
Spiropali: Ministeriali i parë për Korridori VIII në Tiranë, pikë kthese për bashkëpunimin rajonal
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi sot nga Shkupi, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, se Korridori VIII përbën një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike, i cili duhet t shndërrohet në një hapësirë të re mundësish dhe konektiviteti për rajonin.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi sot nga Shkupi, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, se Korridori VIII përbën një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike, i cili duhet t shndërrohet në një hapësirë të re mundësish dhe konektiviteti për rajonin.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski, Spiropali theksoi se Ministeriali i parë për Korridorin VIII, që pritet të mbahet në Tiranë në shkurt 2026, duhet të shërbejë si një pikë kthese për institucionalizimin e bashkëpunimit pesëpalësh mes Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Rumanisë.
“Ky takim duhet të prodhojë rezultate konkrete përmes miratimit të një kornize të përbashkët strategjike, që e kthen Korridorin VIII në një motor zhvillimi ekonomik dhe integrimi evropian”, u shpreh Spiropali.
Sipas saj, potenciali për bashkëpunim mes dy vendeve mbetet i madh edhe në aspektin ekonomik.
Ministrja theksoi nevojën për intensifikimin e investimeve direkte, përmes heqjes së barrierave për investimet reciproke, në sektorë si bankat, industria, turizmi dhe krijimi i kompanive të përbashkëta në territorin e njëri-tjetrit.
“Duhet të punojmë më shumë për të krijuar një klimë të favorshme për biznesin dhe investimet, që përfiton drejtpërdrejt ekonomitë dhe qytetarët tanë”, u shpreh ajo.
Spiropali theksoi gjithashtu se synimi i përbashkët është shndërrimi i hapësirës shqiptaro–maqedonase në një hapësirë strategjike evropiane.
“Le të vijojmë punën për ta kthyer këtë hapësirë në një terren ku kufiri nuk është vijë ndarjeje, por vijë takimi, një urë për njerëzit, biznesin, energjinë, transportin dhe besimin”, përfundoi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Burimi ATSH



















