
Prezantohet në shqip “Lidershipi” i Henri Kisinger, Rama shkruan parathënien
“Lidershipi” titullohet libri i Henri Kisinger (Henry Kissinger), ish-sekretarit amerikan të Shtetit, i cili u prezantua sot në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog, në Kryeministri.

“Lidershipi” titullohet libri i Henri Kisinger (Henry Kissinger), ish-sekretarit amerikan të Shtetit, i cili u prezantua sot në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog, në Kryeministri.
Parathënia e botimit në gjuhën shqipe, është shkruar nga kryeministri Edi Rama, i cili ishte i pranishëm në prezantimin e librit.
Në prezatimin e librit ishte i pranishëm edhe ish-kryeministri italian Massimo D’Alema, si dhe diplomatë, botues, përkthyes dhe dashamirës të librit.
Libri “Lidershipi”, i Henri Kisinger vjen në shqip përmes një botimi të veçantë: gjashtë rrëfime spektakolare mbi gjashtë udhëheqës botërorë.
Në fjalën e tij, Rama tha se “ky është një libër i jashtëzakonshëm i një autori të jashtëzakonshëm. Është një libër që besoj se edhe për dikë që s’do t’ia dijë fare për politikën apo historinë e politikës është tërheqës nga fillimi deri në fund”.
“Nuk besoj se ka një libër më të përshtatshëm për Qendrën për Hapje dhe Dialog ku janë bërë shumë prezantime librash. Ka qenë një nga ushtrimet më të vështira për mua në sensin e përgjegjësisë, sepse të fusësh fjalët e tua në një libër, ku janë edhe fjalët e njeriut të jashtëzakonshëm për nga shumë gjëra, po edhe për nga aftësia e të shkruarit nuk është diçka shumë e lehtë”, tha Rama.
“Në këtë libër mund të admirohet gjenialiteti i një prej mendjeve më të mprehta të politikës botërore mbi artin e udhëheqjes, me të cilin pata privilegjin e një bisede të paharrueshme rreth punëve të botës. Privilegj i veçantë ishte po ashtu, që në përgjigje të ftesës së shtëpisë botuese “MediaUnion”, të shkruaja parathënien e këtij libri fenomenal”, tha Rama.
Kryeministri Rama vlerësoi veçanërisht përkthimin e librit, i cili ka ruajtur fuqinë autentike të frazës, duke përcjellë qartësisht mesazhet tek lexuesit.
“Për hir të së vërtetës, të paktën në këndvështrimin tim përkthimi është goxha i shëndetshëm po themi dhe të jep një lirshmëri në lexim dhe duke e pas lexuar më parë në variantin origjinal pata pak frikë ta hap se thashë mos ndoshta do binte ajo fuqia e mprehtë e autorit, por përkthimi është goxha i shëndetshëm dhe unë dua t’i komplimentoj përkthyesit mbase janë këtu”, tha Rama.
Më tej, kryeministri Rama tha se “libri ai vlen në shumë drejtime. Momentet më spektakolare janë hyrja dhe fundi, ku flet vetë autori. Është shumë befasues një moment kur ai flet për atë që e përmendi kryeministri D’Alema, rënien e madhe morale, rritjen e pjerrtësive, dallgëve, humnerave në situatën e sotme dhe pastaj momentin që të krijon të gjithë ndjesinë që më pak, ose më shumë, të gjithë e kemi nga koha e sotme, kalon tek pjesa fundit fare ku kujton takimin e tij në vitin 1967 me Adenauerin, i cili ishte shumë i shqetësuar për të njëjtat gjëra që jemi të shqetësuar ne sot. E pyet Kisingerin, i thotë: A mendon ti se ka akoma sot mundësi që të ketë një udhëheqje me sens afatgjatë dhe a mendon se sot mund ta nxjerrë bota një udhëheqës të vërtetë? Të vërtetë në sensin e këndvështrimit të të gjithë librit dhe është pak si ajo historia jonë me fëmijët që na duket sikur janë të pashpresë në raport me çfarë u kërkojmë ne, ndërkohë që gjithmonë kështu ka ndodhur me prindërit kur kanë përjetuar tek fëmijët ndryshimet e kohës”.
“Pastaj Kisinger e vazhdon duke prekur pikërisht edhe një herë nga e para disa prej personazheve që ka libri, e duke thënë: Sadati doli në momentin kur ishte absolutisht e paimagjinueshme që mund të ndodhte ajo kthesë. Po kështu Niksoni shkoi në Kinë në një moment kur askush nuk e imagjinonte dot, të çohej presidenti i SHBA të shkonte në Kinë. Në mbyllje të këtij rrethi i kthehet Makiavelit, i cili thoshte se krizat e mëdha të kësaj natyre vijnë pas një momenti të gjatë qetësie e konfronti të krijuar nga një situatë përgjithësisht stabël pas një një ngritjeje në një nivel tjetër”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “këtu ka një dritë shprese në fund të këtij tuneli ku ka hyrë bota, por ashtu sikundër nuk mund të parashihje më parë kush apo si do dilte në një aspekt tjetër dhe si një figurë në mes të një situate krize të caktuar do të bëhej akullthyesi që do të kthente përmbys të gjithë paradigmën, edhe ne nuk mund ta dimë as kur, as si, as ku, e me radhë”.
“Por, në të gjithë rastet, edhe pse historia nuk përsëritet në mënyrë ciklike, pra historia nuk është një libër që mund të lexosh dhe të parashikosh se çfarë do të ndodhë duke lexuar atë libër, historia ka shumë mësim brenda dhe patjetër që në këtë sens, ma ha mendja zor se mund të ketë pasur një të dytë në arenën e madhe të politikës ndërkombëtare, që të ketë pasur njohjen kaq të thellë të Henri Kisinger dhe nga ana tjetër mprehtësinë për të kapur në kohë se si mund të ndërhyhej për të bërë atë që kishte fiksimin e tij absolut, ekuilibrin. Tek qasja e tij realiste që për shumëkënd ishte një qasje imorale ndaj botës në fakt shtysa themelore ishte gjithmonë ekuilibri i forcave”, tha Rama.
Henri Kisinger (1923-2023) ka qenë sekretar Shteti i SHBA-së dhe mbetet një nga studiuesit më të njohur për çështjet globale dhe sigurinë në botë.
Ai shërbeu si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare dhe pastaj sekretar i Shtetit në kohën e Riçard Niksonit dhe Xherald Fordit, si dhe ka këshilluar mbi politikën e jashtme shumë presidentë të tjerë amerikanë.
Në vitin 1973, atij iu dha Çmimi Nobel për Paqen dhe mes të tjerash edhe Medalja Presidenciale e Lirisë dhe Medalja e Lirisë.
Kisinger është autor i shumë librave dhe artikujve mbi politikën e jashtme dhe diplomacinë.
Burimi ATSH



















