
Sejko: Shqipëria në të njëjtin nivel me tregun evropian të pagesave
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në punimet e Forumit të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), i cili po zhvillohet në Vjenë, Austri.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në punimet e Forumit të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), i cili po zhvillohet në Vjenë, Austri.
Në kuadër të këtij forumi, Guvernatori prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend. Ai theksoi rëndësinë e investimeve të huaja direkte si një faktor kyç në mbështetje të rritjes ekonomike dhe forcimit të qëndrueshmërisë makroekonomike.
Gjatë fjalës së tij, Sejko u ndal edhe në zhvillimet në sektorin bankar shqiptar, duke nënvizuar se treguesit financiarë konfirmojnë një sistem bankar të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe rezistent ndaj goditjeve të jashtme, i cili është i aftë të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Guvernatori nënvizoi angazhimin e vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë në drejtim të modernizimit të infrastrukturës financiare, përfshirë përmirësimin e sistemeve të pagesave dhe forcimin e mbikëqyrjes bankare, si dhe avancimin e agjendës së integrimit evropian.
Në këtë kontekst, Sejko vuri në dukje se aderimi i Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) përbën një hap të rëndësishëm strategjik, duke e pozicionuar vendin në të njëjtin nivel funksional me tregun evropian të pagesave dhe duke lehtësuar transaksionet financiare për qytetarët dhe bizneset.
Forumi i vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore mbledh përfaqësues të lartë institucionalë, ekspertë ekonomikë dhe drejtues të institucioneve financiare, duke shërbyer si një platformë diskutimi mbi sfidat dhe perspektivat e zhvillimit ekonomik në rajon dhe më gjerë.
Burimi ATSH


















