Shuhet Thanas Mustaqi, një yll i publicistikës shqiptare!

Thanas Mustaqi zë vend të merituar në gazetarinë durrsake.


Nga Bujar Qesja, Mjeshtër i Madh

Atmosferë festash. Ende nuk është shuar gëzimi popullor për hyrjen e një viti, pas largimit të një tjetri. Po mendoja se cili do të ishte shkrimi i parë për vitin 2024. Por lajmi më erdhi krejt papritur, duke më brengosur dhe plagosur shpirtërisht. Absolutisht që mund ta gjykoja, se shkrimi i parë do të ishte për largim nga jeta, për fatkeqësi, për dhimbje, për tronditje, për trishtim të skajshëm.

Po shkruaj inmemoriam për një gazetar race, për një shok, e për një mik, për një koleg e bashkëqytetar timin. Është nga yjet e publiçistikës durrsake dhe jo vetëm. Është Thanas Mustaqi.

Thanas Mustaqi renditet me plot autoritet në historinë e publiçistikës, duke zenë vend të merituar në gazetarinë durrsake. Po ikin nga kjo jetë pesha të rënda të qytetarisë, duke lënë boshllëqe që zor se mund të plotësohen.

Disa nga yjet e publiçistikës durrsake kujtojmë Sokol Muhon, Sotiraq Gjordenin, Palush Tatin e Haxhi Shimën, Shaban Hidrin e Ilia Deden, e tash na iku edhe Thanas Mustaqi.

Humbja është shumë e madhe. Thanas Mustaqi, u lind në Durrës me 4 gusht 1949. Duke qenë bir ushtaraku, shkoi të studioi për oficer. Sa mirë i shkonte uniforma e ushtrisë. Prer andej, kërkoi të plotësonte njohuritë edhe në shkollën e lartë për gazetari. Duke patur në gen krijimtarinë, fillimet i takojnë fushës së poezisë dhe tregimit. Thanasi kaloi mjaft peripeci në jetë. Por natyra e kishte paisur me vullnet të jashtëzakonshëm, të pathyeshëm. Dhe hoqi jo pak. Dhe kaloi jo pak. Por me profesionin nuk bëri asnjëherë kompromis.

Atij i takon plotësisht thënia e famshme e gazetarit të çquar italian Indro Montaneli:

“Në rastëse takoni një gazetar të pasur, mos i besoni. Gazetaria nuk të çon në pasurim, mund të të çojë në mirqënie për hir të së vërtetës. Një gazetar i pasur është një gazetar që qelb erë, sepse ka çfrytëzuar zanatin për të arritur qëllime të tjera”.

Thanas Mustaqi mbeti 100 përqind një gazetar i varfër në ekonomi, por shumë i pasur në moral, të cilën nuk e shiti qoftë edhe njëherë. Mbeti i thjeshtë dhe shumë, shumë modest. Thanasi nuk kërkonte kacidhe, për ta shkelur zanatin e tij me shpirt më parë dhe më pas me këmbë. Të gjithë ne kolegët e tij, e dimë fort mirë këtë.

Gazetaria i dha emër Thanasit, ndonëse ekonomia e tij ishte e vështirë. Pensioni i pakët, pamundësia për të nxjerrë fitime me punë të pastër dhe të ndershme, nuk ndikuan në frymën parimore të publiçistikës së tij.

Ndonëse dy vite më i madh, ecuria e jonë ishte si një paralele. Së bashku tek gazeta “Adriatiku” e Durrësit, së bashku kur studiuam pë gazetari, së bashku në portalet elektronike dhe së bashku në idealizëm deri në sakrifikim. Shembulli i Thanas Mustaqit, nuk ka për t’u zbehur asnjëherë, përkundrazi do të merret si referencë se si duhet të jetë gazetari në zanatin e tij, sa i përkushtuar dhe sa duhet të sakrifikojë. E Thanasi ynë i bëri të gjitha këto.

Duke zotëruar mjaft mirë gjuhën ruse, Mustaqi iu përkushtua përkthimeve të letërsisë së njohur ruse, veçanërisht të poezive nga korifejtë e saj. Por lexoi dhe shumë gazetari, duke u përpjekur që modelet dhe parimet e saj, ti mbronte me çdo çmim. Thanas Mustaqi me shumë guxim nuk u tut nga pozicioni edhe kur e kërcënonin, edhe kur i bënin presion, pas shkrimeve kritike që botonte.

Punoi vite në gazetën “Zëri i Popullit” dhe bashkëpunoi jo pak edhe me organe të tjera të përditshme dhe periodike para dhe ps viteve 90-të. Shkrimet e Thanasit ishin kritika të fuqishme për të ndrequr gjërat dhe kurajoja e manifestuar, na trimëronte edhe ne kolegëve të tij. E diskutonim në sa e sa raste këtë luan të publiçistikës, këtë të palodhur që shkruante e shkruante, përkthente e përkthente, krijonte e krijonte pa u ndalur.

