Rama: Shqipëria, vendi i mundësive për investime dhe zhvillim!

Menjëherë pas përfundimit së Samitit të KPE, u zhvillua në Tiranë, Forumi Ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative), platforma globale që mbledh liderë politikë, drejtues të korporatave më të mëdha në botë për diskutimin e inovacionit, investimeve dhe të ardhmes së ekonomisë botërore, i cili përzgjodhi Shqipërinë për takimin e tij të parë në Europë. Në kuadër të këtij Forumi, Kryeministri Edi Rama, zhvilloi një bashkëbisedim me producentin Richard Attias, një prej organizatorëve të eventit.


Menjëherë pas përfundimit së Samitit të KPE, u zhvillua në Tiranë, Forumi Ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative), platforma globale që mbledh liderë politikë, drejtues të korporatave më të mëdha në botë për diskutimin e inovacionit, investimeve dhe të ardhmes së ekonomisë botërore, i cili përzgjodhi Shqipërinë për takimin e tij të parë në Europë.

Në kuadër të këtij Forumi, Kryeministri Edi Rama, zhvilloi një bashkëbisedim me producentin Richard Attias, një prej organizatorëve të eventit.

Kryeministri Edi Rama, foli mbi nxitjen e bashkëpunimit midis sektorit publik dhe atij privat, duke theksuar rëndësinë e hapësirave ku vendimmarrësit dhe njerëzit në terren mund të ndërveprojnë dhe të shkëmbejnë ide. Ai theksoi potencialin e Shqipërisë si një qendër për Evropën për shkak të karakteristikave të saj gjeografike dhe kulturore, duke e krahasuar atë me një “Itali të re” për mundësitë dhe mikpritjen që ofron.

Kryeministri  identifikoi energjinë, inovacionin dhe turizmin si sektorë kyç për investime, me projekte në zhvillim në energjinë e rinovueshme dhe parqet teknologjike.

Kryeministri gjithashtu trajtoi sfidat e Bashkimit Evropian në procesin vendimmarrës, duke theksuar nevojën për unitet për të përballuar fuqitë globale në rritje.

Richard Attias: Z. Kryeministër, çelët edicionin e parë fare të takimit të FII Priority për Europën në Tiranë, i cili është një forum investimesh, menjëherë pas organizimit të KPE-së, konferencës së Komunitetit Politik Europian. Çfarë rekomandimi keni për t’i bërë sektorit publik dhe privat qe të punojnë së bashku në epokën aktuale?

Kryeministri Edi Rama: Para së gjithash, ajo që dua të them është se çfarë ndodhi në Tiranë (zhvillimi i Samitit dhe zhvillimi i Forumit) ishte e paimagjinueshme, deri jo shumë kohë më parë dhe dua t’ju falënderoj shumë ju dhe Institutin tuaj për këtë mundësi të jashtëzakonshme. U habita shumë kur dëgjova nga z.Ramayan se kjo është hera juaj e parë në Europë. Mendoj se kjo është pikërisht një mënyre për t’iu qasur çështjes tejet thelbësore të bashkimit të forcave midis sektorit publik e privat dhe tamam në këto lloj vendtakimesh ku njerëzit, të cilët vijnë nga terreni ku ndodh gjithçka, mund të ndërveprojnë, të ngrenë pyetje, të marrin përgjigje, madje edhe më shumë se kaq, të vihen në kontakt me njëri-tjetrin. Meqë ra fjala, patëm nderin të kishim Presidentin francez këtu dhe, kur po ikte, shkëmbeu kontakte me tri persona. Njëri prej tyre ishte dikush që merrej me kujdesin shëndetësor përmes inteligjencës artificiale, i cili punonte në Londër dhe Presidenti Macron i tha, “pse në Londër? Ti duhet të  vish në Paris. Më jep kontaktet. Do të telefonoj.” Është e jashtëzakonshme, është absolutisht mahnitëse.

