Hajduti i ndershëm, ministri hajdut dhe Mbreti!

Kur ministri hyri brenda dhomës së thesarit, ai zbuloi një diamant të bukur dhe të ndritshëm. Aty i lindi idea…


Nga Aranit Muraçi

Kush e vodhi pasurinë kombëtare dhe përdhosi djersën e shqiptarëve të ndershëm në këto tri dekada? Kush u pasurua nga vjedhja e pronës së përbashkët dhe korrupsioni? Si mund ta ndërtojnë qytetarët dhe të rinjtë të ardhmen në një vend pa të ardhme, që të mos vazhdojnë të largohen masivisht dhe të besojnë se të mund ta ndërtojnë me punë të ndershme atë në vendin e tyre, nëse nuk zbulohet kjo e vërtetë! Është vjedhja e pasurisë së përbashkët dhe e xhepave të qytetarëve virtyt apo puna e ndershme? Falsifikimi dhe mashtrimi apo dija dhe vlerat janë ato që sjellin prosperitet?

Është historia e një hajduti që donte të bëhej një njeri më i mirë dhe se si një ditë për shkak të vërtetës së tij, ai u shpërblye nga Mbreti, histori që ndoshta shuan çdo dilemë të glorifikimit në vend të ndëshkimit të hajdutit.

Njëherë ishte një hajdut i cili e kishte kthyer vjedhjen në “profesion”. Por nuk ishte aspak i lumtur me “profesionin” dhe mënyrën e tij të jetesës. Prandaj hajduti kërkoi këshilla nga një njeri i mençur për t’u bërë një person më i mirë dhe i virtytshëm. “Zotëri, unë dua të rritem për të qenë një qytetar më i mirë dhe më i dobishëm. Ju lutem, si mund të më ndihmoni dhe çfarë më këshilloni!” – iu përgjërua hajduti. “Bir, mund të të ndihmoj vetëm nëse pranon të bësh siç them unë,” i tha njeriu i mençur. Hajduti pranoi menjëherë. “Epo, atëherë, duhet një zotim për të hequr dorë nga çdo zakon i keq”, e këshilloi njeriu i mençur.

Hajduti kur u kthye filloi të mendojë për të gjitha zakonet e tij të këqija dhe prej cilave prej tyre mund të hiqte dorë. Ai vendosi se nuk mund të heqë dorë vetëm nga vjedhja pasi i duheshin paratë për të mbajtur familjen e tij. “Zotëri, nuk do të gënjej tani e tutje!” i tha ai njeriut të mençur pasi ishte menduar gjatë. Njeriu i shenjtë e bekoi me një buzëqeshje.

Hajduti kishte planifikuar të grabiste pallatin e mbretit atë natë. Ai hyri fshehurazi nëpër portat e pallatit gjatë mesnatës, u ngjit në muret e pallatit dhe u fut pa u vënë re në tarracën mbretërore. Aty vuri re hijen e një njeriu që i afrohej në tarracë dhe u befasua. Nuk e kishte idenë se kush ishte. Ishte Mbreti, i maskuar si një njeri i zakonshëm. Ai e kuptoi se kishte të bënte me një hajdut dhe mbeti i befasuar nga paaftësia e oborrit të tij për ta parandaluar ose për ta kapur atë.

“Kush je ti?” e pyeti hajduti. “Si përfundove këtu?” “Shhh…,” tha Mbreti. Kam ardhur që të grabis thesaret e mbretit.” Hajduti i kënaqur dhe i lumtur që gjeti një shok i thotë. “Mik, jemi të dy në të njëjtin mision”. Ata shtrënguan duart dhe u hodhën në aksion. “Në fund do ta ndajmë thesarin në mënyrë të barabartë,” tha mbreti dhe hynë fshehurazi në thesarin mbretëror. Ndërsa mbreti zbulonte dhe i hapte me lehtësi kasafortat, hajduti emocionohej shumë nga gëzimi kur shihte thesaret.

Më pas ata i ndanë të gjitha thesaret në mënyrë të barabartë. Teksa po ndanin thesaret zbuluan tre diamante të mëdhenj dhe të çmuar. “Këtu ka tre gurë të çmuar,” tha Mbreti. “Si do t’i ndajmë?”
“Le të marrim nga një diamant secili dhe t’ia lëmë njërin Mbretit,” tha hajduti. Pasi ndanë sendet e vjedhura Mbreti i kërkoi adresën hajdutit ndërsa ai po largohej, në mënyrë që ata të mund të bashkëpunonin përsëri për “suksese” të tjera në “profesionin” e tyre.

