Kishat e Përmetit, monumente të spikatura kulture

Në Përmet janë një sërë kishash të periudhës bizantine dhe postbizantine të ndërtuara midis shek. XI-XIX


Nga Ilirjan Gjika

Përmeti është një nga zonat më të njohura të Rajonit Jugor të Shqipërisë. Me një reliev ku dominojnë malet dhe kodrat në të gjejmë edhe majën më të lartë të këtij rajoni, Nëmërçkën, me lartësi 2485 m. Ndërsa lumi Vjosa e përshkon këtë trevë në të gjithë shtrirjen e saj, duke marrë me vete përrenjtë e Langaricës, Lemnicës, Dëshnicës dhe Çarshovës(1). Nga pikëpamja etnografike, Përmeti, ndahet në disa krahina etnografike si: Rrëza, Dangëllia, Shqeria, Dëshnica, Cerja dhe Malëshova(2).

Përveçse traditave të vjetra të punimit të drurit, metaleve, argjendarisë, qëndistarisë, apo atyre në fushën e vitikulturës apo kulinarisë, në këtë trevë gjejmë edhe disa monumente të shkëlqyera të trashëgimnisë kulturore. Të tilla janë një sërë kishash të periudhës bizantine dhe postbizantine të ndërtuara midis shek. XI-XIX, të cilat bartin një sërë vlerash arkitektonike, ndërtimore dhe historike. Ato dëshmojnë traditën e hershme të krishtërimit e cila dokumentohet në Përmet që nga periudha e mesjetës.

KISHA E “SHËN E PREMTES” – PËRMET, VITI 1776

Sipas regjistrit osman të vitit 1431, Përmeti, kishte 42 shtëpi të krishterësh me një popullsi prej 136 banorësh, ndërsa Këlcyra fqinje, kishte 100 shtëpi dhe 271 banorë të krishterë(3). Ndërkohë që Sami Frashëri në veprën e tij ‘’Fjalor i Përgjithshëm i Historisë dhe Gjeografisë’’, botuar në vititn 1889, thekson midis të tjerave se, në kazanë e Përmetit ushtronin veprimtarinë e tyre 21 kisha(4). Po kështu, të dhëna të rëndësihme për qytetin e Përmetit i gjejmë edhe te Kodiku i Mitropolisë së Korçës, të vitit 1879(5). Ndërkohë me interes janë disa nga kishat e vjetra të kësaj treve, si ato të Buhalit dhe Kosinës, të cilat janë ndërtuar gjatë gjatë periudhës bizantine.

Faltorja e Profet Ilisë në Buhal është ndërtuar në shek. XI-XII dhe përfaqëson një kishë bizantine me përmasa jo të vogla, rindërtuar në vitin 1814(6). Gjatë kohës kishës i janë bërë ndërhyrje dhe riparime të ndryshme që konsistojnë në një sërë elementësh. Pavarësiht ndryshimeve ajo përbëhet nga naosi njënefësh, altari, narteksi dhe hajati i hapur në pjesën jugore. Pjesa më e vjetër e kishës që përbëhet nga muret në anën veriore dhe lindore(7). Muri në lindje të saj është ndërtuar përgjithësisht me gurë shtufi, ku nuk mungojnë edhe tullat e vendosura në mënyrë të rregullt. Ndërsa në pjesën e absidës tullat janë vendosur në mënyrë zigzag, vertikalisht, shoqëruar me copëra tullash të vendosura në mënyrë të pjerrët anas tyre. Këtë teknikë e përzjerë e ndeshim edhe në murin verior, ku nuk edhe mungojnë tullat e vendosura në breza horizontalë. Ndërsa në pjesën e sipërme të murit jugor kemi tre dritare të vogla, të mbuluara me hark dhe të murosura, shoqëruar me të njëjtën teknikë të përzjerë të vendosjes së tullave.

Një tjetër kishë e kësaj periudhe është edhe ajo e Shën Mërisë që ndodhet në fshatin Kosinë, një faltore e tipit kryq i brendashkruar me kupolë dhe tambur e cila është ndërtuar në shek. XII(9). Kisha përbëhet nga narteksi, naosi dhe altari. Naosi mbi të cilin ngrihet kupola me tamburin, përbëhet nga hapësira ku ngrihen katër krahët e kryqit dhe disa ambiente në anën lindore të mbuluara me qemer cilindrik. Ndërkohë që bema përbëhet nga altari, protezisi dhe diakonikoni, ndërsa absida gjysëm rrethore nga brenda është tri faqëshe në anën e jashtëme. Në kishë hyrja është në anën perëndimore nëpërmjet portave të narteksit dhe naosit. Narteksi ka formë drejkëndëshi dhe mbulohet me qemer cilindrik. Nga pikpamja ndërtimore kisha është ndërtuar me gurë dhe tulla me teknikën e klausonazhit(10). Kjo teknikë është futur në Shqipëri në gjysmën e dytë të shek. XII dhe është përdorur për herë të parë në këtë faltore(11).