Richard Attias: E zbulova vendin tuaj – e them me modesti të plotë – vetëm para pak muajsh me gruan time dhe ramë në dashuri me këtë vend, me njerëzit e tij dhe sa herë njerëzit na pyesin, “çfarë mendoni për Shqipërinë” – nuk e di nëse ju pëlqen krahasimi im – por unë mendoj se jeni Zvicra e re e Europës. Jeni fiks në qendër të Europës dhe nga pikëpamja gjeografike keni edhe më shumë të drejtë të jeni qendër për Europën. E dyta, kultura. Larmia e kulturave, larmia e besimeve fetare, një vend i paqtë, një vend tolerance. Pse keni qenë kaq të heshtur deri më sot? E gjithë bota po zbulon tashmë Shqipërinë, po zbulon Tiranën. Nëntëdhjetë për qind e delegatëve tanë janë të habitur pozitivisht me zgjedhjen që bëmë dhe mendoj që ky është vetëm fillimi. Si prisni të jetë e ardhmja e Shqipërisë?

Kryeministri Edi Rama: Para së gjithash, u tremba pak kur thatë “Zvicra e re”, sepse, nga njëra anë, ne – mendoj – nuk arrijmë dot të bëhemi të përsosur si një orë zvicerane dhe nga ana tjetër, po të bëheshim të tillë, atëherë Shqipëria do të ishte tmerrësisht e mërzitshme. Unë do preferoja një “Itali e re”, ku gjen mundësi, ku gjen kënaqësinë e mikpritjes, të ushqimit, por ku nuk e humbet buzëqeshjen. Ne na ka bekuar Zoti, por na ka mallkuar historia, një mallkim ku për të qenë i sinqertë, kemi pasur edhe kontributin tonë për shumë e shumë vite dhe shekuj. Ky vend, me një territor shumë të vogël, vetëm 28 000 kilometër katrorë, ku gjen dy dete,  male, nëntë lumenj, liqene, gjen nga një peizazh të ndryshëm për çdo kilometër, është vërtet një vend për t’u vizituar, një vend për të qëndruar, për të investuar, por, nga ana tjetër, ky vend ka vuajtur tej mase nga stigma dhe ka qenë shumë e vështirë t’i sillje njerëzit në Shqipëri ngaqë stigma ishte shumë e madhe. Pastaj, kur erdhën, sa herë vinin, thoshin: “Oh, po këtu nuk është siç e prisnim”. Tashmë, kemi dalë përtej dhe vitin e kaluar e mbyllëm me 12 milionë turistë, e kjo është shifër e jashtëzakonshme për një vend me vetëm 2,4 milionë. Tani, po kërkojmë të marrim atë çfarë me shumë mirësi po sillni ju në vend, ekselencën, cilësinë më të mirë, sepse na duhet të vëmë një ekuilibër midis masives dhe cilësores, në të kundërt, rrugës, mund të humbim, jo vetëm mundësinë për të qenë Zvicra, që  nuk mendoj se e kemi, por edhe mundësinë për të qenë një Itali e re.

Richard Attias: Përveç turizmit, që është absolutisht një prej sektorëve të parë për të investuar, keni kaq shumë projekte të çelura, investues të mëdhenj që vijnë nga Shtetet e Bashkuara, Emiratet e Bashkuara Arabe, cilët do të ishin ata sektorë të tjerë, ku do t’iu rekomandonit investuesve të mundshëm të hidhnin sytë?

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi një vend shumë, shumë të mirëpozicionuar gjeografikisht dhe politikisht për të bërë shumë më tepër për energjinë dhe po e bëjmë. Për momentin jemi të angazhuar në një projekt shumë të madh bashkë me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara për linjën nënujore që lidh Shqipërinë me Italinë, domethënë dy anët e Europës përmes Adriatikut dhe për të bërë maksimumin me atë që e kemi thesar këtu, energjinë tërësisht të gjelbër. Ne kemi 100 për qind energji të ripërtëritshme. Problemi është se kemi shumë energji hidrike dhe tashmë po ngremë energjinë diellore. Ka kompani franceze që kanë ardhur, edhe kompani të tjera, për të ndërtuar [objekte] për energjinë diellore, kështu që, energjia është pa dyshim një nga frontet. Një tjetër janë të rinjtë e kualifikuar shqiptarë, të cilët janë një lëndë e parë shumë e mirë, ta themi kështu, për të punuar sa i takon novacionit. Aktualisht, kemi ngritur parkun e parë teknologjik me stimuj shumë të mirë, ndaj ka shumë kompani të interesuara të vijnë. Pastaj, edhe në shërbime jemi mirë, por turizmi, energjia dhe novacioni janë tri nga drejtimet ku mund të bëjmë shumë më tepër.

