmiut kënaqësinë e të rivënit në lidhje me një artist të rrallë, me një piktor me një gjuhë shumë të veçantë, me një mënyrë të të parit të sipërfaqes, të ngjyrave, të formave atipike dhe mbi të gjitha me një konservues shumë xhenuin të ajrit dhe të formacionit koloristik të vendlindjes së vet”, theksoi Rama.

“Nazmi, të falënderoj shumë për ardhjen këtu dhe për bujarinë me të cilën i ofrove kësaj hapësire pikturat e tua. Hapësira, ke të drejtë është e bukur nga pikëpamja e asaj që ofron për pikturën. Shpresoj që në fund fare të kthehesh i pasuruar nga kjo prekje e Shqipërisë edhe më shumë dhe pastaj më vonë, në të ardhmen të kemi mundësi të shohim të tjera krijime ne atë dhomën e kyçur të kujtimeve dhe të ëndrrave të tua”, tha Rama.

***

I ftuar nga COD nuk mund të mungoja në shijimin e kësaj ekspozite të mrekullueshme.

Një fotokujtim me autorin.

“Nazmi Hoxha mbetet gjithmonë befasues”, shkruajta në librin e përshtypjeve.

 

***

KUSH ËSHTË NAZMI HOXHA?

Nazmi Hoxha lindi në Tropojë të vjetër, më 15 tetor, 1955. Pasi mbaroi shkollën 8-vjeçare në qytetin e Bajram Currit, fitoi konkursin në liceun artistik “Jordan Misja”, Tiranë, dega pikturë. Pas përfundimit të liceut, në vitin 1979 vazhdon “Akademinë e Arteve të Bukura”, Tiranë. Më pas, ai emërohet “Mësues vizatimi” në shkollën 8-vjeçare të Tropojës së vjetër deri në 1984. Në vitin 1985-1987, punon me grupin e punës për ngritjen e muzeut “Bajram Curri”. Nga ky vit, emërohet “Mësues vizatimi” në fshatin Llugaj të rrethit Tropojë deri në vitin 1989. Në vitin 1990-1992 kalon në krijimtari të lirë, vendim ky i marrë nga “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Në vitin 1993 fillon punë në RTV Tiranë, te “Filmi Artistik” si piktor, pastaj si drejtor i “Filmit Artistik dhe Dokumentar”.

Në vitin 2001 punon në kompaninë e sigurimeve “SIGAL” si piktor i reklamave dhe në 2003-shin, në Qendrën Shqiptare për të Drejtat e Njeriut. Në vitet 2006-2007 punon në Postën Shqiptare, në “Sektorin e Pullës”. Në vitin 2008 fiton Lotarinë Amerikane dhe që atëherë jeton në Amerikë.

Aktiviteti artistik: viti 1981: ekspozita e parë vetjake në qytetin e Bajram Currit; viti 1987: ekspozitë vetjake në Pallatin e Kulturës, Tiranë; viti 1990: promovon ekspozitën në Lidhjen e Artistëve dhe Shkrimtarëve, Tiranë; viti 1991: ekspozitë vetjake në Galerinë e Arteve Figurative; viti 1992: ekspozitë vetjake në Muzeun Kombëtar, Tiranë; viti 1995: ekspozitë vetjake në Galerinë e Arteve, Tiranë; viti 1996: ekspozitë vetjake në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, Tiranë; viti 2005-2006: dy ekspozita të tjera në Galerinë e Arteve, Tiranë.

Çmimet e fituara: 1987, çmimi “Piktori më i mirë i vitit”, akorduar nga Këshilli Qendror i Rinisë; 1988, “Çmimi i dytë Kombëtar”, akorduar nga Këshilli Qendror i Rinisë; “Çmimi i tretë kombëtar në peizazh”, me rastin e 40-vjetorit të Çlirimit të Atdheut; 1989, “Çmimi i tretë në gazetari”, organizuar nga gazeta “Drita”; 2007, titulli “Ambasador i Paqes”, akorduar nga forumi “Imazh Media” si piktori i vitit.

Nazmi Hoxha jeton sot në SHBA dhe ushtron aktivitetin e tij artistik me ekspozita vetjake dhe në grup.

Lexo më shumë nga

Liria e fjalës e rrezikuar nga media…

Rënia e besueshmërisë së medias ka ardhur edhe si pasojë e minimit të profesionit nga brenda.

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Liria e fjalës e rrezikuar nga media…

Rënia e besueshmërisë së medias ka ardhur edhe si pasojë e minimit të profesionit nga brenda.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Liria e fjalës e rrezikuar nga media…

Rënia e besueshmërisë së medias ka ardhur edhe si pasojë e minimit të profesionit nga brenda.