
Ibrahimaj: Rritja ekonomike ndërtohet përmes bashkëpunimit me biznesin
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në mbrëmjen gala të dedikuar sipërmarrjes shqiptare, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTIT), e cila bëri bashkë përfaqësues të biznesit, shoqatave të biznesit, institucioneve shtetërore dhe aktorëve të ekonomisë.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në mbrëmjen gala të dedikuar sipërmarrjes shqiptare, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTIT), e cila bëri bashkë përfaqësues të biznesit, shoqatave të biznesit, institucioneve shtetërore dhe aktorëve të ekonomisë.
Aktiviteti shërbeu si një moment vlerësimi për kontributin e sipërmarrjes në zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e prodhimit vendas dhe krijimin e vendeve të punës.
Në mbrëmjen gala ishte i pranishëm edhe Presidenti Bajram Begaj, duke nënvizuar rëndësinë që ka sipërmarrja shqiptare si një shtyllë kryesore e stabilitetit ekonomik dhe e perspektivës europiane të vendit.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj vlerësoi rolin e biznesit dhe të shoqatave të biznesit si partnerë strategjikë të qeverisë në hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike.
“Biznesi shqiptar ka treguar se di të rritet, të përshtatet dhe të konkurrojë.
“Shoqatat e biznesit kanë krijuar ura bashkëpunimi dhe kanë shërbyer si katalizatorë të rritjes së prodhimit, të vlerës së shtuar dhe të ndërkombëtarizimit të sipërmarrjeve shqiptare”, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj theksoi se qeveria do të vijojë të ndërtojë politika dhe instrumente mbështetëse për biznesin, duke pasur si objektiv forcimin e produktit “Made in Albania” dhe zgjerimin e pranisë së tij në tregjet ndërkombëtare.
“Ne hartojmë politika dhe krijojmë kushte, por rezultatet konkrete vijnë nga puna juaj e përditshme. Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë dhe besimit mund të shfrytëzojmë maksimalisht mundësitë që ofron tregu i përbashkët europian”, tha ajo.
Ministrja Ibrahimaj uroi sipërmarrësit për sukseset e arritura dhe ritheksoi angazhimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për të qenë një partnere aktive e biznesit në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit europian.
Mbrëmja gala shërbeu gjithashtu si një moment reflektimi për arritjet e vitit që po mbyllet, por edhe për përgjegjësitë dhe sfidat që sjell viti i ardhshëm për ekonominë shqiptare, në kuadër të përmbushjes së standardeve dhe forcimit të konkurrueshmërisë.
Burimi ATSH


