Richard Attias: Pak muaj më parë, në Konferencën e Sigurisë në Mynih,  ju thatë se BE-ja është më shumë “E” sesa “B”, është më shumë Europian sesa Bashkim. Si mendon se mund ta zgjidhim këtë problem, për të cilin shumë njerëz bien dakord me ju? Pra, si mund ta bëjmë BE-në të bashkuar vërtet?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, një nga problemet që shoh te BE-ja vështirësia e daljes me një vendim, pasi ka shumë mjekë për një pacient, që hahen me njëri-tjetrin për të gjetur diagnozën, hahen se cili është mjekimi i duhur dhe, në një farë mënyre, BE-ja po vuan nga ky proces demokratik, por, nga ana tjetër, i duhet padyshim ta ruajë demokracinë. Sidoqoftë, thelbi i kësaj është që BE-ja duhet të mendojë se mënyra e vetme për t’iu bërë ballë fuqive që po dalin në pah dhe këtij rendi të ri që po lind është të bëjë të pamendueshmen për të thyer fuqishëm paragjykimet që janë krijuar. Kur organizuam KPE-në, iu thashë të gjithëve që e kemi dekoruar këtë shtëpi me vizatimet e fëmijëve, por shoh shumë  ngjashmëri mes ëndrrave të fëmijëve dhe ëndrrave të etërve themelues të Europës, sepse as njëri e as tjetri nuk janë marrë peng nga mitet e së shkuarës. Kësisoj, Europës i duhet të shkojë përtej së shkuarës së vet, e kam fjalën për të shkuarën e afërt dhe nuk duhet të humbasë bindjen dhe besimin te vetja si kontinent i paqes. Pra, është mirë të riarmatosesh, është mirë të përgatitesh për të mbrojtur veten, por nuk duhet të harrojmë se, në Europë, nuk është vetëm territori fizik që ia vlen të mbrohet, por edhe shpirti i Europës që është praktikisht shpirti i botës. Nëse e humbasim këtë shpirt, mund të kemi edhe ushtrinë më të fuqishme, po çfarë do mbrojmë?

Richard Attias: Z. Kryeministër, pak ditë më parë, ju u rizgjodhët për mandatin e katërt me radhë, që është historike për Shqipërinë. Cilat do jenë tri përparësitë kryesore tuajat për këtë mandat?

Kryeministri Edi Rama:  Së pari, më duhet të ndaj me ju që jam zënë paksa në bela me kolegët socialistë, sepse kur dikush më pyeti, “si është e mundur që je socialist, ke fituar katër mandate?”

Richard Attias: Ndodh, sepse jeni humanist.

Kryeministri Edi Rama:  “Çfarë do iu thoshe të tjerëve?” I thashë: “Dëgjo, nuk di ç’të të them. Ndoshta fitoj, sepse nuk jam një socialist i mirë.” Tani që flasim, tri gjërat kryesore për ne janë BE-ja, BE-ja, BE-ja. Dritarja e mundësisë është hapur. Është shumë e trishtë që na duhej Putini, që kjo dritare mundësie të hapej, sepse ishte agresioni i tij kundër Ukrainës që i zgjoi të gjithë nga gjumi dhe e ktheu në veprim mesazhin përherë shumë të qartë, por vetëm me fjalë, se një ditë, Europa do të jetë e bashkuar. Unë shpresoj që edhe zgjedhja  e Donald Trump-it do ta shtyjë Europën të kthejë në veprime gjërat e duhura. Nëse ne ia dalim, atëherë katër mandatet do t’ia kenë vlejtur.