KISHA E “SHËN SOTIRIT” – TREMISHT, PËRMET, VITI 1560

Kisha e Kosinës është konsideruar edhe si model arkaik i tipit kryq me kupolë, por edhe e ngjashme me tipin bazilikal me kupolë, ku nuk mungon dekoracioni i pasur me motivet në formë kryqi, krizma, friza, krniza dhëmësh sharre, të gjitha krijuar me vendosje tullash. Ndërsa në tamburin cilindrik të kishës kemi alternim të dritareve me nike, fusha e të cilave dekorohet me tulla(12)


.
Dekori i pasur nuk mungon edhe te absida, ku midis dritares të hapur të saj të ndërtuara me tulla të kuqe është vendosur një pjesë kolone prej guri gëlqeror. Kisha ka përmasa 11 x 7. 50 m dhe është e pajisur me një sërë mbishkrimesh që i ndeshim përgjatë absidës, këmbanores dhe ikonave të ikonostasit. Ky i fundit është punuar vonë dhe i përket sipas mbishkrimit, vitit 1829(13). Por zona e Përmetit ka edhe një sërë kishash të periudhës postbizantine, të cilat janë të tipit njënefësh ose bazilikal me qemer. Të tilla janë kisha e Shën Sotirit në fshatin Tremisht, ndërtuar në vitin 1560; kisha e Shën Kollit në Përmet, ndërtuar në vitin 1747; kisha e Shën e Premtes, ndërtuar në vitin 1776 në qytetin e Pëmetit; kisha e Shën Kollit në fshatin Lipë, ndërtuar në vitin 1786; kisha e Shën Thanasit në fshatin Leshicë dhe kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë, ndërtuar të dyja në vitin 1812; kisha e Shën Kollit në fshatin Argovë, ndërtuar në vitin 1821; kisha e Shën Kostandinit dhe Helenës në fshatin Ogren, ndërtim i vitit 1859(14). Ndërkohë që kishat e Shën Premtes në Përmet, Shën Mërisë në Leusë, Shën Mërisë në Seran, Shën Mërisë në Kosinë dhe Shën Sotirit në Tremisht, gëzojnë statusin ‘’Monument Kulture’’, aprovuar në vitin 1963. Ndërsa për kishat e Shën Mërisë në Bënjë, Shën Mërisë në Okdunan dhe Shën Ilisë në Buhal, ky status është dhënë në vitin 1970(15).

Të gjitha këto faltore kanë veçoritë e tyre karakteristike që dallohen jo vetëm në pikpamjen arkitektonike dhe e ndërtimit, por edhe në atë të dekorimit të brendshëm me afreske dhe ikona. Në këtë aspekt, pikturat më të vjetra murale i ndeshim në vitin 1560 në kishën e Shën Sotirit në Tremisht. Kurse disa nga piktorët ikonografë që kanë punuar në këtë trevë kanë qenë Peter Postenali. Në vitin 1811, ai pikturon ikonat për kishën e Shën Mërisë në Çarshovë, ndërsa në vitin 1813, ikonat e kishës së Shën Thanasit në Leshicë. Interesant është fakti se nga mbishkrimi mbi portën veiore të kishës së Shën Mërisë në Leusë, del se afresket e saj u pikturuan nga një atelje piktorësh e përbërë nga Mihali, Gjergji dhe Gjergji nga Flonjati. Po kështu, nga ateljeja e Flonjatit, kemi edhe një ikonë në kishën e Shën Kostandinit dhe Helenës në Ogren, të pikturuar në vitin 1859 nga piktorët Mihal dhe Kostandin Zografi(16).

