
Nis Samiti IV i Diasporës, Hoxha: Shqipëria po ecën më shpejt se kurrë drejt së ardhmes evropiane
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi sot se diaspora shqiptare përbën një dimension të pandashëm të identitetit kombëtar dhe një faktor kyç në zhvillimin e vendit.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi sot se diaspora shqiptare përbën një dimension të pandashëm të identitetit kombëtar dhe një faktor kyç në zhvillimin e vendit.
Në fjalën e tij në sesionin e hapjes së Samitit IV të Diasporës, Hoxha theksoi se ky takim nuk është thjesht një aktivitet i radhës, por një moment bashkimi për shqiptarët kudo që jetojnë.
“Nuk mblidhemi thjesht për një takim të radhës. Si çdo herë kur bëhemi bashkë, përfaqësojmë një komb të shtrirë në rajon dhe një shoqëri që jeton në shumë vende”, u shpreh ministri.
Ai vuri në dukje simbolikën e takimit në Tiranë, duke e cilësuar kryeqytetin si një hapësirë të përbashkët për të gjithë shqiptarët.
“Sot, në këtë sallë të madhe të mbushur plot, rreh një zemër e madhe. Një zemër që e bën këtë qytet më shumë se vetëm kryeqytetin e Shqipërisë, e bën një shtëpi të përbashkët për të gjithë ne”, tha Hoxha.
Duke u ndalur te momenti aktual, kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se samiti zhvillohet në një periudhë të rëndësishme për vendin dhe rajonin.
“Shqipëria po ecën më shpejt se kurrë drejt së ardhmes evropiane që i ka projektuar vetes, dhe këtë mund ta them me bindje edhe për Kosovën”, deklaroi ai.
Hoxha theksoi se shqiptaria në diasporë është sot më e fortë dhe më e gjallë se kurrë, duke shtuar se marrëdhënia me diasporën nuk mund të shihet më si një rrugë me një drejtim.
“Për shumë vite, marrëdhënia jonë me diasporën është parë si një rrugë me një drejtim. Sot ne e dimë që është një rrugë me dy kahe”, u shpreh ai.
Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve kulturore dhe gjuhësore, duke e cilësuar gjuhën shqipe si thelb të identitetit kombëtar.
“Gjuha shqipe është ADN-ja jonë. Nuk është thjesht një mjet komunikimi; është kujtesë, është identitet, është vazhdimësi”, tha Hoxha, duke shtuar se pa gjuhën “do të na mbetej vetëm trupi, dhe një trup pa shpirt varfërohet dhe tkurret”.
Hoxha nënvizoi se përpjekjet për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë, janë thelbësore për forcimin e identitetit kombëtar.
“Përpjekjet për gjuhën në Shqipëri, në rajon dhe në diasporë janë përpjekje për të qenë vetvetja”, theksoi ministri.
“Gabimi më i madh do të ishte të ngatërronim të përkohshmen me të përhershmen. Të sakrifikonim thelbin me lehtësinë e momentit. Nëse gjuha jonë, e cila u ka rezistuar shekujve në kohë shumë më të vështira, dobësohet sot, kur jemi më të ditur, më të fortë dhe më të lidhur se kurrë, atëherë përgjegjësia është vetëm e jona. Ky është mesazhi i kërkesës legjitime të studentëve në Maqedoninë e Veriut për të ushtruar të drejtat e tyre në gjuhën amtare”, tha Hoxha.
Ministri vlerësoi gjithashtu kontributin e mësuesve dhe organizatorëve në diasporë, të cilët, sipas tij, mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare.
“Ata meritojnë jo vetëm mirënjohje; meritojnë më shumë mbështetje konkrete dhe për këtë jemi të angazhuar me gjithë ekipin në Ministrinë e Jashtme”, u shpreh Hoxha.
Në vijim, ai theksoi se identiteti kombëtar duhet të ruhet paralelisht me hapjen ndaj botës.
“Forca jonë ka qenë gjithmonë të jemi të hapur, të mësojmë gjuhë të tjera, por pa harruar tonën. Të hapemi ndaj botës, pa humbur veten”, nënvizoi ai.
Hoxha vuri në dukje se diaspora shqiptare po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një histori suksesi, duke kontribuar në fusha të ndryshme në nivel ndërkombëtar.
“Suksesi juaj nuk është vetëm personal — është edhe kombëtar. Sepse çdo arritje e juaja është një dritare më shumë për Shqipërinë në botë”, tha ai.
Sipas tij, Shqipëria që transformohet dhe diaspora që afirmohet janë të ndërlidhura ngushtë.
“Shqipëria që transformohet dhe diaspora që afirmohet janë dy anë të së njëjtës medalje”, u shpreh ministri.
Duke u ndalur te rëndësia e samitit, Hoxha theksoi se ai nuk është një aktivitet formal, por një platformë konkrete bashkëpunimi.
“Ky samit nuk është një ceremoni. Është një hapësirë pune, një laborator idesh, një pikë takimi që vizioni i përbashkët të kthehet në bashkëveprim”, deklaroi ai.
Ai bëri të ditur se gjatë punimeve do të diskutohen sfida dhe mundësi konkrete, duke garantuar përfshirje dhe dialog të hapur.
“Nuk do të kemi monolog, sepse duam dialog. Nuk do të flasim për ju, sepse duam të flasim me ju”, theksoi Hoxha.
Në përfundim, ministri nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit për të ardhmen e përbashkët.
“E ardhmja e sigurt dhe e begatë ndërtohet më mirë dhe më shpejt së bashku”, përfundoi Hoxha
/Marrë nga ATSH



