Richard Attias: Çfarë roli po luajnë gratë në modelin e ri të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama:   Kur nisëm fushatën, doja që ajo të hapej me gratë, kështu që gjysma e pare e fushatës ishte takime me gratë. E filluam më parë me gratë dhe vajzat në vijën e parë, në partinë tonë dhe pastaj u shtrimë përtej. Një ditë – e dini, ndonjëherë kur bën fushatë mund të thuash gjëra që nuk janë të paqortueshme dhe që mund të ndezin diskutime – pra, një ditë thashë, shikoni, po mobilizojmë gratë, sepse 56 për qind e grave dhe vajzave në Shqipëri votojnë për ne. Kjo është një forcë e madhe dhe, nëse kemi gratë, kemi votuesit për herë të parë, atëherë na duhen vetëm gjysma e burrave, sepse gjysma tjetër janë çyrykë. Kjo ndezi një debat të madh. “Si mund të thotë ai që gjysma tjetër janë çyryk?” Meqë, prej natyre, jam kokëfortë, ngula këmbë dhe iu thashë: “Dëgjoni, nuk ka lidhje se jeni çyryk se nuk votoni për mua, por se ai që nuk kupton që, në këtë moment, na duhet të bashkohemi për të hyrë në BE, çka është për të gjithë ne, socialistë a demokratë, është çyryk. Dhe, në fund, kjo solli një numër edhe më të madh grash që na votuan dhe burrat, po ashtu, ishin mirë, arritëm ca më shumë se gjysmën e tyre dhe fituam një shumicë dërrmuese. Pastaj, ua shpjegova se çdo burrë i zgjuar e kupton që, po, gratë janë forca shtytëse. Kemi punuar shumë për këtë, sepse në këtë vend, kemi kaluar dy faza. Njëra, ishte fazë e gjatë disashekullore, gjatë së cilës gratë trajtoheshin… Kanuni i famshëm, ka anën e shndritshme të mikpritjes, ka edhe anën mjaft të errët për gratë, e konsideron gruan si një prej kafshëve të shtëpisë, bagëti. Kur erdhi komunizmi, fliste për emancipim, por ajo çfarë bëri ishte që i detyroi gratë të dilnin nga shtëpia, të punonin. Por komunizmi ishte kundër anës femërore, kundër së bukurës, e donte çdo gjë njësoj dhe gratë paraqiteshin si burra, thuhej se ishin të forta si burrat. Edhe në pikturat e fotot e propagandës, nuk shihje kurrë një grua të bukur. Pastaj, kur erdhi liria, patëm një valë të parë të Miss Albania, Miss Tirana, Miss Shkolla, madje edhe Miss Kopshti, sepse ishte një lloj reaksioni për të nxjerrë në pah anën femërore. Megjithatë, as kjo nuk ishte mënyra e duhur. Kur mora kryesimin e Partisë Socialiste, nisëm të vendosnim kuota, të ftonim gratë dhe vajzat të merrnin pjesë dhe kështu ndryshuam gjithçka dhe ia vlen, ia vlen shumë.

Richard Attias: Sapo folët për piktura, foto. Ju jeni artist, jeni skulptor, jeni piktor. E keni në gjak kulturën. Si po ju ndihmon kjo kulturë që është pjesë e ADN-së suaj në punën tuaj të përditshme si kryeministër?

