
Ibrahimaj: Inovacioni dhe sipërmarrja, motorë të zhvillimit ekonomik
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot në ceremoninë e hapjes së Javës Globale të Sipërmarrjes se Shqipëria është duke bërë hapa të rëndësishëm për të forcuar sektorin e inovacionit dhe sipërmarrjes, duke i konsideruar këto si shtylla kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot në ceremoninë e hapjes së Javës Globale të Sipërmarrjes se Shqipëria është duke bërë hapa të rëndësishëm për të forcuar sektorin e inovacionit dhe sipërmarrjes, duke i konsideruar këto si shtylla kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit.
Në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm edhe ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Nikas Strom.
Ajo theksoi se sipërmarrja dhe inovacioni janë të domosdoshme për të krijuar mundësi të reja punësimi, për të rritur produktivitetin dhe për të integruar Shqipërinë në tregjet ndërkombëtare.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj u ndal në përparimet e arritura gjatë tre viteve të fundit, duke theksuar se ka një rritje të vazhdueshme të numrit të eventeve të organizuara gjatë Javës së Sipërmarrjes, që këtë vit ka arritur në 63 aktivitete në pesë qytete të Shqipërisë.
Ajo gjithashtu përmendi mbështetjen ndërkombëtare, duke e cilësuar bashkëpunimin me partnerët si një faktor kyç për suksesin e këtij ekosistemi.
“Java e Sipërmarrjes është një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar se si mund të nxitet ekonomia përmes inovacionit dhe sipërmarrjes. Kjo është një periudhë e rëndësishme për Shqipërinë, pasi ne po bëjmë hapa të mëdhenj për të krijuar një klimë më të favorshme për startup-et dhe për të përforcuar sektorin e teknologjisë dhe dixhitalizimit. Inovacioni është çelësi i zhvillimit ekonomik dhe do të ndihmojë në ngritjen e standardeve të cilësisë, si dhe në rritjen e produktivitetit në të gjithë sektorët e ekonomisë”, u shpreh ajo.
Ministrja Ibrahimaj gjithashtu theksoi rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit mes sektorit publik dhe atij privat, duke siguruar që politikat dhe instrumentat financiarë të jenë të përshtatshme për të mbështetur zhvillimin e bizneseve.
Ajo nënvizoi se gjatë vitit të ardhshëm do të miratohet një paketë fiskale që do të përfshijë stimuj për investimet në kërkim dhe zhvillim, si dhe përkrahje për startup-et nga korporatat.
“Në vitin e ardhshëm, përmes paketës fiskale që do të miratohet në Parlament, do të krijojmë mundësi për korporatat që të financojnë startup-et dhe inovacionin, duke e trajtuar këtë si shpenzim të zbritshëm përmes taksave. Ky është një hap i rëndësishëm për të inkurajuar investimet në kërkim dhe zhvillim dhe për të nxitur sektorin privat të investojë më shumë në inovacion”, tha ministrja Ibrahimaj.
Gjithashtu, ministrja theksoi se Java e Sipërmarrjes është një mundësi për të diskutuar për temat më të reja në fushën e teknologjisë, si përdorimi i inteligjencës artificiale dhe siguria kibernetike, dy komponentë që po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi në zhvillimin e ekonomisë digjitale dhe mbrojtjen e të dhënave. Ajo theksoi se Shqipëria është e përgatitur të bëjë një hap të madh në këtë drejtim, duke krijuar mundësi për të integruar inteligjencën artificiale në shumë aspekte të jetës ekonomike dhe administrative.
Ministrja Ibrahimaj gjithashtu vuri theksin te rëndësia e nismave për digjitalizimin e sektorëve të ndryshëm, si turizmi dhe energjia, duke e parë këtë si një mundësi për të rritur konkurrencën e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare dhe për të krijuar mundësi të reja për bizneset e vogla dhe të mesme.
Burimi ATSH



