Ndërsa kisha e Shën Mërisë së Leusës ka qenë e përmëndur për ikonostasin e saj me vlera të arrira, një pjesë e të cilit është bërë qysh herët objekt studimi dhe ekspozimi. Pareti i drunjtë është një vepër e mirëfilltë arti, i zbukuruar me motive floreale dhe zoomorfe të një niveli të lartë artistik. Ai është punuar në dru are, me gdhëndje të thella në reliev dhe ka qenë ekspozuar në vitet 1950 në ambientet e Muzeut Arkeologjik-Etnografik të Tiranës(17). Ndërsa më vonë ai do të bëhej herë pas here edhe pjesë e ekspozitave kombëtare dhe ndërkombëtare(18). Sot kjo pjesë e ikonostasit ruhet në fondet e ikonografisë së Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Për tu përmendur si objekt me vlera është edhe Epitafi i kishës së Lashovës, me përmasa 67 x 55 cm, një vepër e shkëlqyer arti e shek. XVIII-XIX. I restauruar dhe konservuar nga laboratori i Institutit të Kulturës Popullore, ai gjendet sot në Muzeun e Artit Mesjetar(19).

KISHA E PRERJES SË KRYES SË SHËN JOAN PAGËZORIT, Leshicë

Ndërkohë sot pej kishave të kësaj treve vetëm kisha e Lindja e Hyjlindëses që ndodhej në pazarin e dikurshëm të Përmetit nuk ekziston më. E ndërtuar në shek. XVII, megjithëse ishtë faltorja më e vjetër e qytetit, ajo pati fatin e keq që u shkatërrua gjatë perudhës së komunizmit(20). Me gjithë këtë trashëgimni kultutore dhe historike, Përmeti dhe treva e tij, vijon të jetë një destinacion i rëndësishëm shpirtëror dhe studimor me monumente të spikatura kulture.

…………………….
1-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1995, f. 829
2-Stilian Adhami, Mbi Urbanistikën dhe arkitekturën e pazarit të vjetër të Përmetit, Monumentet, 2, 1982, f. 43
3-H. Inalçik, Encyclopaedia of Islam, Leiden-London 1958, f. 655; Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 32
4-Sami Frashëri, Vepra 2, Tiranë 1988, f. 307
5-Stilian Adhami, Mbi Urbanistikën dhe arkitekturën e pazarit të vjetër të Përmetit, Monumentet, 2, 1982, f. 44
6-Aleksandër Meksi, Arkitektura Mesjetare në Shqipëri, ‘’8 Nëntori”, Tiranë 1983, f. 89-90
7-Po aty, f. 89-90
8-Po aty, f. 90
9-Aleksandër Meksi, Arkitektura mesjetare në Shqipëri, ‘’8 Nëntori”, Tiranë 1983, f. 110
10-Po aty, f. 110
11-Aleksandër Meksi, Të dhëna për teknikën e ndërtimit të kishave të shek. VII-XV në Shqipëri, Monumentet, 2, Tiranë 1987, f. 64
12-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 25-26
13-Theofan Popa, Mbishkrime te Kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë 1998, f. 153, 199, 205
14-Po aty, f. 153-154, 175, 184, 185-186, 192, 192-193, 203
15-Andrea Llukani Arti Kishtar, Botimet Trifon Xhagjika, Tiranë 2014, f. 172
16-Theofan Popa, Mbishkrime te Kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë 1998, f. 154, 186, 192, 193, 203
17-Stilian Adhami, Monumentet e kulturës në Shqipëri, Tiranë 1958, f. 150
18-Pirro Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 93
19-Frederik Stamati, Konservimi i Epitafit të Lashovës, Monumentet, 2, Tiranë 1981, f. 81-83
20-Kostantinos Gjakumis-Joan Stratobërdha, Kisha Lindja e Hyjlindëses tek pazari i vjetër, Përmet; Tempulli, 9, Korçë 2004, f. 20-32

Mete dhe Sejko takime me drejtues të BB dhe FMN, diskutime mbi thellimin e reformave

Ministri i Financave, Ervin Mete, si dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në nisje të takimeve të pranverës…

Global 360

Osmani shpall të mërkurën ditë zie në Kosovë pas vrasjes së dy grave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të mërkurën e 17 prillit ditë zie në vend, pas vrasjes së…

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Fjala është e para!

Na pëlqejnë fjalët e mençura dhe i marrim me vete! Ndaj fjala mbetet e para dhe e fundit si ajri…

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Mete dhe Sejko takime me drejtues të BB dhe FMN, diskutime mbi thellimin e reformave

Ministri i Financave, Ervin Mete, si dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në nisje të takimeve të pranverës…