Kryeministri Edi Rama:  Unë vizatoj gjatë takimeve dhe kjo më ndihmon të ruaj një lloj ekuilibri. Nuk e dija këtë, po gjatë rrugës lexova një studim, më duket nga Departamenti i Psikologjisë në MIT. Ata kishin  vëzhguar njerëz që skicojnë gjatë takimeve, sepse ka shumë njerëz, që nuk janë artistë dhe e bëjnë këtë. Kishte dy gjetje që më lanë pa fjalë. Njëra ishte që njerëzit që vizatojnë gjatë takimeve janë mesatarisht 30 për qind më të përqendruar te tema që po diskutohet. Dhe ka logjikë, sepse kur rri ulur të diskutosh, po mendjen e ke diku tjetër, shikon, po je shpesh diku tjetër. Ndërsa, kur syri dhe dora merren me diçka më vete, je automatikisht i përqendruar tek ajo për të cilën po flitet. Gjetja e dytë ishte që 50 për qind e atyre që skicojnë gjatë një takimi, janë më pak të stresuar nga tema e diskutimit dhe mund të dëshmoj për këtë. Kur ka një temë me intensitet dhe nuk kam diçka që të vizatoj, bëhem nervoz shumë shpejt. E kundërta ndodh kur vizaton, rri e pret të vijë momenti yt për “të vrarë” dhe nuk i hidhesh çdokujt.

Kjo më ndihmon. Besoj se më ka ndihmuar në fillime, kur isha kryetar bashkie dhe nisa të lyeja me ngjyra – se s’kishim para – ndërtesat, pastaj nga ngjyrat shkuam më tej. Përgjithësisht, ka një prirje të njerëzve që thonë na duhen artistë të na qeverisin, po do te thosha nuk është e vërtetë. Është personi, jo profesioni. Mund të kesh një artist që është tmerr dhe mund të kesh një jurist që është fantastik për të qeverisur, kështu që ka lidhje me njerëzit, jo me kategoritë. Por, ndoshta, meqë politikanët janë bërë një kategori kaq pak e respektuar dhe, mendoj, për të gjitha arsyet e gabuara, atëherë është kjo prirja që hajde se na duhet të gjejmë shpëtim te ndonjë artist. Nuk është aspak kështu. Unë besoj që ka politikanë të këqij, siç ka politikanë të mirë, ashtu siç ka edhe investitorë të mirë e investitorë të këqij.

Richard Attias: Z. Kryeministër, po t’i hedhësh një sy hartës globale, Shqipëria është një qendër, një katalizator midis Europës, Azisë dhe Lindjes së Mesme. Si e shihni shpalosjen e këtij roli në të ardhmen, sa i takon gjeoekonomisë dhe gjeopolitikës.

Kryeministri Edi Rama:  Dëgjoni, ky është një bekim për ne, edhe për shkak të përbërjes së shoqërisë nga myslimanë e të krishterë, e cila falë Zotit, s’ka asnjë problem. Përkundrazi, nuk ka kufizime, nuk ka paragjykime, asgjë nga këto. Ne kemi një prirje të natyrshme që të shohim ngado, edhe pse është shumë e qartë që shqiptarët kanë një dashuri të palëkundur për BE-në dhe Europën, në përgjithësi. Europa ka qenë ëndrra jonë e kahershme. Me evoluimin e gjërave, kemi pasur disa periudha kohe, ku politika u përqendrua tej mase vetëm te Perëndimi dhe nuk ndërtuam raporte në Lindje. Unë e ndryshova këtë, duke vendosur në dokumentin tonë të politikës së jashtme që ne nuk kemi vetëm dy partnerë strategjikë, Greqinë dhe Italinë, por kemi tre, edhe Turqinë. Pastaj fillova të ndërtoja marrëdhënie me Lindjen e Mesme, me vendet e Gjirit. Tani jemi në një pozicion shumë të mirë, sepse qëndrimi ynë sa i takon gjeopolitikës është shumë i qartë: Ne jemi Perëndim, jemi në një linjë me BE-në, por duam të kemi marrëdhënie, madje vëllazërore me vendet që përmenda, edhe pse, në Europë, kemi një karakteristikë unike. Vizita e fundit e nivelit të lartë në Moskë ishte në vitin 1960. Ne nuk e kemi vizituar kurrë Kremlinin,  nuk kemi pasur kurrë vizitë nga Kremlini apo nga ndonjë qeveritar i lart atje, për shkak të historisë, por edhe sepse nuk kemi ndonjë oreks për t’u afruar me Rusinë. Nuk kemi as para ruse, as investime ruse, asgjë të tillë. Me Kinën kemi një marrëdhënie të mirë, jo si me Rusinë. Kemi një marrëdhënie të mirë, por, sërish, nuk ka investime kineze, nuk ka një bashkëpunim të madh siç ka midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut apo Malit të Zi dhe Kinës.  Për ne, ky është pak a shumë horizonti, nga Lindja e Mesme në Europë. Amerika është e re në këtë drejtim, përmes investimit që përmendët ju, por edhe përmes investimeve në energjetikë. Do të donim të bënim më shumë, por po ecën mirë, jemi të kënaqur me këtë.

