
Ibrahimaj: 1.7 mld lekë në total për pensionistët
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u shpreh sot se me buxhetin e vitit 2026, synohet nxitja e ekonomisë dhe dhënia e më shumë mbështetjeje për familjet shqiptare përmes shpërndarjes së të ardhurave.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u shpreh sot se me buxhetin e vitit 2026, synohet nxitja e ekonomisë dhe dhënia e më shumë mbështetjeje për familjet shqiptare përmes shpërndarjes së të ardhurave.
Ministrja Ibrahimaj e bëri këtë deklaratë gjatë dëgjesës publike për buxhetin 2026 me banorë të njësisë 11 dhe të Kasharit në Tiranë, ku të pranishme ishin edhe drejtuesja politike e Qarkut Tiranë, Ogerta Manastirliu dhe nënkryetarja e bashkisë Tiranë, Vasilika Vjero.
“Për herë të parë jemi shumë krenarë që me këtë buxhet kemi një vëmendje ndaj mirëqenies dhe ndaj të ardhurave. Vëmendja në buxhetin e vitit 2026 për pensionistët do të jetë krejt ndryshe. Dëshira jonë ka qenë e madhe që të bënim një hap cilësor në të ardhurat e pensionistëve, por vetëm tani na është krijuar mundësia për shkak të të ardhurave të shtuara, rritjes ekonomike, që të mund të bëjmë diçka të konsiderueshme për të gjithë ata të moshuar që kanë punuar gjithë jetën dhe meritojnë të kenë të ardhura më të denja”, tha Ibrahimaj.
Sipas Ibrahimajt, në buxhetin e vitit 2026, por edhe në atë të vitit 2027 dhe 2028 janë parashikuar respektivisht 10 miliardë, 20 miliardë dhe 30 miliardë lekë.
Ministrja deklaroi se bonusi i fundvitit do të jepet dhe do jetë i barabartë me bonusin që është dhënë edhe vitin e kaluar.
Ibrahimaj theksoi se 1.7 miliard euro do të jenë në dispozicion të pensionistëve në total, për bonuse dhe indeksim.
“Çdo muaj, nga muaji janar, çdo pensionist do të marrë një bonus shtesë bashkë me pensionin. Duke filluar nga pensioni urban i plotë, i cili sot mesatarisht është 27 mijë lekë, deri në 2030 do të shkojë 40 mijë lekë. Çdo pensionist që ka vitet e plota do të marrë një shtesë prej 1800 lekë në muaj dhe kjo është pavarësisht indeksimit që është një procedurë që do të jetë atje gjithmonë”, vijoi Ibrahimaj.
“Pensionet e pjesshme urbane do të kenë një rritje prej 8000 lekë (të vjetra – shën. i red.) në muaj përveç indeksimit, pensionet rurale do të kenë një rritje prej 10 mijë lekë në muaj, pensionet familjare do të kenë një rritje prej 7 mijë lekë në muaj dhe pensionet e invaliditetit do të kenë një rritje prej 6 mijë lekë në muaj”, theksoi ajo.
Ibrahimaj pohoi se në vitin 2027, këto shifra do dyfishohen dhe në vitin 2028 këto shifra do të trefishohen deri sa të arrijë nivelet 40 mijë lekë për pensionin urban, 22 mijë lekë për pensionin e pjesshëm, 18 mijë lekë për pensionin rural, 18 mijë për pensionin familjar dhe 30 mijë për pensionin e invaliditetit.
“Të gjithë pensionistët që kanë pension më të vogël se 200 mijë lekë (të vjetra – shën. i red.) do marrin 150 mijë lekë bonus, ata që kanë pension më të madh se 200 do marrin 100 mijë lekë bonus. Sot, paga mesatare në administratën publike është 1 milion lekë dhe falë gjithë kësaj reforme paga u rrit dhe do të rritet përsëri, nga 35% në 60% dhe përveç rritjes çdo dy vite do bëjmë indeksim të pagave. Në buxhetin 2026 kemi parashikuar indeksim të pagave me 2,5% dhe një rritje të diferencuar për disa kataegori që i kanë më të ulta që përfshijnë specialistët, ushtarakët, policët, sistemin shëndetësor që për herë të parë këtë vit jo vetëm rritje dhe indeksim, por do njihen dhe vitet e punës”, theksoi Ibrahimaj.
/Burimi ATSH


