Në vitet e pluralizmit, lapsi i Thanas Mustaqit bëri kërdinë në gazetën “Adriatiku”, e cila ishte e pavaruar. Me kryeredaktor Fatos Kullaj, lapsi i Thanas Mustaqit shndriste fuqishëm mbi problematikat e ditës. Luftonte sikur ta kishte lapsin si armë zjarri.

Parë kështu, shkrimet e tij ishte kushtrim, ku ngrohej morali njerëzor mbi të keqen dhe të ligën. I papërtuar, me një veshje shumë modeste, duke mbajtur gjithnjë në buzët e zverdhura aleatin më të madh të tij, cigaren. Ecte dhe nuk pushonte. Shkruante dhe nuk ndalej. Gjithnjë në zemër të njerëzve dhe gjithnjë aty ku ishte problemi.

Praktika dhe teoria e punës së Thanas Mustaqit, është shkollë e madhe gazetarie edhe për gazetarët e rinj. Nuk ngutej. Sigurohej për faktet, i verifikonte. Dhe pastaj guximi njerëzor dhe profesional, e ndihmonte duke nxjerrë nga artileria e rëndë e mendimit, shkrimet si predha, që goditnin mbi të prapambeturën, apo pengimin e civilizimit politik dhe social të shoqërisë shqiptare.

Edhe kur redaksia e “Zërit të Popullit” u mbyll, edhe kur “Adriatiku” u mbyll, por nuk u mbyll kurrë pasioni i paimagjinueshëm i publiçistit dhe gazetarit profesionist Thanas Mustaqi. Shëndeti po i merrte për keq. Plakja e tij po vinte frikshëm. Në dy tri raste, nuk arriti të më njihte dhe të më fliste.

U dërrmova në shpirt. Por nuk e humbi kurajon, nuk u dorëzua. Maja e laspit të tij, ishin pilotat më të fuqishme të ngulura thellë në minierën e pafund të publiçistikës, ku prej andej nxirrte floririn e shkrimeve shumë të fuqishme.

Mustaqi dominoi edhe në rrjetet sociale. Shënimet, eset, artikujt, korespondencat, lajmet, reportazhet, analizat e thella dhe të argumentuara, kultura e gjërë dhe diferencuese nga kolegët, e ngrejnë dukshëm veprimtaritë publiçistike të Thanas Mustaqit.

Mardhënie të shkëlqyera ndërtoi me kolegët, i mësonte më të rinjtë, duke dhënë shembullin. Por mbi gjithçka ndërtoi mardhënie solide, të fuqishme me njerëzit dhe qytetarinë durrsake, duke mbetur armik i së keqes, që bren përditë shoqërinë.

Sa herë më takonte, më jepte kurajo dhe më nxiste.

-Mos e ndërpre miku im punën që po kryen. Vazhdo me këtë ritëm, pasi durrsakët kanë nevojë t’u dihet kultura dhe historia e tyre, personazhet dhe protogonistët kryesorë që e krijuan dhe e ndërtuan atë.

Dhe kjo nuk influencoi pak në angazhimet e mia. Do të vazhdoja të shkruaja pa ndërprerje për Thanas Mustaqin, mikun dhe shokun e stekave të vjetra të publiçistikës durrsake si Moikom Zeqo, Shaban Hidri, Hasan Ulqini, Petraq Risto, Sotiraq Gjordeni, Bashkim Hoxha, Bardhyl Agasi, Demir Gjergji, Thanas Qerama, Haxhi Shima, Kozeta Mamaqi, Teuta Mulaj, Fatos Kullaj, Palush Tati e shumë e shumë të tjerë.

Dhe në këtë arë prodhuese të publiçistikës së Durrësit, ai krijoi parcelën e vet të shëndetshme, prodhimet e së cilës i “shiti” në popull, me çminin e moralit dhe ndershmërisë së tij të paciflosur deri në fund.

Thanas Mustaqi nga sot, me 2 janar 2024 nuk jeton. Me 3 janar 2024 trupi i tij, do të prehet në tokën e Durrësit, ndaj të cilit deri në sekondat e fundit të jetë, ushqeu një dashuri që nuk mund të krahasohet me asgjë. U largove vëlla nga ne miqtë dhe shokët e tu të parë, duke kujtuar sa e sa halle që kemi qarë, ku kemi diskutuar sa e sa situata të rënda që kemi kaluar, që rrezikonim dhe ty të kishim qendrestarin tonë.

Lotë për ty mik, shok, koleg, lot. Vajtojmë. Publiçstika durrsake është në zi, është në dhimbje, është në trishtim. Shkëputet nga ne një peshë e rëndë, duke lënë boshllëk që zor se mund të plotësohet.

Thanas Mustaqi nga yjet e publiçistikës, u shua por i ndezur gjithkohën në historinë e gazetarisë.

Balla: Policia shpëton pesë turistë britanikë në “Shpellën e Pëllumbasit”

Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve, në vendin tonë.

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Balla: Policia shpëton pesë turistë britanikë në “Shpellën e Pëllumbasit”

Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve, në vendin tonë.