Të nesërmen në mëngjes, ushtarët e mbretit morën vesh se pasuria mbretërore ishte vjedhur dhe menjëherë nxituan të lajmërojnë Mbretin. “Madhëria juaj, thesari mbretëror është grabitur”, i tha pas verifikimeve Kontrolli i Lartë i Shtetit mbretit. Mbreti ishte i vetëdijshëm për gjithçka, por u hoq sikur u trondit nga lajmi. “Çfarë? Si mund të ndodhë kjo?” Më pas Mbreti pyeti vartësit e kabinetit: “Ku ishit mbrëmë?” – dhe udhëzoi ministrin që të hetojë vjedhjen, të kapë dhe të ndëshkojë hajdutin.

Kur ministri hyri brenda dhomës së thesarit, ai zbuloi një diamant të bukur dhe të ndritshëm. Aty i lindi idea për të mbajtur diamantin për vete. “Kjo është e vetmja gjë që ka mbetur”, mendoi me vete ministri. “Mbretit mund t’i themi se është vjedhur i gjithë thesari.” Kështu, ai e futi diamantin në xhep dhe shkoi në gjykatë. “Madhëria juaj, thesari është bosh dhe gjithçka është vjedhur”, deklaroi ministri.

Mbreti i urtë shkroi adresën e hajdutit në një letër dhe urdhëroi ushtarët e tij ta kapnin dhe ta çonin në gjykatë. Trupat nxituan në shtëpinë e hajdutit, ku e gjetëm atë dhe e nxorën menjëherë para gjykatës. Meqenëse Mbreti ishte i veshur me veshje mbretërore, hajduti nuk mundi ta njihte atë kur ata u përballën para gjyqit.

“A e vodhe thesarin mbrëmë?” pyeti mbreti. Hajduti u ndal pak, dhe iu kujtua premtimi që i kishte dhënë njeriut të mençur. “Po, madhëri, unë e vodha thesarin,” u përgjigj hajduti. “Kisha një bashkëpunëtor që u tregua po aq i gatshëm të më ndihmonte. Ne e ndamë thesarin në mënyrë të barabartë dhe lamë vetëm një diamant.”
“Atëherë, ku është diamanti?” pyeti Mbreti. Ministri që kishte vjedhur gurin e çmuar filloi të dridhej. Kur mbreti e kuptoi kush ishte hajduti brenda kabinetit të tij, urdhëroi të kontrollohej Ministri i tij i parë. Në xhepin e tij u gjet diamanti dhe Mbreti i tërbuar kërkoi që ministri të dënohej.

“Pse e pranuat kaq lehtë grabitjen?” pyeti Mbreti, i habitur nga ndershmëria e hajdutit. “Një njeri i mençur më këshilloi të hiqja dorë nga çdo zakon i keq,” u përgjigj hajduti. “Ishte e pamundur të ndaloja së vjedhuri sepse ishte buka dhe mbijetesa ime. Por i premtova se do të tregoja gjithmonë të vërtetën.” Mbreti mbeti aq i impresionuar me ndershmërinë e tij sa e emëroi atë ministër të parë.

Historia e hajdutit që tregoi të vërtetën shërben edhe si një mësim i rëndësishëm moral. Na mëson se duhet të heqim qafe të gjitha zakonet tona të këqija në mënyrë që të bëhemi një shoqëri më e mirë. Gjithashtu na tregon se duhet të zgjedhim gjithmonë rrugën e së vërtetës sepse vetëm përmes saj do të arrijmë rezultate të frytshme.

Në të kundërt, çdo pretendim tjetër është falsifikim, mashtrim dhe vjedhje. Sa e vështirë është të arrihet kjo? Mjafton bonsensi i mbretit me hajdutin!

Lexo më shumë nga

Rama në 30-vjetorin e Coca Cola në Shqipëri: Të lidhur më shumë se kurrë me Italinë

ryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e mbajtur në kuadër të 30-vjetorit të.

Global 360

Përqafimi i paqes i Papa Franceskut me një palestinez dhe një izraelit

Duartrokitje të mëdha nga e gjithë Arena e Veronas, në këmbë të gjithë pas përqafimit të Papa Françeskut me dy…

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Rama në 30-vjetorin e Coca Cola në Shqipëri: Të lidhur më shumë se kurrë me Italinë

ryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e mbajtur në kuadër të 30-vjetorit të.