Richard Attias: Një pyetje e fundit z. Kryeministër. Çfarë dëshire, ëndrre keni për botën, për Europën dhe për Shqipërinë?

Kryeministri Edi Rama:  Unë jam një i dashuruar me fanatizëm i tekstit që përmenda sot, nga Abati i Shën Pierit. Më duket absolutisht çmenduri edhe thjesht të përfytyrosh një abat diku gjetkë në Francë, që ka këtë vizion dhe iu hap njerëzve sytë për të parë sesi mund të duket ndryshe bota dhe që hedh konceptin e bashkimit të paqes së përhershme, i cili, për të, përfshin Rusinë, shtrihet deri në Lindje, në toka që asokohe ishin nën perandorinë osmane, çka nuk nënkupton domosdoshmërisht që të gjitha këto vende duhet të jenë në BE, por që secili prej këtyre vendeve duhet të jetë pjesë e të njëjtit komunitet, njësoj siç Zvicra nuk është në BE, Norvegjia nuk është në BE. Për Mbretërinë e Bashkuar, le të shohim, pasi duket sikur po kalojnë nëpër shkretëtirën e depresionit. Kjo do të ishte ëndrra ime, por, ashtu siç shkruante Volteri, ishin interesa të parëndësishme dhe kapriço të vogla që nuk e lejuan këtë vizion të madh, sepse në fund të fundit, kjo është, janë egot, janë individët në kohë. KPE-ja është paksa kjo, sepse Franca e ka mbartur përherë këtë idenë e një Europe më të madhe, pa qenë domosdoshmërisht të gjithë në Bashkimin Europian.

Richard Attias: Z. Kryeministër, shumë faleminderit për mikpritjen!

Kryeministri Edi Rama:  Është nder për mua.

Richard Attias: Faleminderit që na prite në Tiranë. Shpresojmë t’ju shohim në Riad, në konferencën kryesore të FII në tetor, për të vazhduar bisedën.

Kryeministri Edi Rama:  Tani nuk kam zgjedhje tjetër, veç të vij, edhe po të kem diçka tjetër. Do të vij me kënaqësinë më të madhe. Do të ishte nder që të isha pjesë e kësaj…

Richard Attias: … lëvizjeje.

Kryeministri Edi Rama:  … e këtij sekti.

Lexo më shumë nga

Policia e Shtetit dhe ajo italiane, monitorim ajror kundër kultivimit të bimëve narkotike

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi sot një takim me një Delegacion të Lartë të Ministrisë…

Global 360

Osmani, vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me ftesë të Kongresit Amerikan, ka udhëtuar për të marrë pjesë në ngjarjet e organizuara…

Diplovista

Rama: Shqipëria, vendi i mundësive për investime dhe zhvillim!

Menjëherë pas përfundimit së Samitit të KPE, u zhvillua në Tiranë, Forumi Ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative), platforma globale që…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

Koçi Tahiri, veprimtar i respektuar i elitës intelektuale dhe i politikës shqiptare

"Pishtari i Demokracisë" dhe ish-deputet (2017-2025) ka veprimtari të gjerë aktive 35-vjeçare, me karakter krahinor dhe kombëtar.

Masmedia

Policia e Shtetit dhe ajo italiane, monitorim ajror kundër kultivimit të bimëve narkotike

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi sot një takim me një Delegacion të Lartë të Ministrisë…