Pirdeni: Direktiva e BE-së kundër korrupsionit, udhërrëfyes për forcimin e reformave
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, vlerësoi sot rëndësinë e Direktivës së Bashkimit Evropian kundër korrupsionit si një orientim të rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të reformave në fushën e sundimit të ligjit, parandalimit të korrupsionit dhe përafrimit me standardet evropiane.

Në një postim në rrjetet sociale, Pirdeni bëri të ditur se në kuadër të projektit EU4GG, së bashku me partnerët evropianë dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, u diskutua mbi rëndësinë e kësaj direktive për avancimin e reformave në vend.
Ajo theksoi se me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë janë ndarë praktikat më të mira që fuqizojnë qasjen parandaluese ndaj korrupsionit, përmes vlerësimit të risqeve në sektorët më të ekspozuar dhe forcimit të mekanizmave të sinjalizimit.
Sipas Pirdenit, një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe mbrojtjes së sinjalizuesve, në përputhje të plotë me standardet evropiane, si pjesë e përpjekjeve për rritjen e transparencës dhe integritetit institucional.
Burimi ATSH